Durrësi nën terrorin e vjedhjeve të përditshme

453
Sigal

Para disa ditësh në lagjen 16 të qytetit të Durrësit u vodh kablli elektrik dhe shkolla e mesme “Leonik Tomeo” mbeti 3 ditë pa energji elektrike. Kablli ishte vjedhur në kabinën elektrike dhe banorët thanë se kjo gjë përsëritej shumë shpesh. Nga vjedhja në linja atyre u ishin djegur edhe objektet elektro-shtëpiake. Po kjo situatë konstatohet në shumë zona të qytetit kur vidhen kabllo dhe gjithçka metalike po ndodh shumë shpesh. Është konstatuar se vjedhjet kanë shënuar rritje në shifra të papara më parë. Nuk janë vetëm objektet e godinat e institucioneve shtetërore, por edhe ato private që po përballen me epideminë e vjedhjeve masive. Lokalet, magazinat, dyqanet, pikat e lotarive, shtëpitë, autoveturat janë bërë të gjitha të pasigurta. Policia e Durrësit pret dhjetëra telefonata në 24 orë, të cilat raportojnë për atë që po u ndodh qytetarëve dhe bizneseve me pasurinë e tyre. Jo më pak problem janë edhe grabitësit e çantave dhe bizhuterive kryesisht të të moshuarve dhe grave. Kjo kategori, e cila në disa raste ka provuar edhe hekurat e policisë, veprimet e dhunshme i kryen në çdo kohë, ditën e natën, pa u vënë në merak. Por në dhjetëra raste qytetarët kanë denoncuar edhe vjedhjet e automjeteve, marrjen e kasetofonëve, heqjen e dhunshme të pasqyrave. Çdo ditë vidhen 2-3 automjete, shifër që në ditë të veçantë dy e trefishohet. Efektivat e policisë janë vënë disa herë në alarm pas telefonatave qytetare, ndërkohë që vjedhësit kanë qenë një hap para uniformave blu duke mundur të largohen pa u identifikuar asnjëherë. Durrësi është shndërruar në një vatër shqetësuese edhe pse policia ka rritur forcën goditëse. Kështu konvikti shkollës “Beqir Çela” në Shkozet të Durrësit ka nisur të rrënohet pjesë-pjesë. Bëhet fjalë për godinën e vjetër, e cila tashmë është braktisur nga nxënësit pas ndërtimit të fjetores së re dhe që po grabitet dita ditës nga hajdutët.