47-vjeçari spanjoll gjendet pa shenja jete në dhomën e hotelit në Divjakë! Zbardhet dëshmia e shokut të tij

152
Sigal

Një 47-vjeçar spanjoll u gjet i pajetë mbrëmjen e të martës në një hotel në Divjakë.

Ngjarja ndodhi në fshatin Karavasta, ku viktima Francesko Servia po qëndronte së bashku me shokun e tij 41-vjeçar, Oskar Velasko. 47-vjeçari, dyshohet se dëmtoi veten me thikë teksa ishte duke bërë dush.

Ishte miku i tij i dhomës, Oskar Velasko, ai që e gjeti me damarët e prerë dhe që më pas i alarmuar njoftoi uniformat blu. Trupi i pajetë i spanjollit u dërgua drejt morgut të Tiranës, ndërsa hetuesit shoqëruan 41-vjeçarin Oskar Velasko, i cili deklaroi se gjatë kohëve të fundit Francesko kishte shfaqur shenja depresioni dhe nervozizmi. Shkak ishin bërë mosmarrëveshjet që ai kishte me bashkëshortoren që ndodhet në Spanjë.

Ai rrëfeu gjithashtu se 47-vjeçari ikishte treguar se kontradiktat dhe debatet kishin lindur për faktin që punonte larg familjes, pasi kjo nuk ishte hera e parë që ndodhej në Shqipëri.

Francesko Servia punonte në zonën e Divjakës si specialist për montimin e pajisjeve të ujitjes në sera. Ai kishte mbërritur në datë 13 shkurt të këtij viti së bashku me mikun e tij. Sipas kryeplakut të fshatit, Aristir Prifti ata ishin punësuar me kontratë të rregullt nga një firmë spanjolle që ka marrë me qira një sipërfaqe prej 40 hektarësh tokë në këtë zonë e po ndërton sera modern.

Ndërkohë policia po vijon hetimet e thelluara për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për të përcaktuar shkakun e vërtetë të kryerjes së vetëvrasjes.