Suplementi Pena Shqiptare/Namik Selmani: Një homazh për Piktorin e Merituar beratas Sotir Capo

515
Sigal

Mos t’u thaftë peneli, Mjeshtër!

Kështu ndodhi. Papritur dhe pabesueshëm. Ashtu si po ndodh rëndom në këo vite të mërgimit masiv të shqiptarëve drejt botës së madhe, matanë gardhit të Shqipërisë, dikur i mbushur me telagjemba e sot me vula pasaportash. Në jo pak raste dëgjojmë se fëmijët e të afërmit nuk vijnë dot që të varrosin prindërit ose nuk shkojnë dot atje ku ka ndodhur vdekja. Që nga Greqia e afërt, Italia deri në SHBA, Kanada, Australi …Kur morëm e lajmin vdekjes së Piktorit të Merituar Sotir Capo që kishte gati 20 vjet i emigruar në Amerikë, nuk e besuam. Në rastin më të mirë e mëse të zakonshëm, do ta dëgjonim ose do ta lexonim në një fletë lajmërimi vdekjeje aty, pranë Sheshit “Agjencia” në qendër të qytetit të Beratit ku ende ka është një shtëpi në pronësi të familjes Capo. Ndoshta edhe varrin do te ishte mirë që ai ta kishte këtu…Një foto e vënë nga miqtë do të ngacmonte kujtesën e ayre që e kanë njohur dhe kureshtinë e më të rinjve. Edhe sot e kësaj dite asnjë instutucion që lidhet me emrin e veprën e tij nuk ka bërë ndonjë aktivitet homazh për të. Ndoshta mund ta bënte që në ditën e dytë të lajmit këtë gjë Shkolla e Mesme Artistike “Ajet Xhindole” ku ka një degë të pikturës e ku ai punoi për shumë vite. Mund ta bënte Galeria e Artit “Eduard Lear” si risitar i ekspozitave profesioniste. Ndoshta Qendra Kulturore ku ai ka punar si skenograf disa vite. Nuk bëri një aktivitet simbolik përkujtimor as Bashkia. Iku nga jeta një piktor që i dha jo vetëm dritën e penelit dhe dritën e shpirtit të tij artistik, por edhe një pjesë e frymës së vetë qytetit që asnjëherë nuk mund të jetojë pasjetën e tij pa frymën e poetëve, piktorëve, këngëtarëve, ndërtuesve, klerikëve, etj.. pa folur edhe për një fis të tërë të Capojve që janë objekt më vete i fisnikërisë beratase. Nuk bëhet fjalë për Shoqata arti që ende janë flenë në ëndrrën e këtij qyteti me vlera botërore. Edhe ato nuk bënë diçka për të kujtuar humbjen e tij!!!Të paktën për të informuar.. U gjet vetëm mënyra e internetit dhe Kodi qytetar që asnjëherë nuk është zhdukur për të bërë disa ngushullime në internet që i bënin njëri-tjetrit si qytetarë e si intelektualë. E kishim marrë vesh nga njerëz të ndryshëm që shkonin e vinin në Amerikë edhe e takonin atë, se në kohët e fundit ishte sëmurë.. Madje sëmundja kishte filluar që të shkonte thellë në vite. Ishte sëmundja e parkinsonit që po e lodhte e po e drobiste trupin e Profesor Sotirit. Jo, e donim sërish Mjeshtrin Capo që të bënte sërish për këtë qytet, por edhe për kombin .

 

… Para disa viteve hyja i drojtur në atë shtëpi ku ai kishte banuar para se të shkonte në Amerikë. Dihet se malli testohet me mungesën. Miku im Lorenc Buda, djali i Skulptorit të Merituar Vangjel Buda që kishte miqësi familjare me të më sugjeroi që të shihnim bashkë shtëpinë . Po edhe një shkrim për të kujtuar e për ta ngritur atje larg nuk do të ishte keq. Madje do të ishte më e pakta për atë punë që ai bëri për telajon e pikturës. Shkuam. Në shtëpinë e vjetër na priti Baçi që kishte çelësat dhe porosinë e piktorit për të ruajtur shtëpinë. U futëm në një shtëpi që pa dorë njeriu, dukej e trishtë, memece. Çdo gjë kishte mbetur e heshtur. Penelat kishin mbetur të thara pranë një telajoje që s’dihet se në cilën prej rreth 120 pikturave të mbaruara e të pambaruara që ndodheshin aty mund të ishin hedhur pikat e fundit të ngjyrës. E nga dritarja e shtëpisë së vjetër dykatëshe nga ato tipike beratase në një lagje karakteristike me një emër disi të çuditshëm “Lagja e Përroit” shihje, ashtu si piktori dikur, një fragment nga mali i Goricës, një pishnajë të rralluar përherë e me shumë ashtu si të mençurit po i largohen edhe më shumë këtij qyteti. Shihte në rrugën që të çon në lagjen “Kala” dhe një pjesë të Mangalemit. Një fqinjë i tyre kujton se që në rini ai shpesh ngrinte këmbalecin dhe niste të pikturonte Mangalemin në mbrëmje e në agim, në ditët e zhurmshme e në ato të qeta. Ishte bërë pjesa e panadarë e jetes së rrugicave për shumë vite. Të gjithë e njihnin dhe të gjithë e thërrisnin “Profesor”.

Dhomat e pabanuara të ngjallnin trishtim ashtu si dhe shumë shtëpi beratase, banorët e të cilave i ka marrë kurbeti në botë, por edhe në Shqipëri. E kur mendon se në këtë listë të gjatë e të pambaruar, por asnjëherë të saktë nga demografëve e pushtetarëve, nga staticienet e sociologët, janë futur edhe artistët që lidhen me biografinë kulturore të vetvetes të qytetit e të mbarë kombit, atëherë trishtimi merr ngjyrën e revoltës Në secilën prej shtëpive, prej këtyre dhomave që po shikonim, nisëm të preknim objekte të vjetëruara, pranë të cilave ndjehej fryma e Piktorit të Merituar Sotir Capo. Kishte gati 20 vjet që nuk ishin prekur. Fqinji i shtëpisë së tij duke ruajtur “besën” nuk kishte prekur asgjë e natyrisht nuk mund të gjykohej. Ca lule të thara. Një televizor “Iliria”, (nuk e dimë a punonte apo jo) një qebab i vjetër kafeje dhe një gotë rakie që priste të mbushej për të uruar rikthimin e piktorit që nuk ka për të ndodhur më kurrë. Një numër të madh albumesh të pikturave shqiptare dhe botërore, të flisnin për formimin e tij kulturor. Skica. Skica. Më tej, në katin e parë, një dollap me libra italiane, franceze, shënime të shkruar për probleme të ndryshme, shumë shkrime të babait të tij, jurist që kishin një shkrim të jashtëzakonshëm për pastërtinë e tij në vitet 30 të jepnin një notë tjetër të portretit të Piktorit Sotir Capo. Ato të kujtojnë se Berati kishte dhe ka akoma një prapavijë kulturore me libra të të gjithë gjuhëve e një vërshim të kulturës evropiane. Mjafton që ta njohësh e të gërmosh në këto arkiva të paçmueshme dhe na bën që nuk njihet sa duhet nga ata që flasin me plot pasion në tribunat e shumta.

2.

Djaloshi Sotir Capo vonë, shumë vonë, mësoi historinë e familjes së tij me origjinë nga Mecova e Greqisë së Veriut. Gjyshi i tij ka qenë një nga kapedanët më të shquar të Ali Pashë Tepelenës, ndërsa stërgjyshi, Diligjeni, ka qenë një nga heronjtë shqiptarë që kanë luftuar për Çlrimin e Greqisë. Edhe sot e kësaj dite ka një emër rruge në Athinë me emrin e tij. Sotiri kishte pasion për pikturën që kur ishte i vogël. Bashkëmoshatarja e tij, mësuesja Margarita Buda e njëkohosisht edhe bashkëshortja e Skulptorit të Merituar Dhimtër Buda tregonte se ai vizatonte kudo dhe dallohej nga të gjithë të tjerët. Pakkush mund të mbajë mend një vogëlush 8-9 vjeçar si Sotiri që vraponte rrugicave të Beratit me dy penela për të fshirë portetet e Duçes e për të vizatuar më tej mbi këto mure skica me kazma e lopata shenjë e rindërtimit të vendit. Në vitin 1949 kur ende Berati kishte gërmadhat e luftës e në sallat e tij gjëmonin altroparlantët e gjyqeve antikomuniste, ai do të vihej përballë mjeshtrave më të njohur të pikturës dhe të skulpturës shqiptare. Kishte vetëm disa vite që shtëpia e prindërve të tij. Baba Thomai pasi ishte djegur shtëpia e kisjhte vendosur famijen në një shtëpi dujatëshe në Lagjëen e Përroit. Familja ishte e madhe. Ishin dy vëllezër e katër motra. Mjeshtër më të mëdhenj si Odise Paskali, Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, në Liceun Artistik “Jordan Misja ishin udhërrëfyesit e tij të parë të artit ku ai iishte futur me shumë dinjitet mes 50 konkurrentëve të tjerë në të gjithë vendin. Pas mbi 50 vitesh ai do të hynte vetë në radhën e Mjeshtrave. Mbaroi edhe Institutin e Lartë të Arteve duke qenë një nga të parët që e mbaroi atë si brez. Përherë Sotiri ka thënë me krenari se ka qenë bashkëpunëtori dhe nxënësi i skulptorit Dhimitër Çani, i cili ka bërë edhe bustin e Babë Dudë Karbunarës, Mësues i Popullit.

Mjeshtri Sotir Capo u bë dhe ka mbetur si një nga portretistët më të mirë të viteve 70-80 të shekullit të kaluar, po edhe sot i njohur shumë. Duke respektuar parimin e pashkruar të artit të të gjithë kohërave atë të pafajësisë së artit, ai ka bërë që fondi i pikturave të tij të këtë pranë njëra-tjetrës piktura të shumëllojshme. Portreti i Margarita Tutulanit, i Leninit, i Stalinit, i Hasan Tahsinit, i Onufrit, i Tonin Harapit, Babë Dudë Karbunara, Kostandin Kristoforidhi, Kristaq Capos, i Skënderbeut, i një ciganeje, i mjekut Dhimitër Kajana, i një nafëtari, i një nxënësi, i një mjelseje, i Onufrit, janë shenjat e talentit të tij. Ai kujtonte me nostalgji Vlorën, Korçën, Tendën e Qypit, Krahinën e Tomorit, Lunxherinë, Skraparin Pogradecin ku kishte shkuar për të bërë pikturat e tij.

Në galerinë e kompozimeve të tij të panumërta në një periudhë 40-vjeçare kur ai ishte në Shqipëri gjen Tomorin, Osumin, Kishat e xhamitë e Beratit, mjelëset, Puset e naftës, partizanë duke mësuar të shkruajnë, vullnetarë, të dashuruar, etj.

Edhe sot e mbaj mend me shumë respekt Sotirin në vitet 1983, 1984 kur vinte në krye të një grupi piktorësh për të bërë dy piktura murale të mëdha në Muzeun e Sinjës, në zonën e Shpiragut, ku unë kisha dy vjet që kisha shkuar si mësues letërsise në shkollën e mesme të zonës. Ai bëri një pikturë murale me përmasa shumë të madhë për Betejën e Rrapo Hekalit dhe të Betejës së Urës së Velabishtit që mbahen mend për egërsinë e pasojat shumë të rënda që pati kjo luftë për zonën e Shpiragut. Në Muze ai kishte përjetësuar edhe memornadumin e Sinjës që është shumë i rëndësishëm në historinë e kombit tonë për kërkesat shumë të larta patriotike dhe iluministe për kohën. Pasi mbaronte një punë shumë të lodhshme fizike pa folur për cilësinë artistike të veprës së tij ai ushqehej me një pjatë supë që vinte nga një mencë–kasolle e kooperativës bujqësore të kohës. Pak vite më vonë ai do të bëhej autori i një pikture murale në ish Pikën Turistike të Kalasë së Beratit ku vinin shumë të huaj për vizitë, shumë intelektualë nga rrethet e tjera dhe udhëheqës. Aso kohë Pika ishte një lokal shërbimi me dy kate dhe piktura murale e tij përjetësonte një dasëm beratase. Kishte shumë lirizëm në të. Më 1997 një nga dëmtimet më të mëdha që iu shkaktua qytetit ishte edhe dëmtimi i kësaj pikture murale. Në arkivin e ish nxënësit të tij piktorit të njohur restaurator Agron Dingo, gjen një fragment të saj të goditur nga plumbat e kohës po që edhe ashtu jep forcën e artit të tij.

Atij i duhej që për nevoja të ditës të merrej me disa profesione përnjëherë si ai mësuesit në shkollën pedagogjike, në atë artistike. Kur ishte ushtar në Shkodër, ndonëse në moshë shumë të re e ngarkuan që të punonte si skenograf në Shtëpinë e Ushtarakëve të Shkodrës, duke patur në krah një mjeshtër të pikturës së Kohës Lec Fishtën që ishte ndër më të talentuarit e skenografisë së Teatrit “Migjeni” në Shkodër bashkë me regjisorin e asaj kohe Andrea Skanjeti.

Pak më vonë punon si skenograf në Filarmoninë e Shtetit, në Teatrin e Baletit, si restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ishte ndër më të mirët e degës së pikturës. Që në vitet 50 ai do të ishte pjesëmarrës i ekspeditave studimore për etnografinë popullore në zonën e Beratit si në Lybeshë ku bëri skicat e nevojshme që do të përdoreshin edhe për kostumet e filmit artistik “Skënderbeu”. Me këtë film atë e lidhte edhe miqësia me regjisorin e aktorin Viktor Stratoberdha që u arrestua në lagjen ku banonte ai. Që prej asaj kohe ai e jetonte edhe me një lloj frike se mos një ditë do të merrnin dhe atë dhe do ta përlasnin në një burg të ftohtë Kur punonte, rrëmbehej kaq shumë sa, si thotë skulptori Vangjel Peço, i digjte dorën cigarja e ndezur që i kishte mbetur si mik i përhershëm. Kishte një komunikim të ngrohtë me të gjithë

Në kohëra të tilla kur edhe borjat dhe penelat ishin aq të pakta Sotiri kishte zhgënjimet e veta. Kërkonte që gjithmonë të ishte njeriu u garës në konkurset kombëtare po ata në Tiranë i detyronin tematikën. Ai donte natyrën dhe arkitekturën e Beratit. A ka profesionistë më të mirë se ata që pikturojnë të tilla vlera, të tilla peisazhe?? Gdhihej e ngrysej në lëndina male, në ditë dëbore e në buzë të Osumit Në Tiranë e kthenin se nuk e trajtonte si duhet temen e socializmit. Pas fitores së një konkursi i doli një bursë specializmi në Bashkimin Sovjetik, po biografia e keqe ia mbylli rrugën .

Me dhjetra e dhjetra piktura të tij të përmasave të ndryshme sot i gjen në sallat e kryeministrisë, të Presidencës, të Galerisë së Arteve, të Muzeve historike të rretheve. Ekspozitat e shumta që ai hapte në Vlorë, Berat, Tiranë, Durrës kishin një numër të madh shikuesish. Janë çmime kombëtare që e dërguan në vlerësimin e lartë Artist i Merituar më 28 maj 1979, gati 35 vjet më pare. Pensioni që ai mori më 1989 ishte shumë simbolik e ai vazhdonte të punonte, edhe pse në një moshe mbi 70-vjeçare.

3.

Kur Piktori i Merituar para shumë viteve Sotir Capo kalonte oqeanet për të shkuar në SHBA, në Filadelfia, doganierët e aeroporteve evropiane edhe amerikane do të jenë befasuar paksa me ato arkëza ku ai kishte marrë pikturat më të mira për t’i patur atje, në kontinentin e ëndrrës sa romantike aq edhe zhgënjyese. Në to kishte disa piktura që i sillnin nostalgjinë e viteve, pasionin, këmbënguljen, por edhe një lloj pasaporte, atje, mes shqiptarëve dhe amerikanëve që do ta njihnin atë. Por edhe për të marrë me vete një Berat që do t’i mungonte, një shami Tomori, një fjongo Osumi, një histori që do ta tregonte pa u turpëruar secilit që do ta pyeste për qytetin e vendin e tij..

Prej shumë vitesh të qëndrimit në SHBA atë e merr malli shumë për miqtë e tij. E kishte provuar këtë mall që në vitet e para të demokracisë kur ai shkoi për disa vjet në Greqi. Atje, për të fituar bukën e gojës, por edhe për të mbajtur gjallë pasionin, i duhej që të punonte edhe me modelet. Duket se arti i portretizimit i vinte fare lehtë në ndihmë.

Atje e merrrte shpesh malli për mikun e tij Dhimitër Budën e Yzedin Shelelgun që nuk jetonin më prej vitesh. Me ta, në vitet 60 do të hapnin eskpozitën e parë të pikturës në Berat. Djali i tij i vetëm, Toni mundohej që t’ia bënte edhe më të lehtë jetën. Zonja Dhimtrulla i jepte kurajo.

Atje, në Filadelfia i duhej që të punonte të punonte, që të tregonte ligjin e pashkruar të çdo artisti se, kur thahet peneli i ngjyrës, kur mbetet e heshtur dalta e gdhendies, kur mbetet e bardhë letra e shkrimit mbi tavolinë, aherë mbaron edhe arti

Në vitit e fundit i kishin ardhur në tavolinë disa miq të padëshirueshëm si ishin ilaçet e shumta. Ballafaqimi i shkollës klasike shqiptare me atë amerikane nuk e trembte aspak. Kishte hapur disa ekspozita në Filadelfia, në Florida bashkë me piktorë shqiptaro amerikanë si Kristi Saro. Kishte shumë kerkesa, po nuk i ndiqte dot. Kishte hapur një kurs pikture për fëmjët e talentuar të shqiptarëve. Ndërkohë që edhe në Japoni kishin marrë pikturat e tij për t’i vendosur në pullat postare si kishte ndodhur me pullën “Mësimi në mal”.

“Është shumë sakrificë të lësh shtëpinë, Beratin e të emigrosh” thoshte shpesh ai në letrat që i dërgonte miqve. E shqetësonte shtëpia e tij që priste dorën që ta hapte të sistemonte pikturat, librat objektet. E shqetësonte fati i pikturave të mbetura që mund të dëmtoheshin e të shpërdoroheshin. Madje edhe të vidheshin si ndodhi me njërën prej tyre që ishte e vendosur një institucion të qytetit. Pse jo edhe për të hapur Shtëpi Arti në Mangalem. A nuk mund të bëhet e të bëjë edhe Bashkia e Beratit pjesën e vet në këtë përtëritje të vlerave të krijuara në vite e që mbajnë edhe vulën e kuturës qyetare, për të cilët flitet shumë në tribuna e që pak bëhen realitet? Miku i tij Baçi, bashkë me dhimbjen që ka, përpiqet që brenda mundësive të shmangë rrënimin që vitet e bëjnë më të afërt. Nuk kërkon të hedhë asgjë. As librat që gjithmonë e fisnikërojnë shtëpinë, lagjen e qytetin. Dhe vijmë te pengjet e mëdha që kishte Mjeshtri Sotir Capo. Nga ato pengje që asnjëherë nuk mungojnë në jetën e pasjetën e mjeshtërve. Ai kishte nisur që të bënte në muret e Filadelfias një pikturë të madhe murale me legjendën e kombit tonë. Për të kishte marrë leje në bashki. Një pamje të vendosur në një nga pallatet më të lartë të kryeqytetit të Filadelfias që është kryeqyteti i shtetit të Pensivalnisë. Në pikturë kishte ide që të bënte një tablo shumë të madhe për Ali Pashë Tepelenën, për Vasiliqinë, për kokën e prerë të Ali Pashës në një tepsi. Mos po rizgjohej kujtimi i gjyshit të tij kapedan??? Pengjet e piktorëve të mëdhenj ku radhitet edhe Sotir Capo që u nda nga jeta para disa ditësh në Amerikë na e bëjnë më të dhimbshme kujtesën tonë për të. Më krenarë se kemi patur mes nesh një piktor kaq të talentuar e me kaq frymë kombëtare, për të cilin duhet të bëjmë sa më parë edhe një monografi të veçantë

….Pasi mbyllnim derën e vjetër të shtëpisë së Sotir Capos, mes shumë objekteve që tashmë janë kthyer në relike të pazëvendësueshme për një Muze Arti në një qytet si Berati por edhe për mbarë kombin, të mbeteshin sytë në një masë penelash të vendosura në një vazo të pikturuar me lule. Ishin tharë e askush nuk i kishte prekur prej shume vitesh. Trishtimi për artistin e mërguar që nuk do të kthehet më në këtë shtëpi, në këtë lagje e në këtë qytet, të bën që të klithësh fort, dhimbshëm “Mos t’u thaftë kurrë peneli, Mjeshtër!”