Provimet e shtetit, niveli lë ende për të dëshiruar

    499
    Sigal

    Infermierët, sfida e përmirësimit të sjelljeve etiko-profesionale dhe edukimit në vazhdim

    Përmirësimi i sjelljeve etiko-profesionale të  profesionistëve të kujdesit infermieror dhe ngritja e nivelit të tyre profesional në standarde evropiane mbeten shqetësimet kryesore dhe sfida për vitin e ardhshëm të Urdhrit të Infermierëve. Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, ka mbledhur Aktivin e tij Kombëtar, ku janë diskutuar problematikat, por dhe objektivat për vitin e ardhshëm 2014. Presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi, bëri të ditur në fjalën e tij se,  gjatë këtij viti kanë funksionuar grupet e mbikëqyrjes së kujdesit dhe janë vënë në lëvizje të vazhdueshme komisionet e gjykimit profesional në të gjitha rajonet.  Sipas tij, me rëndësi ka qenë gjatë këtij viti që po mbyllet, edhe vijimësia në mënyrë të suksesshme e regjistrimit, licencimit dhe rilicencimit të profesionistëve të tillë të kujdesit, të tillë si infermierët, mamitë, fizioterapistët, teknikët e laboratorit dhe imazherisë.

    Provimet e shtetit

    Sa i takon rezultateve të Provimit të Shtetit, Skënderi tha se “kanë ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit. Kujtojmë se deri tani janë dhënë disa herë Provime Shteti, ku në të parin, profesionistët kanë dalë shumë dobët, në nivelin e kalueshmërisë 23%, në provimin e dytë 47% dhe në të tretin vetëm 54%”. “Kjo tregon që kemi një rritje edhe pse akoma niveli i tyre lë për të dëshiruar”, theksoi më tej Skënderi.

    Infermierët e pranishëm në këtë Aktiv Kombëtar, parashtruan shqetësimet e tyre lidhur me atë që e kanë cilësuar si mosmbrojtje të tyre dhe kërkuan një vëmendje më të madhe ndaj punës që ata kryejnë. Ata pohuan se ka ardhur koha që të vlerësohen siç duhet dhe që fjala e tyre të dëgjohet edhe kur bëhet fjalë për vendimmarrje në nivele të larta të kujdesit shëndetësor. Në fund të këtij aktivi, u nderuan me trofeun “Nënë Tereza”  personalitete të njohura të infermierisë në qarqet kryesore të vendit si Miltiadh Naçi, Mihallaq Kondi, Mimoza Allanidhi, Juliana Xhindoli dhe Alpina Koçi.

    Beci: Brenda marsit, gati 4 paketat e para të shërbimeve shëndetësore

     Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ka angazhuar profesorët elitë të fushave përkatëse, për të hartuar së bashku, paketat e plota për katër shërbime spitalore shumë të rëndësishme. “Në bashkëpunim me ju, në një kohe rekord, brenda datës 31 mars të vitit 2014, ne do të kemi paketat e shërbimit të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, të dializës, transplantit të veshkave dhe transplantit të  mëlçisë”, tha sot drejtori i drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Dr. Astrit Beci, në konferencën me temë “Hartimi i paketave shëndetësore, risi në financimin e shërbimeve spitalore”, mbajtur në Hotel Tirana International. Matja e saktë e kostove të këtyre shërbimeve, sipas tij, do të bëjë të mundur kontraktimin real nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me ofrues të shërbimit publik dhe privat. Përmes kostove të përcaktuara drejt dhe konkurrencës, ne presim një ulje të çmimeve në sektorin privat, të cilin Fondi i Sigurimeve do të kontraktojë për këto shërbime, por mbi të gjitha, do të mundësojmë ofrimin e këtyre shërbimeve me cilësi në spitalet tona publike. Ndërkohë, Komisionet teknike për këto katër shërbime të rëndësishme spitalore, janë miratuar nga Këshilli Administrative i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe puna për hartimin e këtyre paketave, do të nisë menjëherë.  Po kështu, janë përcaktuar gjithashtu, kriteret mbi të cilat do të hartohen këto paketa, kritere mjekësore, ekonomike dhe sociale. “Kjo do të thotë se, në hartimin e këtyre paketave, do të vlerësohet shkalla e ofrimit të shërbimit në ndihmë të përmirësimit të cilësisë së jetës, të shmangies se përkeqësimit të mëtejshëm të shëndetit dhe të rritjes së jetëgjatësisë. Gjithashtu,  do të vlerësohet raporti i kosto-efektivitetit të shërbimit dhe disponueshmëria e burimeve financiare të Fondit”, tha Beci, sipas të cilit, elementi i tretë i rëndësishëm, është ndjeshmëria (problematike) sociale e këtyre kategorive si dhe numri i përfituesve në raport me popullsinë. Beci shprehu bindjen se, në bashkëpunim me profesionistët e shëndetësisë do të arrihet të finalizohet brenda afateve të përcaktuara, ky projekt i rëndësishëm, i cili do të shërbejë si gur themeli, për një qasje të re të financimeve spitalore, në bazë të kostove reale dhe mbi të gjitha, në funksion të një shërbimi sa më të mirë për popullatën.

    Prof. Artan Goda, duke marrë fjalën në takim, tha se “kjo nismë vjen në momentin e duhur, jemi në të njëjtën linjë me ISKSH-në (Fondin e Sigurimeve) për matjen e saktë të kostove të këtyre shërbimeve”.

    Për Prof. Myftar Barbullushi, kjo iniciativë është një veprim të zgjuar. “E shoh si veprim të zgjuar të ISKSH-së këtë iniciativë për hartimin e paketave të qarta për këto shërbime të rëndësishme, në mënyrë që të dihet saktësisht kosto e tyre”, tha Barbullushi.

    “Është hera e parë që marr pjesë në një komision

     të tillë dhe nisma të tilla janë për t’u përgëzuar. Është e udhës vlerësimi i profesorëve të QSUT-së, pasi është shumë e rëndësishme të vlerësohet shërbimi publik”, tha Prof. Nikollaq Kaçani.