Ja skema e grabitjes së 2 miliardë eurove

    425
    Sigal

    Qeveria “Rama” shtyn afatin për hyrjen në fuqi të pullës dyfishe të barnave

    Ministria e Shëndetësisë ka shtyrë afatin për hyrjen në fuqi të pullës dyfishe të barnave, aplikimi i së cilës ndikon në rritjen e çmimit të ilaçeve të rimbursuara, duke e shtuar vlerën e tyre me 10%, pikërisht sa TVSH-ja e barnave, heqjen e së cilës qeveria e sotme e trumbeton si një nga fitoret e saj në shëndetësi. Përmes një udhëzimi, të botuar në Fletoren Zyrtare, ministri Ilir Beqaj urdhëron shtyrjen e këtij afati në datën 1 prill 2014. Aplikimi i pullës dyfishe u parashikua në ndryshimet që pësoi ligji në vitin 2011, ndërkohë që duhej të ishte një Vendim i Këshillit të Ministrave, ai që do të përcaktonte kohën se kur ajo do të aplikohej. Ndonëse VKM-ja e fundit parashikonte muajin gusht të këtij viti, qeveria e asaj kohe u tërhoq dhe e shtyu afatin për fundin e këtij viti. Në fakt, aplikimi i pullës dyfishe për barnat është kundërshtuar fort nga Urdhri i Farmacistit  dhe nga ish Ministri Kosova, i cili për të mos aplikuar këtë pullë, arriti të sigurojë shtyrjen e afatit të zbatimit të udhëzimit. Arsyeja kryesore është pikërisht rritja e çmimit që mund të pësojnë ilaçet për shkak të kostos që ka kjo pullë. Gjithashtu, ndër argumentet kundër kësaj pulle ishte edhe fakti se në treg mund të krijohen mangësi të ilaçeve e për pasojë dëmtim të pacientëve. Parashikimi i vendosjes së kësaj pulle u argumentua me faktin se ajo do të sillte më tepër siguri për barnat, por edhe kjo arsye u kundërshtua nga Urdhri i Farmacistit, ndërsa u soll në vëmendje se ne do të ishim i vetmi vend në botë që do ta aplikonim.

     Udhëzimi

    E gjithë kjo procedurë është parashikuar që në fillim të vitit, ku një urdhër me firmën e Bodes dhe Tavos parashikonte që pajisja me pullën e sigurisë dhe atë fiskale nuk do të bëhej më nga qendra e barnave, por nga firma koncesionare që e kishte fituar këtë të drejtë. Bëhet fjalë për pullën e ilaçeve, ku përcaktohet çmimi, lloji i ilaçit, dhe të dhëna të tjera fiskale dhe shëndetësore për medikamentin që importohet dhe tregtohet. Sipas këtij udhëzimi, firmave të importit u lihej kohë deri më 6 gusht që të blinin këto lloj pullash te privati, në mënyrë që të importonin ilaçe. Pas kësaj date, pullat që lëshoheshin nga QKB nuk do të kishin më vlerë dhe detyrimisht duheshin pullat e reja. “Sipas udhëzimit, nuk do të lejohen të importohen barna, si dhe nuk do të lejohen të hidhen në treg barna të prodhuara në vend, pa pullën e vetme të kontrollit të barnave të prodhuar nga koncesionari”. Udhëzimi parashikon edhe çmimin e këtij shërbimi. “Çmimi i pullës së vetme të kontrollit të barnave është 14.43 euro për 1.000 (njëmijë) copë pulla”.

      Koncesionari

    Koncesioni i është dhënë një kompanie kanadeze, që na i shet dy herë më shtrenjtë se të njëjtin prodhim që u ka shitur vendeve të tjera. Tenderi është bërë në mungesë transparence nga qeveria “Berisha”. Historia ka filluar në fillim të shtatorit të vitit 2010 kur nisi dhe procedura e konkurrimit për dhënien me koncesion të prodhimit të pullave fiskale. Në tender u paraqitën disa firma, mes tyre dhe SICPA Security. Gara nxori fituese pikërisht kompaninë SICPA, ndërsa një prej konkurrentëve në tender pretendoi parregullsi dhe diskriminim gjatë garës. Por, duket se historia dhe skandali i vërtetë fillon pikërisht në momentin që kompania SICPA fitoi garën. Ky koncesion krijon sipas ekspertëve tri problem të mëdha: Së pari, çmimi i pullave është dyfishi i çmimit që e njëjta kompani ka ofruar në Filipine një vit më parë. Së dyti, ky sistem nuk është në një gjatësi vale me rekomandimet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë për luftën kundër trafikut të mallrave me ‘akcizë’ të fortë, siç janë duhani, pijet alkoolike dhe barnat. Dhe së treti, procedura e tenderit ka qenë tërësisht jo-transparente dhe fituesi është diktuar nga një lobues i lartë amerikan.

     Qeveria “Berisha”: E ulëm çmimin me 31 për qind

    Koncesioni jepet për një periudhe 10- vjeçare. Vlera totale e investimit është 10 milionë euro dhe tarifa e koncesionit është 2 % e totalit të të ardhurave nga shitja e pullave.

     Skandali me Shqipërinë

    Problemi i parë që prodhon kjo histori është çmimi i lartë i pullave fiskale. E njëjta kompani i ka ofruar Filipineve të njëjtin sistem një vit më parë me çmim 7 dollarë për 1000 pulla, ka raportuar rrjeti investigativ “Balkan Insight” nga Shqipëria.

    Shqipëria   paguan një çmim dyfish më të lartë. 

     Problemi i dytë është paefektshmëria e këtij sistemi. Për më tepër, sistemi nuk ka histori të suksesshme të zvogëlimit të kontrabandës në vendet ku është aplikuar.

     Mungesa e transparencës në tender

    Shpallja e fituesit është bërë përmes një operacioni të beftë, ku Ministria e Financave la jashtë dijenisë grupet e interesit (kompanitë e tregtimit të duhanit dhe pijeve alkoolike, kafesë, barnave) duke e trajtuar kompaninë fituese në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë jashtë vëmendjes së interesit publik. Kontrata më së fundi është nënshkruar kohë më parë, dhe vetëm dje është bërë publik nënshkrimi i saj. Kjo kontratë i ka dhënë në kushtet e mungesës totale të transparencës kompanisë SICPA, koncesionin e prodhimit të pullave fiskale, një produkt strategjik me vlerë shumëdimensionale në treg, sidomos në tregun e duhanit dhe pijeve alkoolike. Nga ana e saj, kompania ka kryer në Tiranë regjistrimin në QKR nën emrin “Sicpa Security Solutions Albania”, ku administrator është shtetasi zviceran Gianni Nigro. Praktikën e regjistrimit dhe të asistencës së kompanisë e ka marrë përsipër studioja ligjore “Ëolf Theis”, që drejtohet nga avokati i njohur Sokol Nako.

     Urdhri i Farmacistit (7 gusht 2013)

    Historia e pullës dyfishe ka filluar që në vitin 2009, kur u sanksionua në ligjin e barnave dhe vendosja e saj duhej të përfundonte brenda dy vjetësh dhe procesi do të realizohej nga QKKB. Pasi kaloi afati, dhe ligji u shkel, bënë një shpikje shqiptare duke e quajtur pullë fiskale për të justifikuar dhe TVSH-në, gjetën dhe koncesionarin, duke e paracaktuar me ligj (gjë e padëgjuar ndonjëherë), lanë dy vjet afat, nuk u kujtuan më. U bë dhe një takim në MSH-së, më 22 korrik 2013, me praninë e QKKB, Urdhrit të Farmacistëve dhe Koncesionarit, në të cilën ne përfaqësuesit shqiptarë e hodhëm poshtë me argumente, pse nuk është e nevojshme kjo pullë dhe të vazhdohet me pullën e sigurisë së emetuar nga QKKB, ky mendim mori dhe miratimin e Ministrit të Shëndetësisë. Ndërsa mësojmë, se është dërguar një shkresë zyrtare nga Ministria e Financave, e cila detyron QKKB të ndërpresë dhënien e pullave importuese të barnave. Pse po ndodh ky fenomen dhe kujt i intereson?

    1. Kontrata e qeverise shqiptare me kompaninë koncesionare, të përcaktuar në ligjin e barnave për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale të barnave. Rast unikal në botë.

    2. Mospranimi i kompanive prodhuese të huaja, lidhur me manipulimin shtesë për vendosjen e pullës shqiptare të barnave nga ana e tyre.

    3. Mospranimi nga importuesit e barnave në vendin tonë të burokracive të panevojshme për importimin e barnave.

    4. Mosmiratimi i një vendimi qeverie për përjashtimet e mundshme në këtë proces apriori.

    5. Mostërheqja e mendimit të aktorëve të sistemit farmaceutik në ndërmarrjen e kësaj reforme pullëzimi, si dhe mospërfillja e kundërshtimeve të bëra nga ana jonë. Pasojat e këtij procesi, bien në radhë të parë mbi konsumatorët e barnave, por edhe mbi sistemin farmaceutik në tërësi, të cilat po i rendis si me poshtë:

    a) Mbetjen e tregut farmaceutik pa barna dhe shqiptarëve pa trajtimin me to.

    b) Rritje të çmimit të barnave, për shkak të kostos së lartë të kësaj pulle, sidomos për alternativat e para të barnave të listës së rimbursimit.

    c) Ndryshim të çmimeve në listën e barnave të rimbursueshme dhe miratimin e një liste të re barnash me ndryshimet përkatëse.

    d) Ndryshimin e çmimit të barnave të tenderuara nga MSH dhe ribërjen e kontratave nga e para.

    e) Kaos total në sistemin farmaceutik dhe përballje të farmacistëve me pacientët për çmimet e ndryshme të barnave midis pullave ekzistuese nga të rejat, për të njëjtin bar.

    f) Asgjë të re në lidhje me sigurinë e barnave, sepse pulla ekzistuese i plotëson më së miri ato.

    g) Asgjë të re për ISKH-në, përveç rritjes së shpenzimeve të buxhetit, sepse në shkelje flagrante të ligjit të barnave, i cili e përcakton si pullë dyfishe, është katandisur rrugës së gjatë dy vjeçare në pullë njëfishe. Vetëm ky argument do të mjaftonte për ta bërë nul këtë proces të pullës së turpit të përfitimit koncesionar.

     Besnik Jakaj, ish -drejtori i QKKB-së

     Ish-drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj është shprehur se vendimi për blerjen e pullës tek kompania koncesionare ka qenë propozim i Ministrisë së Financave  dhe se një gjë e tillë është kundërshtuar me forcë prej tij dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe për mosimplementimin e saj kishin njoftuar edhe kryeministrin Berisha shumë kohë më parë. “Në fakt kjo ka qenë një reformë e drejtuar nga Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare pa u marrë teknikisht mendimi i Qendrës së Kontrollit të Barnave dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

    UDHËZIM

    Nr. 585/1, datë 5.12.2013

    PËR DISA NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 2, DATË 15.1.2013 “MBI PROCEDURAT E

    PRODHIMIT, KODIMIT, STAMPIMIT, SHPËRNDARJES DHE MONITORIMIT TË

    PULLAVE TË KONTROLLIT TË BARNAVE”, I NDRYSHUAR

    Në zbatim të ligjit nr. 10 381, datë 24.2.2011 “Për miratimin e kontratës së koncesionit

    ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Scipa Security Solutions Albania sh.p.k.”, për projektimin, finacimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”, si dhe ligjit nr. 9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, neni 20, pika 9, ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Financave  udhëzojnë:

    Në udhëzimin nr. 2, datë 15.1.2013 “Mbi procedurat e prodhimit, kodimit, stampimit,

    shpërndarjes dhe monitorimit të pullave të kontrollit të barnave”, bëhen këto ndryshime:

    1. Pika 16.1 ndryshohet si më poshtë:

    16.1 Për të gjitha subjektet farmaceutike zbatimi i udhëzimit do të fillojë nga data 1 prill

    2014. Pas datës 1 prill 2014, nuk do të lejohen të importohen barna, si dhe nuk do të lejohen të  hidhen në treg brana të prodhuara në vend pa pullën e vetme të kontrollit të barnave të prodhuar nga koncesionari. ….

    MINISTRI I SHËNDETËSISË

    Ilir Beqaj

    MINISTRI I FINANCAVE

    Shkëlqim Cani