Nafta / Subvencionet të bllokuara, Kastrati merr 11 miliard lekë nga Krifca. Bordi naftës u miratua me sytë mbyllur

188
Sigal

Gijotina/ Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, i jep oligarkut të naftës Shefqet Kastrati fondet për fermerët. Më datë 20 mars 2023 është hapur thirrja e dytë për fermerët, që duan të përfitojnë subvencionim të naftës, që përdorin për punët e tyre.

Procesi ngeci qysh në start

Në fakt ky proces nuk ka ecur si duhet, sepse në ditët e para kur u hap, sistemi në Korçë, Lushnje, Fier, Vlorë dhe Berat nuk ka funksionuar. Kështu fermerët nuk mundën të aplikonin në ato ditë. Ata kanë treguar se askush në zyrat e Drejtorisë Bujqësore nuk iu jep shpjegim. Ndërsa online në e-Albania nuk e bënin dot aplikimin, pasi në fshatrat e tyre nuk ka akses në internet, ose ata nuk dinë të përdorin aplikacionin.

Di unë ca bëjnë këta brenda, njëherë thonë s’ka internet, njëherë nuk ka system! Shikojeni vet kallaballëk. Ne bëjmë bereqaves për aq. Duhet të kishte pika më të afërta, mos të lodheshin njerëzit deri këtu, të bllokohen këtu. Ne online nuk e bëjmë dot nuk kemi internet në fshat, plus nuk e marrim vesh si funksionon”,- u shprehën fermerët ditën e djeshme për mediat.

 

Këto burokraci mund të lënë shumë fermerë jashtë përfitimit. Një arsye tjetër e ngecjes së procesit është me planet e Krifcës për të bashkëpunuar me oligarkun e naftës. Ministrja e Bujqësisë i është futur punës që të përfitojë nga ky projekt. Kështu, sipas dokumenteve, Krifca ka autorizuar lëvrimin e parë për të blerë naftë për fermerët.

Kastrati fut dy kompani të vetat në tender

 

Tenderi është regjistruar me datë 20 mars 2023 në Agjencinë e Prokurimeve Publike dhe ka në dispozicion vlerën prej 11 miliardë lekë. Një shumë e madhe parash, që do të dalë nga buxheti i sektorit të bujqësisë. Por, në vend që të lehtësohet barra e fermerëve, Krifca e përdor fondin për propagandë dhe për pasurimin e oligarkut të naftës.

Këtë tender e ka fituar Shefqet Kastrati. Ajo që bie në sy është se Kastrati ka garuar si bashkim operatorësh me dy firmat e tij “KASTRATI” SHPK & J “KASTRATI GROUP” SH.A, pra të 11 miliardë lekë do të shkojnë në xhepin e tij. Pjesëmarrja e dy firmave të të njëjtit pronar përdoret thjesht për të legjitimuar tenderin e paligjshëm të kryer me vetëm një pjesëmarrës “de facto”.

Çka tregon se nuk ka pasur asnjë konkurrent tjetër përveç Kastratit. Oligarku e ka përfituar kontratën në mungesë të garës, duke u shkelur ligji për prokurimet. Madje edhe oferta e tij është me vlerë 100% sa fondi limit. Ç’është kjo? Asnjë lek nuk i ul shtetit ky biznesmen, edhe pasi e merr tenderin pa garë?

Këto janë rregulla, që nuk zbatohen në asnjë kontratë që fiton Kastrati. Ky ka krijuar monopol dhe, jo vetëm Autoriteti i konkurrencës nuk ndërhyn, por as SPAK nuk po e vë re se po vidhet hapur buxheti i shtetit. Kastrati përcakton vetë çmimet e projekteve, fondin limit dhe procedurën e prokurimit, ndërsa ministret tona dhe kryebashkiakët vetëm firmosin.

Kështu, 11 miliardë lekë të fermerëve do të xhirohen në arkën e Kastratit. Sa nafta do të shkojë nëpër ferma do ta shohim më vonë, sepse ende pa nisur, fermerët pengohen të aplikojnë.