Alpin Gallo: Në aspektin e lojës, skema “Final 4” nuk është e drejtë

SUPERIORE/ Specialisti i futbollit Alpin Gallo analizon sezonin që u mbyll, ka kritika për formulën.

Agron KAJA

Agron Kaja

Edhe pse Abissnet Superiore 2024-2025 ka rreth një muaj që ka përfunduar, disa skuadra ende nuk i kanë marrë pushimet, duke bërë përgatitje të veçanta. Të tjerat “përgatiten në tavolina” për merkaton, dhe për këtë periudhë të “nxehtë”, sepcialisti i futbollit shqiptar Alpin Gallo, se respektohen programet, e njëherësh vazhdohet me projektin për sezonin e ri. “Mendoj se ato skuadra që janë ende në fushë, po respektojnë programet e tyre stërvitore, brënda kontratave që kanë me futbollistët. Por kjo është edhe një periudhë ku trajnerët dhe drejtuesit e skuadrave bëjnë edhe përzgjedhjet e tyre për sezonin e ri, duke parë boshllëqet e mundësitë për kompletimin e tyre. Është një periudhë pune, e cila do projektojë gjithçka u duhet skuadrave për sezonin e ri, sidomos atyre që do luajnë në Europë”, kështu e nisi bisedën Alpin Gallo me gazetën “Telegraf”, i cili më pas u ndal edhe tek treguesit pozitiv dhe ata negativë në ecurinë e garës së sezonit që u mbyll. “Kryesorja e sezonit që u mbyll ishte se kishte një fitues, dhe Egnatia e meritoi titullin kampion. Mendoj se kishte më shumë cilësi dhe kualitet në ekip, ndërsa skuadrat e tjera treguan oshilacione në të katër fazat. Ndërsa skuadrat që zbritën në Kategorinë e Parë, veç oshilacioneve nga faza në fazë, u goditën në eksptrem, duke mos i vlerësuar realisht kapacitetet që kishin. Në tërësinë e tij, kampionati i sezonit që u mbyll ishte me ulej e ngritje për të gjitha skuadrat, por diferencën e bënë kualitetet, pse jo, edhe fati në disa raste”. Për Alpin Gallon, katër skuadrat që do luajnë në Europë për sezonin e ri, duhet të bëjnë plotësime në përbërje, dhe këtu ai e parashikon Egnatian të kalojë disa ture. “Nga katër skuadra tona që do luajnë në Europë, çbesoj se Egnatia duhet të bëjë ndonjë përforcim, sepse me kontigjent duhet të kalojë disa ture. Ndërsa skuadrat e tjera duhet të plotësohen me më shumë kualitete lojtarësh, sepse nuk duhet ta mendojnë Europën si një stacion uikendi”. Në mbyllje të bisedës, specialisti Gallo shprehet edhe për skemën aktuale të Abissnet Superiore. “Personalisht, unë kam qënë i mendimit se kjo skema me “Final 4” nuk është për futbollin shqiptar në aspektin e lojës. Sepse kështu, në dy ndeshje në këtë fazë i humbet gjithë mundin e djersën e sezonit me 36 javë. Nuk është një skemë me përfitime të cilësisë, apo të kualiteteve”, kështu e mbylli dje bisedën me gazetën “Telegraf”, specialisti i futbollit shqiptar Alpin Gallo.

Ndizet merkato, Partizani tenton Malën nga Vllaznia

NOA

Edhe pse sezoni është mbyllur në fushën e lojës, jashtë saj te Partizani janë duke punuar për të formatuar ekipin e sezonit të ri, i cili më parë do të luajë në Europë në turin e parë të Konferencë Ligë. Dhe krahët e sulmit janë pikat kryesore ku Partizani mendon të përmirësohet, ku në këtë pozicion aktualisht luan vetëm Agim Zeka. Por për trajnerin Skënder Gega nuk mjafton, ndaj edhe po kërkohet edhe një tjetër lojtar i fortë në këtë repart. Kështu që një nga opsionet më të forta është Esat Mala i Vllaznisë, i cili më parë ka luajtur edhe me të kuqtë, madje ka fituar titullin kampion nën drejtimin e trajnerit Gega. Aktualisht, 26-vjeçarit i skadon kontrata me Vllazninë, ndërkohë që ai ka vendosur të mos rinovojë kontratën me shkodranët. Kështu që Partizani ka përfituar duke bërë disa lëvizje për ta afruar sulmuesin, por duket se misioni është mjaft i vështirë, sepse Mala po punon për një transferim jashtë vendit. Vetëm në rast se kjo lëvizje do të dështonte.

Arsid Kruja lë Teutën, kthehet në Shkodër

Vllaznia ka arritur dje akordin me lojtarin më të vlerësuar të Abissnet Superiore,

Arsid Kruja. Tashmë ai është zyrtarisht lojtar i Vllaznisë, si përforcim të parë mbrojtësin e krahut të djathtë. Kruja e ka një rikthim në shtëpi, pas përvojës në dy sezone me Teutën në Durrës. Ndërkohë, 31-vjeçari shkodran ishte lojtari më i vlerësuari i Superiores për sezonin e kaluar, sipas “Sofascore” me notën mesatare 7.5. Nëpërmjet një komunikate për mediat, klubi shkodran i futbollit e ka zyrtarizuar këtë lëvizje, duke i uruar merëseardhjen në shtëpi.

Dinamo City përforcon sulmin me Farrukun e Burrelit

Jo vetëm se do marrë pjesë në UEFA Konferencë Ligë, por për ta patur më të kompletuar vijën e sulmit, dje Dinamo City ka mbyllur marrëveshjen me sulmuesin e Burrelit, Florenc Farruku. Ai do të jetë lojtari më i ri i Dinamos, ndërkohë që 23-vjeçari ka qënë në vëz\hgimin e disa klubeve të Superiores, duke qënë si sulmuesi më i kërkuar nga Kategoria e Parë. Ndërsa Dinamo ka përfituar shërbimet e sulmuesit që e mbylli sezonin me Burrelin në Kategorinë e Parë, ku edhe shënoi 16 gola. E veçantë është se në këtë lëvizje, Farruku afrohet si lojtar i lirë në Tiranë, duke qënë edhe më e lirshme kjo marrëveshje e arritur dje mes tyre. Tashmë trajneri Ilir Daja i shton alternativat në sulm para ndeshjeve në UEFA Konferencë Ligë, sepse Dinamo City e mbylli si vend i katërt kampionatin e Superiores 2024-2025. Këtë përforcim e shton edhe largimi i Baton Zabërgjës, i cili kërkohet nga Rubin Kazan në Rusi për 2.5 mln euro.

Stadiumi “Flamurtari” në karantinë, pritet trajneri

Impianti aktual i stadiumit “Flamurtari” në Vlorë po rikonstruktohet, duke ndryshuar pamje që nga tapeti dhe deri te tribunat. Punimet po vijojnë në mënyrë intensive, dhe parashikojnë një fushë të re, tapet i ri dhe rregullime në pjesën e tribunave qendrore. Ndërhyrje do të ketë edhe në tribunën C, ku do jetë diçka krejtësisht e re. Për kohën e përfundimit të tyre, në klubin e futbollit vlonjat nuk kanë dhënë afate, sipas tyre janë gjëra që duan procedurat e tyre. Gjithçka do të jetë gati për nisjen e sezonit të ri 2025-2026, pasi Flamurtari do të jetë pjesë e Abissnet Superiore, një rikthim pas pesë sezoneve në Kategorinë e Parë.  Njëherësh, drejtuesit e klubit vlonjat kanë vazhduar edhe merkaton, kryesisht për trajnerin, ku në fokus janë maqedonasi Qatip Osmani dhe Ernest Gjoka.