Klosi: Disa zyra të kurseve jashtë kontrollit të shtetit

    343
    Qeveria nuk i ka në kontroll të gjitha zyrat që ofrojnë kurse profesionale megjithëse ky profil është prioritar për qeverinë. Shqetësimi është ngritur nga Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi i cili gjatë një takimi me 12 drejtorët rajonalë të Shërbimit Kombëtar të punësimit rezervoi kritika të ashpra për sistemin e zyrave.

    Klosi: “Kemi sot në territorin e Shqipërisë me qindra zyra të vogla që ofrojnë formim profesional jashtë çdo kontrolli.” Ministri Klosi urdhëroi që të mos jepet asnjë vërtetim papunësie nga drejtorët nëse qytetarët nuk figurojnë në listën e kërkesave për punësim.

    Klosi: “Numri i madh i punëkërkuesve të papunë që pasqyrohet te zyrat e Punës, më pas shkon te ndihma ekonomike si një numër fiktiv, shkon te pagesa e papunësisë, shkon te sistemi i pensioneve, te llogaritja e punësisë. Prandaj, zyrat tona të Punës duhet të jenë në ballë të një aksioni të ri për të luftuar informalitetin edhe në këtë sektor.” Ministri i Mirëqënies Blendi Klosi kërkoi që në vitin 2016 të zbatohet plani për të cilat zyrat e punës janë ngritur.
    Sigal