Ismail H. Xhaferri: Pi një gotë për udhëheqësit!

578
Sigal

Pi një gotë për udhëheqësit!

Pi një gotë nga trambuzana,

Nise që nga Ylli Bufi.

Përfundo tek Rama!

 

Pi një gotë për Ylli Bufin,

Pa urrejtje dhe pa duf!

Vërtet ka mbiemrin Bufi.

Por ama s’është fare buf.

Pi një gotë për shokun Ylli,

Dhe në punë të tij ta lëmë!

Dhe kur s’kishte grurë në depo,

Nuk mbeti njeri pa ngrënë.

 

Pastaj pi një gotë për Meksin!

Që me Salën s’bëri paqe,

Koha ishte e trazuar,

Donte burra me mustaqe.

Por, Saliu përveç vetes

Me të tjerët nuk kënaqet,

Sa i lëvizi nga rreshti,

I tha “jashtë” bashkë dhe mustaqet.

 

Kështu Meksin nga Labova

Dhe pse besonte dhe në Krisht,

E vuri Sala në shenjë,

Ndaj humbi si sëpata pa bisht.

Pi një gotë për Fatos Nanon!

Qoftë xhin apo fërnet,

Kur drejtonte qeverinë,

Shteti binte era shtet.

 

Pi një gotë për Fatos Nanon,

Që bëri disa çudi!

Të gjithë ata që i shau

I mori në qeveri.

 

Pi një gotë për Fatos Nanon

Burrin e shkurtër në shtat!

Që PS- në e dorëzoi

Tek nja dy a tre privatë.

 

Pi një gotë për Fatos Nanon,

Kthe me fund shishen me verë!

I vetmi kryeministër,

Që u bë dhëndër dy herë.

 

Tani mik ndale pak frymën,

Mbushe gotën me raki,

Pije sa, më parë me fund,

Pije për shokun Sali!

 

Pije për Saliun, pije!

Që bëri ç’deshi me shtetin,

Mban qoshenë e s’e lëshon,

As ikën e as e heqin.

 

Pije gotën për Saliun!

Punët kurrë në mes s’i le,

O do rrijë atje ku është,

O do ikë bashkë me qoshe!

 

Dhe së fundi kemi Edin,

Që s’i mbaron kurrë lakrori,

Nga pushteti në pushtet,

Tepsi deshi, tepsi mori.

 

Pi një gotë për Edi Ramën!

Që e ka atdheu, të parë!.

Gjeti vend bosh te PS- ja

Dhe shkoi u bë kryetar.

 

Pi një gotë për Edi Ramën

Burrin që qethet me deshtë!

Dhe del në televizor,

24 orë rresht.

Pi një gotë për këta burra!

Që nderuan Shqipërinë,

Ca i bënë të flasin me vete,

Ca të tjerë për në çmendinë.