Rruga, që u dëmtua për shkak të ndërhyrjeve abuzive, vijon të krijojë trafik, gjatë ditëve të fundjavës
Punimet në aksin Vlorë-Radhimë, që pësoi rrëshqitje për shkak të ndërhyrjeve abuzive, siç u raportua zyrtarisht, duhej të përfundonin në fund të qershorit. Kështu u zotua ministrja Balluku gjatë inspektimit të zonës në datë 28 maj. Rezulton se në 28 qershor, ky aks rrugor, jetik sidomos gjatë sezonit turistik, është hapur për automjetet, por punimet duan ende kohë të përfundojnë. Teksa piku i sezonit ende nuk ka ardhur, raportohet se trafiku në aksin Vlorë – Radhimë, është rraskapitës gjatë fundjavës.
Më 28 maj, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, duke inspektuar punimet për rehabilitimin e aksit rrugor Vlorë- Radhimë, i cili kishtë pësuar rrëshqitje për shkak të ndërhyrjeve abuzive, deklaroi:
“Do të vijmë për të parë këtu për 30 ditë të gjitha punimet e mbyllura, edhe trafikun e hapur.”
Disa prej punëtorëve në terren, konfirmuan se punimet po vijonin me intensitet çdo ditë, muri mbrojtës në të djathtë të rrugës, ishte drejt përfundimit, ndërsa punimet për ngritjen e aksit, donin edhe pak kohë të përfundonin.
“Punimet po ecin, muri rrethues është drejt përfundimit, për një javë mbaron, kurse si rrugë, duhen 2/3 muaj të mbarojë.” -thanë punëtorët.
Më 25 qershor, Ministria e Infrstrukturës Balluku, gjatë inspektimit të radhës në këtë aks, konfirmoi hapjen e rrugës, e cila me nisjen e sezonit turistik, shënon fluks të madh automjetesh.
“Shikojmë se vazhdojnë disa punime për sa i përket skarpatave, por megjithatë, çfarë është e rëndësishme është se do të ketë kalim të dy krahëve të trafikut dhe më pas, ditën e hënë, do të përfundojmë të gjithë shtresën asfaltike edhe për krahun tjetër.”-tha zonja Balluku.
Të hënën e 28 qershorit, aksi rrugor është i hapur, ndërsa punimet vijojnë ende. Trafiku bëhet problematik gjatë ditëve të fundjavës, ndërsa ende nuk ka arritur piku i sezonit.