Zef Preçi: Ja veçoritë e “menusë” me amnistinë fiskale, amnistinë në ndërtime, “golden passports”, rikthimin e lojërave të fatit etj

635
Sigal

Politikat ekonomike dhe fiskale/  Pas arrogancës me shpronësimet fshihen interesat e oligarkëve. Ja pse investitorët strategjikë po largohen nga Shqipëria

Ja veçoritë e  “menusë”  me  amnistinë fiskale, amnistinë në ndërtime, “golden passports”, rikthimin e lojërave të fatit etj

 Zef Preçi

Ekspert i ekonomisë

Arroganca duket se ka cënuar veçanërisht sigurinë juridike të pronës, gjë që u shpreh në shpronësimet gjoja për nevoja publike, që në fakt rezultojnë interesa të forta të biznesit të lidhur me qeverinë-oligarkët. Gjatë dekadës së fundit është bërë një fakt i pakthyeshëm largimi nga Shqipëria i investitorëve strategjikë.

Në kohë të ndryshme, gjatë kësaj dekade në mjedisin politik, publik dhe në rrethet e specialistëve të vendit dhe në marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare, qeveria shqiptare ka ofruar një “meny” të pasur të iniciativave ekonomike të saj, duke përfshirë kohët e fundit edhe: amnistinë fiskale, amnistinë në ndërtime, “golden passports”, rikthimin e lojërave të fatit etj.

Për të vlerësuar politika të tilla komplekse të qeverisë, mendoj se duhen marrë në konsideratë faktorë të tillë rrethanorë që lidhen me kuadrin kushtetues të vendit, me klimën e përgjithshme të biznesit, me besimin publik ndaj institucioneve, me marrëdhëniet midis qeverisë dhe opozitës etj. Kështu është një fakt i njohur që amnistia në tërësi, edhe pse nuk ka qenë pjesë e programeve politike të qeverisë së radhës (fiskale, e aseteve etj.) thirret në skenën e debatit politik të ditës, e diktuar nga interesa elektorale (zakonisht në prag zgjedhjesh gjatë dy dekadave të fundit), nga interesat ekonomikë të biznesit të madh (sidomos të asaj pjese të tij që me të drejtë emërtohen si “oligarkë”), etj.

Mirëpo, duke parë performancën ekonomike dhe fiskale të qeverisë, p.sh., dështimin në përmirësimin e klimës së biznesit dhe sidomos në të ashtuquajturën “luftë kundër informalitetit” të shpallur me bujë nga qeveria Rama qysh në mandatin e saj të parë, por me pasoja negative për shtresat më të varfra të popullsisë, duket se qeveria u është drejtuar përvojave tipike për vendet diktatoriale, më me ekonomi mikse, etj., siç është p.sh. “pasaporta e artë”, kontratat shtetërore pa konkurrencë (projekti i dyshimte për Portin e Durrësit), etj. E gjithë kjo po ndodh kur gjatë dekadës së fundit është bërë një fakt i pakthyeshëm largimi nga Shqipëria i investitorëve strategjikë me origjinë vendet e BE-së dhe zëvendësimi i tyre me investitorë turq, arabë, kinezë, ndoshta edhe rusë (kryesisht indirekt përmes palëve të treta) etj.

Të krijohet përshtypja se qeveria është një zyrë llogarie e këtyre oligarkëve, d.m.th., mbledh taksat nga qytetarët – një pjesë e mirë e tyre të varfër apo në prag të varfërisë – dhe i transferon ato në llogaritë e oligarkëve falë disa (PPP), shumica diskriminuese për sektorin publik.

Një tipar tjetër i ndërmarrjes së politikave të tilla nga ana e qeverisë duket se janë bërë marrëdhëniet e komplikuara midis saj dhe kategorisë së bizneseve vendase të llojit oligarkë. E kur flasim për “oligarkë”, fjala është për ato biznese të mëdha, të cilat falë afilacionit politik dhe marrëdhënieve të ngushta me politikanët më të lartë të vendit akaparojnë fondet publike duke mos lejuar konkurrencën, që çon në përdorimin efektiv të fondeve buxhetore, krijojnë burime financiare të rëndësishme për financimin e fushatave elektorale dhe paralelisht me këtë edhe në pasurimin e paligjshëm, pra, të korrupsionit, të politikanëve të rëndësishëm vendimmarrës aktualë dhe në perspektivë. Në këtë mënyrë, viktima e dytë e keqqeverisjes dhe e përfshirjes së oligarkëve në çështjet e drejtimit të shtetit është procesi elektoral, dështimet e të cilit janë bashkudhëtare të zhvillimeve politike gjatë tri dekadave të fundit. Për rrjedhojë, deformimi thelbësor i rolit të qeverisë është aq prezent sa të krijohet përshtypja se qeveria është një zyrë llogarie e këtyre oligarkëve, d.m.th., mbledh taksat nga qytetarët – një pjesë e mirë e tyre të varfër apo në prag të varfërisë – dhe i transferon ato në llogaritë e oligarkëve falë disa kontratave gjoja të prokurimit publik apo më keq akoma të llojit partneritet publik-privat (PPP), shumica diskriminuese për sektorin publik.

Papërgjegjshmëria qeveritare, motivimi i fortë për pasurim i politikanëve dhe i zyrtarëve të lartë dhe besimi i verbër i tyre për përdorimin e kontratave publike si koracë edhe kur cënohen interesat publike është aq i madh sa shumica e këtyre kontratave janë oferta të pakërkuara, me planbiznese të fryra (kujto inceneratorin e Tiranës), u jepen kompanive pa asnjë përvojë në fushën përkatëse dhe pa kapacitetet financiare të nevojshme, për periudha të gjata kohore, u jepen kompanive me pronësi të dyshimte (p.sh., off-shore, kompanive që ndërrojnë pronësi sapo firmosin kontratat multimilionëshe me qeverinë shqiptare etj.). Nuk mungojnë edhe nisma politikash ekonomike e fiskale, për të cilat qeveria gjoja këshillohet me qytetarët (legalizimi i hashashit mjekësor, amnistia fiskale etj.) apo që ua “delegon” lobeve të biznesit, në fakt në kushtet e konfliktit të interesit (p.sh., kuadri ligjor në përgatitje e sipër për rikthimin e lojërave të fatit gjoja për të mbështetur sportin etj.).

Raportime të besueshme të gazetarisë investigative vendase dhe ndërkombëtare si dhe studime të ndryshme të viteve të fundit konfirmojnë edhe rrezikun në rritje të penetrimit të parave që burojnë nga aktivitetet e paligjshme, kryesisht nga trafikimi i narkotikëve dhe nga korrupsioni jo vetëm në ekonominë reale, duke e deformuar dhe penguar zhvillimin e saj, por edhe në infrastrukturën publike, në ndërtimin e kullave qiellgërvishtëse në Tiranë apo resorteve në bregdet, apo në shfrytëzimin e pasurive natyrore strategjike të vendit.

Në këndvështrimin e kësaj analize mendoj se mund dhe duhet të shpjegohen edhe iniciativat ekonomike të fundit të qeverisë shqiptare, si: amnistia fiskale, amnistia në ndërtim, “golden passports” dhe rikthimi i lojërave të fatit etj.

Gjithashtu duhet pranuar edhe se ushtrimi i qeverisjes nga maxhoranca e majtë gjatë dekadës së fundit, edhe pse formalisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, procesi i zbatimit të ligjeve dhe sundimit të tyre në tërësi ka ardhur duke u përkeqësuar. Kjo është aq e vërtetë sa mund të thuhet se kjo qeverisje ka qenë dhe është me kufijtë midis së ligjshmes dhe të paligjshmes. Kjo lloj arrogance duket se ka cënuar veçanërisht sigurinë juridike të pronës, gjë që u shpreh në shpronësimet gjoja për nevoja të zhvillimit të trojeve në Tiranë për t’ua vënë në dispozicion oligarkëve ndërtues klientë të qeverisë apo shpronësimet e tokës bujqësore në bregdetin e Jugut etj. D.m.th., vihet re një tejkalim i dukshëm i parashikimeve kushtetuese të kategorisë së shpronësimeve për nevoja publike, që në fakt rezultojnë interesa të forta të biznesit të lidhur më qeverinë-oligarkët.

Në morinë e politikave ekonomike të dyshimta për motivet dhe interesat e vërteta të qeverisë, mendoj se duhet analizuar edhe amnistia në ndërtim, si lëvizja më e fundit e saj që ngjan si dy pika uji me të ashtuquajturin “Operacioni Forca e Ligjit” (OFL). Siç dihet, ai operacion i ndërmarrë në momentin kur Njësia e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) sapo kishte filluar funksionimin e vet me fokus të drejtpërdrejtë edhe luftën kundër krimit të organizuar. Përfshirje e ekzekutivit në këtë proces, e veçanërisht e policisë së dyshuar për bashkëpunim me krimin e organizuar, përveçse dubloi veprimtarinë e SPAK-ut, solli edhe rezultate kundërthënëse. D.m.th., jo vetëm që subjektet e zbatimit të atij ligji u përzgjodhën në mënyrë selektive duke lënë jashtë hetimit figura të rëndësishme të krimit të organizuar, familjare e persona të lidhur të politikanëve të lartë në pushtet dhe në opozitë etj. Por edhe as që u arrit që të shpronësohen pasuritë e paligjshme, që rrjedhin nga aktivitetet kriminale, e për më tepër që me përfundimin e operacionit këto prona u legjitimuan nga vendimet përfundimtare të gjykatave. Në rastin e amnistisë së aseteve që po zhvillohet këto ditë, duket se mbasi hasi në qëndrimin kundërshtues të organizatave të biznesit dhe institucioneve përkatëse evropiane, qeveria përsosi autoritetin e vet, duke anashkaluar edhe debatin parlamentar për të ecur përpara në këtë proces. Në fakt, tingëllon shumë e çuditshme se si qysh se lejet e ndërtimit në zonat uragane u bënë e drejtë ekskluzive e kryebashkiakëve dhe opozita qëndroi jashtë përfaqësimit në pushtetin lokal (tre vitet e fundit) në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit vihet re një “boom” i vërtetë të ndërtimeve që përveç burimeve të dyshimta të financimit kanë sjellë në “pushtimin” e çdo sipërfaqeje të lirë, duke përkeqësuar kështu edhe cilësinë e jetesës së qytetarëve në to. D.m.th., problemi i vërtetë për qeverinë duhej të ishin ndërtimet me leje, ato që kryebashkiakët kanë dhënë dhe japin çdo ditë deri edhe eksponentëve të njohur të krimit të organizuar… Ndërsa debati për të ashtuquajturin “konfiskim nga qeveria të shtesave të kateve për t’i përdorur ato për nevoja të komunitetit, por me mundësinë që ndërtuesit t’i parablejne ato” etj., mendoj se kemi të bëjmë me një nismë antikushtetuese me një theks të fortë elektoral apo që mundëson gjenerimin e burimeve financiare në favor të fushatës së zgjedhjeve administrative të 2023, nismë që devijon nga roli kushtetues gjykatat dhe që përkeqëson më tej cilësinë e jetesës së qytetarëve, duke legjitimuar paligjshmëritë në ndërtime. Sa i takon përdorimit të këtyre shtesave “në favor të komunitetit”, mjafton të shohësh se si Bashkia Tiranë po kthen në likuiditete 3% që i garanton ligji në ndërtimet e reja për të kuptuar se edhe kjo është shakaja politike e propagandistike e radhës… Pa folur për faktin se duke shfrytëzuar klauzolat ligjore që lejojnë hipotekimin e ndërtimeve qysh në fazën e karabinasë dhe forma të tjera shitjeje, rishitjeje etj., që nuk mund të mos çojnë në dështimin edhe të kësaj “OFL biss”. Ndoshta, edhe heshtja e pakuptimtë e SPAK-ut nën presionin e interesave politike të maxhorancës në administrimin e provave të ofruara nga shtypi, eksponentë të opozitës, masmedia ndërkombëtare etj., dhe kryerjen e hetimeve përkatëse për aferat e mëdha të dyshuara gjerësisht si inceneratorët, duke përfshirë atë të Tiranës, koncesionet në shëndetësi, etj., ka inkurajuar ndërmarrjen e politikave të tilla që lundrojnë midis së ligjshmes dhe së paligjshmes…

Nuk ka dyshim se ekonomia shqiptare po vuan si problemet serioze të keqqeverisjes së brendshme, por edhe ndikimet e zhvillimeve në ekonominë botërore. Po kaq e vërtetë është edhe fakti se masat e analizuara më sipër, pjesërisht apo plotësisht, nuk mund të mos lehtësojnë edhe përfshirjen në ekonominë reale të parave me origjinë veprimtaritë e paligjshme dhe korrupsionin. E në këtë proces, përkeqësimi i funksionimit të konkurrencës në tregje, mungesa e investimeve të huaja direkte nga vendet Perëndimore, përkeqësimi i sundimit të ligjit, problemet strukturore të ekonomisë sonë, intensifikimi i lëvizjes së popullsisë etj. krijojnë terren edhe për rritjen e kriminalitetit në vend. Por faktorët dhe rrethanat social-ekonomike etj., që kushtëzojnë këtë fenomen janë komplekse dhe meritojnë një analizë të posaçme.