Anastas Gurma: Lufta heroike e Brodanit në Sarandë me gjermanët

424
Sigal

Pas datës 22 shtator 1944 pushtuesit gjermanë nuk u futën më në bregdet

 

78 vjet më parë 22 shtator 1944-2022

Më 22 shtator u mbushën 78 vjet nga dita e zhvillimit të luftës së Brodanit, midis forcave partizane dhe pushtuesve nazifashistë në rrethin e Sarandës dhe Delvinës. Kjo luftë ishte një nga luftimet më të suksesëshme të forcave partizane në zonën e bregdetit të Sarandës, ndoshta dhe më gjerë. Në rrethin e Sarandës e Delvinës, në muajin shtator të vitit 1944 vepronin forcat partizane të Brigadës së 12-të dhe 14-të Sulmuese, të mbështetura nga forcat teritoriale të zonës. Forcat naziste gjermane, që vepronin në zonën Sarandë-Delvinë-Bregdet, ishin të inkuadruara në Divizionin e parë malor, i cili ishte pjesë e Korpusit të XXII me qendër në Janinë. Në datën 19 shtator 1944 zbarkon me një nëndetëse në gjirin e Kakomesë një skuadër e trupave ushtarake aleate Angleze, pjesë e Armatës së 8-të Aleate të Mesdheut. Qëllimi i kësaj skuadre ishte për t’u futur në lidhje me komandën e partizanëve që vepronte në këtë zonë. Këtë e deklaroi vetë kapiteni i ushtrisë Angleze i quajtur Aleks, kur kontaktoi me kuadrot e Brigadës së 14-të Sulmuese me qendër në fshatin Shënvasil. Forcat gjermane të disllokuara në Sarandë, patën marrë informacionin e mësipërm për zbarkimin e forcave Angleze në Kakome dhe më datën 21 shtator 1944, nisi në drejtim të Kakomesë një kompani me rreth 200 ushtarë. Lëvizja u bë në rrugë kalimin Sarandë-Qafa e Gjashtës-Brodan-Kakome. Ushtarët e kompanisë gjermane nuk gjetën asnjë gjurmë prej ushtarëve Anglezë, të cilët ishin strehuar e maskuar në pyllin e Brodanit. Në mëngjesin e datës 22 shtator, forcat gjermane nisen për t’u kthyer në Sarandë. Forcat e Brigadës së 12-të dhe 14-të Sulmuese të dislokuara në fshatin Shënvasil dhe rrethinat e tij, mbanin nën vëzhgim lëvizjen e forcave gjermane në Kakome. Mbajtja nën vëzhgim i forcave gjermane bëhej kryesisht nga forcat teritoriale të fshatit Nivicë Bubar dhe Shënvasil. Komanda e forcave partizane, kishte planifikuar se gryka e Brodanit ishte vendi më i përshtatshëm për të goditur e azgjësuar armikun, dhe gjatë natës duke u gdhirë 22 shtatori u organizua luftimi, duke planifikuar futjen në rrethim të kompanisë gjermane. Në këtë luftim, nga forcat e Brigadës së 12-të dhe 14-të Sulmuese morën pjesë 8 skuadra, me një efektiv prej 87 vetash dhe 10 veta nga çeta teritoriale e fshatit Nivicë Bubar. Në mëngjesin e datës 22 shtator nga forcat partizane, u lejua që kompania gjermane të futej në rrethimin e organizuar. Terreni ishte mjaft i përshtatshëm e favorizonte dhe e lejonte këtë veprim të forcave partizane. Në orën 8-00 të mëngjesit, kur trupat gjermane u gjendën plotësisht në unazën e rrethimit të planifikuar, u dha sinjali për zjarr dhe sulm nga të gjitha anët.

 

Forcat gjermane rezistuan për orë të tëra. Në mbështetje u erdhi dhe zjarri i artilerisë me pozicione zjarri në Shijan dhe Beqirefend të Delvinës, por pa sukses. Në orën 14-00 forcat partizane kishin ngushtuar unazën e rrethimit dhe në orën 16-00 forcat gjermane të mbetura gjallë u dorëzuan. Lufta e Brodanit përfundoi me 80 ushtarë gjermanë të zënë rob, ndër ta 5 oficerë, 50 ushtarë të vrarë. U kapën dy kamjonë, një top 120m/m,2 murtaja 81m/m,7 mitrolozë, 137 pushkë, 21 automatikë, 19 revolver, 6 dylbi dhe 9 busulla. Raporti i forcave në këtë luftim, ishte 2 me 1 në favor të forcave gjermane. Forcat partizane dhe ato teritoriale nuk patën asnjë humbje. Suksesi i forcave partizane në këtë luftim, u arrit si rezultat i një organizimi të mirë të luftimit nga komanda partizane, si rezultat i shfrytëzimit në shkallën më të lartë të terrenit, si dhe nga goditja e menjëherëshme dhe e befasishme nga forcat partizane. Niviciotët në shenjë nderimi për këto forca dhe bijtë e fshatit e kanë përjetësuar në vargjet e mëposhtme:  ”Shëndëlli u zu pusia,në Brodan u bë kërdia. Partizanët kur u derdhnë, Niviciot në ndihmë u erdhnë! Zunë e vranë dhjetra gjermanë, ish vërtet një kasaphanë. Zunë topa e makina, oficerë me ulërima. Në çerqe të tjerë ranë, lucës poshtë në liman. Armiku kudo që shkoi, hakmarrjes nuk i shpëtoi.” Pas datës 22 shtator 1944 pushtuesit gjermanë nuk u futën më në bregdet. Kjo datë, 22 shtatori është shenjuar me të drejtë, data e çlirimit të Bregdetit. Në këtë 76 vjetor,kujtojmë me respekt ata që organizuan dhe drejtuan këtë luftim, kujtojmë dhe nderojmë me përulje partizanët pjesëmarrës në këtë luftim, kujtojmë e nderojmë kuadrot e Brigadës së 12-të dhe 14-të Sulmuese. Nderim për dëshmorët.