Mustafa Dednika: Masakra me zonën turistike në ishullin e Zvërnecit

879
Sigal

Besnik Velaj & Ing. Mustafa Dedenika

Brenda kënetës së Nartës, në perëndim, ndodhet ishulli i Zvërrnecit me një sipërfaqe 7 hektarë. Nga kjo sipërfaqe, rreth 6.3 hektarë janë të veshura me drurë pyjorë, kryesisht ato halorë; të tre llojet e selvive, të cilat me harmoninë e trupit të tyre, formojnë një piramidë me bazë pothuajse rrethore. Në hyrje ndodhen 3 vidha fushorë, kurse në perëndim, buzë kënetës, ndodhen drurë të llojit hilqe në tufa. Më në veri ndodhen 3 lisa të llojit rrënjë dhe dy pisha bregdetare. Më në brendësi, në një sipërfaqe prej 0,3 hektarë është e mbuluar me dafina, drurë ornamentalë, dhe aromatikë, por dhe simbolikë e besimeve të ndryshme hyjnore. Jeta këtu është në harmoni midis njeriut, bimësisë me kate, ujërave të detit dhe të Lagunës së Nartës me botën e shpendëve ujorë. Nën pylli është i mbuluar me xina dhe mërsinë, kurse në pranverë dhe në verë këtu gjejnë njëkohësisht strehim e çlodhje shumë shpendë shtegtarë ujorë; si karabullaku dhe çafka. Ishulli i Zvërrnecit është vendi hyjnor, ku këngët për Zotin nga objektet fetare të Manastirit dhe teqesë, këngët për njerëzit dhe për natyrën shkrihen në një. Në hyrje të ishullit është vendosur një monument kulti ortodoks i shekullit XII-XIV, që quhet Kisha e Shën Mërisë, me gjithë 3 ndërtimet në jug e në veri, të cilat shërbenin për strehimin e shërbyesve fetarë dhe të besimtarëve, njëkohësisht gjendej edhe edhe kuzhina për përgatitjen e ushqimeve. Këto ishin të rrethuara me mur guri dhe janë shpallur Monument Kulture që prej kohës kur filloi vlerësimi i objekteve me vlera kulturoro-historike (viti 1956). Themi ishin, sepse tani janë ruajtur vetëm pjesërisht. Fjala është se kjo lënie pas dore dhe ky moskujdes ka bërë që turistët dhe pushuesit të ndjehen të larguar, si të përzënë nga parajsa e shpresës turistike të zonës, ku do të gjenin prehjen dhe parajsën e shpirtit.

Në veri shtrihet një sipërfaqe, pjesë e këtij kompleksi, në të cilën sipërfaqja më e madhe ishte e mbuluar me drurë frutorë si; Fiq, kumbulla, ftoj dhe shegë. Kjo sipërfaqe rreth kompleksit të ndërtimeve kishte madhësinë 0,8 hektarë dhe komunikimi i ishullit me tokën bëhej me 2 varka të vogla prej druri. Deri në vitin 1932, sipërfaqja e Zvërnecit me gjithë pjesën e vlerësuar me frutikulturë (0,7-0,8 hektarë) administrohej nga Kisha Ortodokse, njëkohësisht Manastiri dispononte jashtë këtij territori, në tokat e fshatit Zvërnec, rreth 3 hektarë vreshta dhe një sasi prej 2-3 mijë krerë bagëti të imta. Kurse pjesa tjetër e pyllit administrohej nga organet pyjore, të cilat interesoheshin për trajtimin e nevojshëm të tij. Nga viti 1932-1968, ishulli u administrua nga ish-Ministria e Brendshme, e cila këtu kishte vendosur kundërshtarët politikë të sistemit të përmbysur, në një lloj internimi.

Ishulli në vitin 1992 ishte Objekt Kulti, 7 hektarë sipërfaqe, shpallur Monument Natyre dhe dy objekte kulti, Monument Kulture

Në vitin 1992 ky ishull administrohej nga Shërbimi Pyjor, i cili kishte dhe punëtorë që shërbenin më parë në këtë objekt kulti. Dhe sipërfaqja e ishullit prej 7 hektarë ishte shpallur Monument Natyre të klasifikuar në stilin e peizazhit për variacionin dhe pozicionin e tij të mrekullueshëm. Kurse objektet e kultit, të vendosura në këtë ishull ishin shpallur Monument Kulture. Të 2 këta objekte formonin atë ansambël arkitektonik dhe artificial të shkëlqyer që njerëzit që vijuan ta vizitojnë ishullin e shijonin me kënaqësinë më të madhe. Vizitat në këto objekte bëheshin të planifikuara dhe me leje nga organet pyjore, në mënyrë që të ruhej sa më mirë origjinaliteti i këtij objekti. Hyrja prezantohej me ndërtimet e këtij kulti, kurse hyrja në sipërfaqen e pyllëzuar bëhej nga 2 rrugë këmbësore; në jugë dhe në perëndim që të çonin në dy cekëtina:

-Brenda një kohe të shkurtër kalohej në tre peizazhe të ndryshme, por tepër mahnitëse:

-Tokë me blerim të përjetshëm, qiell të kaltër, ujëra të kristalta të dy deteve përkarshi, Detit Jon dhe atij Adriatik, me Sazanin e Karaburunin “që janë Vatanet tona”. Këtë peizazh e kuriozitet e shtonte më tepër një kishë e shekullit XIII-XIV e emërtuar ‘Kisha e Shën Triadhës’. Nga tërë ky kompleks natyror që shijohej nga 2 rrugicave natyrale, nuk prekej e shkelej asnjë centimetër toke. Mirëmbajtja ishte shembullore, kënaqësia dhe prehja që të ofronte ky ansambël ishte mahnitëse.

Vlora, si gjithë Shqipëria, ka shumë monumente kulture,si kisha, xhamia, ura, kala etj., etj. Ka dhe monumente natyre si grupe drurësh të rrallë me vlera estetike, shembull qëndrese nga faktorët klimatikë, objekte studimi për përhapje dhe qëndrese si dhe me vlera historike. Njëkohësisht të kësaj natyre ka dhe shpella e shkëmbinj. Objekte të kësaj natyre Vlora ka mbi 70.

Kisha Ortodokse po kërkon ta përvetësojë këtë pasuri përrallore duke e quajtur të sajën, duke e quajtur madje edhe tokë greke

Objektet e kultit i mori Kisha Ortodokse nën juridiksion bashkë me sipërfaqen, pemëtore me sipërfaqe 0,7-08 hektarë. Kurse pylli, Monument Kulture, mbeti jashtë vëmendjes së organeve administrative. Kisha Ortodokse do tani ta përvetësojë si pasuri të sajën duke e quajtur madje si tokë greke…!!! Bëri punime restaurimi në godina, ndërtoi urë komunikimi prej druri, por ajo më e keqja dhe pa justifikueshmja është, se prenë tërë pemët frutore dhe sipërfaqen e kthyen në fushë basketbolli dhe volejbolli, ku ngriti kamping për studentët që përgatit për drejtimin e fesë ortodokse! Çdo fe është mike dhe predikon në emër të Zotit edhe për natyrën… por dikush, si segment antishqiptar, duhet të mos marrë nam të keq në Zvërnec. Pretendimet e Kishës Ortodokse se është pronë e tyre, janë absurde ashtu si dhe pretendime të tjera.

Para shumë kohësh dikush nga të njohurit tanë nga Tirana na tha: “Nesër, vij me një grup zviceranësh, njohës të florës dhe faunës, specialistë të ambientit, Kam menduar t’i çojmë në bregdetin e Zvërnecit dhe në ishullin e tij., prandaj përgatituni për t’u shpjeguar çfarë kërkojnë”. Ashtu bëmë. Që në fillim e ndjemë veten shumë ngushtë. Tek ish-kampi i pionierëve, pylli i kumeve, rruga e shkatërruar, drurë të prerë, kolibe të ndërtuara si mos më keq. Duhej kundërgaz për të kaluar deri tek ish-kompleksi industrial Sodë-PVC. Kjo gjendje është krijuar këta 30 vjet tranzicion, pasi kjo zonë ka qenë perlë e vërtetë.

Në të dalë kur morëm rrugën e kthimit, i them mikut tim: “Pyeti, se ç’përshtypje kanë”. Ata thanë: “Vendi është i bukur, por pis, me shumë plastmasë, jo për qendër pushimi”.

Qeverisja Vendore duhet të marrë masa ligjore për ta mbrojtur këtë Monument të Natyrës që është perlë e Zvërnecit dhe Shqipërisë dhe një vend i lakmueshëm për turistët

Vlera e Monumentit të Kulturës (Manastiri) do të ishte tepër e vogël dhe e papërfillshme, vizitat do të ishin të kufizuara në specialistë dhe besimtarë, nëse tërë mjedisi i këtij ishulli mahnitës nuk do të ishte ky Monument Natyre, edhe Manastiri nuk do të ishte këtu për vetë kërkesat e kohës. Është fjala për shumë turistë që udhëtojnë për në Zvërnec dhe shumë zvërneciotë që mund të merren me industrinë e turizmit. Për këtë arsye duhet që qeverisja vendore të marrë masa ligjore të tilla që:

  • Zvërneci të mos jetë vend pushimi për studentët e teologjisë, por për mbarë rininë,
  • Të rehabilitohet pjesa që ka qenë me drurë frutorë,
  • Komunikimi me ishullin të bëhet me varka sipas një itinerari të caktuar,
  • Ura që ndërton kisha duke derdhur paranë lumë, çdo 5-6 vjet, të mos bëhet, pasi ajo prish origjinalitetin e Monumentit në fjalë,
  • Nga organet që administrojnë Monumentin e Kulturës të vendosen tabela orientuese në shtigjet e kalimit të këmbësorëve.

Zvërneci është një bukuri e “paqethur” hyjnore, është shumë herë më i veçantë, më tërheqës, më cilësor në krahasim me vendet më të bukura të të njëjtës natyrë; në Maqedoni, Bullgari, Rumani. Vendet si Zvërneci për nga pasuria kulturore dhe natyrore na afrojnë me Evropën dhe ky është një mesazh i qartë për qeveritarët. Ka ardhur koha që raportet e qeveritarëve me vende të tilla hyjnore të turizmit elitar si Zvërneci, të ndryshojnë për mirë. Ishulli i Zvërnecit fatkeqësisht është lënë si në vitet 1952-1968 e, ndoshta edhe më keq. Pushteti lokal me investime duhet:

  • Të rrisë kujdesin për energjinë,
  • Në hyrje dhe dalje të ishullit të vendosen stola për vizitorët dhe kosha për mbeturina,
  • Nga specialistët të shikohet restaurimi i bërë e ajo që duhet bërë për godinat e Monumentit të Kultit.

Shteti nuk duhet të jetë kaq i nënshtruar ndaj kërkesave të kulteve fetare, kur ato nuk janë të drejta, por të shohë dhe realitetin shqiptar, me vlera të papërsëritshme si Zvërneci turistik. Themi se ka ardhur koha të thërresim të gjithë së bashku:

“Mirë se vini në Zvërnec!”