Inxh. Niko NASKA: Siguria e digave ujëmbledhëse dhe tërmetet

1164
Sigal

Inxh. Niko NASKA

Në vendin tonë janë ndërtuar shumë diga ujëmbledhëse të tipeve, llojeve, madhësive e klasave të ndryshme. Pjesa më e madhe e numurit të tyre janë ndërtuar para vitit 1985. Vetëm 2% e digave ujëmbledhëse shërbejnë në sektorin energjitik për prodhimin e energjisë elektrike, 1% shërbejnë për problemet komunale (furnizim me ujë), 4% janë diga dambash, dhe 93% janë diga të sektorit të bujqësisë. Nga numuri i përgjithshëm i digave 45% i tyre konsiderohen diga të mëdha sipas vlerësimit të ICOLD-it (Komisioni Ndërkombëtar i Digave të Mëdha). Në kushtet dhe situatat konkrete kërkohet vlerësimi i sigurimit sizmik të digave ujëmbledhëse.

Ekzistojnë dy raste, të cilat kërkojnë vlerësimin e sigurisë sizmike të digave ekzistuese :

  • Kur ndodhë një tërmet i fortë dhe aparaturat kanë rregjistruar lëkundje të forta në digë apo inspektimi pas tërmetit ka zbuluar disa dëme.
  • Kur kriteret e projektimit sizmik ose kriteret e performancës sizmike kanë ndryshuar në :
  • Vlerësimin e rrezikut sizmik
  • Në metodën e analizës sizmike.
  • Në sjelljen dinamike të materjaleve etj.

Kështu gjatë jetëgjatësisë së saj, digës i bëhen disa analiza sizmike duke rivlerësuar sigurinë sizmike të saj. Siguria sizmike e një dige përfshin katër elementë:

  1. Sigurinë strukturore:
  • T’i rezistojë forcave sizmike pa dëme.
  • Aftësi për të absorbuar forcat e larta sizmike nga deformimet (hapja e nyjeve dhe çarjeve në beton, lëvizjet e nyjeve në themele, karakteristikat e deformimit jo elastik të materjaleve).
  • Stabiliteti ( rrëshqitje, përmbysje).
  • Modelimi i digës sipas gjendjes aktuale.
  1. Monitorimi i sigurisë së digës:
  • Instalimi i instrumentave të lëkundjeve të forta të digës dhe themelit.
  • Vëzhgimi vizual dhe inspektime pas çdo tërmeti.
  • Analiza dhe interpretimi i të dhënave, të cilat mund të përdoren për kontrollin dhe kalibrimin e modeleve llogaritse të përdorura në projektimin antisizmik të digës. Përdoren për monitorimin e aktivitetit sizmik të gjithë rajonit në afërsi të digës.
  1. Siguria operative:
  • Grafikët , rregullat dhe udhëzimet operacionale për fazën pas tërmetit.
  • Stafet me përvojë dhe të kualifikuar për mirëmbajtje etj.
  1. Planifikimi i rasteve të emergjencës sizmike:
  • Paralajmërimi në kohë i popullatës që banon në luginën e poshtëme të digës ( “Alarmi i ujit”)
  • Plani i hartës dhe evakuimit të përmbytjeve.
  • Sigurimi i hyrjes në digë dhe në rezervuar pas një tërmeti të fortë.
  • Aftësia e uljes së ujit të rezervuarit pas një tërmeti të fortë.
  • Ndalimi ( fikja) e centralit të prodhimit të energjisë elektrike etj.

Për vlersësimin e rezikut sizmik kërkohet analiza e të gjitha rreziqeve të mundshme. Kjo mund të bëhet më mirë duke përgatitur një “ Matricë reziku” për sejcilën digë, për sejcilën strukturë të saj, duke marrë në konsideratë  edhe pasojat e elementëve të dëmtuar të cilët mund të shkaktojnë rreziqe dytësore. Lëkundjet sizmike prekin të gjitha strukturat e ndërtimit (mbi dhe nëntokë) prandaj ato duhet të mbeten të sigurta pas çdo tërmeti. Qëllimi kryesor i konceptit të sigurisë sizmike të digave është:

  • Minimizimi i të gjitha reziqeve.
  • Administrimi i rezikut të mbetur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Për të arritur këto dy synime është i nevojshëm një koncept gjithëpërfshirës i sigurisë së digës. Shqetsimi kryesor për sigurinë është prishja e një dige dhe lëshimi i pa kontrolluar i ujit të rezervuarit me pasoja përmbytjeje (humbje të jetës, dëmi ekonomik, dëmi mjedisor, etj). Prandaj për vlerësimin e rezikut sizmik të një dige rezervuari duhet analizuar për situatën më kritike të tij, analizë e cila përcakton kriteret e tërmetit të projektimit ( tërmetin maksimal të besueshëm MCE, tërmetin maksimal i dizajnit MDE, etj) të shoqëruara me përformancat përkatëse. Zgjedhja e llojit të tërmetit projektues apo kontrollues, zgjatja e periodës së përsëritjes varet nga tipi i digës, rëndësia e saj, sizmiciteti i zonës, pasojat nga shkatërimi i mundshëm i saj. Përgjithësisht perioda e përsëritjes për nivelin e tërmeteve MDE (Tërmete maksimale projektimi) merret 10000 vjet për diga shumë të rëndësishme, që kanë potencial dëmtimi të madh. Duke patur në konsideratë normat sizmike bashkëkohore europiane që u referohen ndërtesave (Eurokodi 8 – pjesa e parë) tërmeti i projektimit konsiderohet me një periodë mesatare përsëritje prej 475 vjet. Prandaj për rastin e një dige me periodë mesatare përsëritje 10000 vjet, shumica e ndërtesave dhe objekteve në rajonin e digës ujëmbledhëse ( të projektuara për tërmete me periodë mesatare përsëritjeje 475 vjet) mund të dëmtohen rëndë ose të shkatërohen plotësisht. Sot, shqetësimi kryesor ka të bëjë me sigurinë sizmike të digave ekzistuese, të cilat ose nuk janë projektuar kundër tërmeteve ose janë ndërtuar duke përdorur kritere projektimi dhe metodat e analizave të konsideruara të vjetëruara aktualisht. Prandaj, nuk është e qartë nëse këto diga plotësojnë kriteret e sotme të sigurisë sizmike. Ekziston nevoja që të kontrollohet , rivlerësohet dhe azhornohet siguria sizmike e digave ekzistuese dhe të përdoren metodat moderne të vlerësimit të rezikut sizmik në përputhje me udhëzimet e dhëna në buletinet e  ICOLD-it( Komisioni Ndërkombëtar i Digave të Mëdha). Brenda strukturave të ICOLD-it është krijuar “Komisioni për aspektin sizmik të projektimit të digave”. Në buletinet periodike të botuara nga ky komision jepen udhëzimet përkatëse për:

  • Inspektim të digave pas tërmeteve.
  • Zgjedhja e parametrave sizmik për digat e mëdha.
  • Neotektonika dhe digat.
  • Vëzhgimi sizmik i digave.
  • Dizenjimi i veçorive të digave për t’i rezistuar në mënyrë efektive lëvizjes sizmike të tokës.
  • Dizenjimi i tërmetit dhe vlerësimi i strukturave që lidhen me digat.
  • Rezervuarët dhe sizmiciteti etj, të cilat mund të përdoren për normat, standartet e projektimit , zbatimit, mbikqyerjes, kontrollit e kolaudimit që do të hartohen me ligjin e ri, pas tërmetit të 26 nëntorit  2019, sipas porosive të dhëna nga Presidenti I Republikës në grupin e punës të ngritur pas pasojave të këtij tërmeti.