Qemal Lame: Gjykimi i Trump tregoi për rrezikun e demokracisë së brishtë

193
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi akuzën kundër zotit Trump, më 13 janar 2021. Votimi erdhi një javë pasi turma pro-Trump sulmoi Kapitolin. Në vazhdim, Senati ameriakn, më 13.02.2021, përfundoi gjykimin dhe vendosi të deklarojë të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump, nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.  Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Në këto kushtet nuk u arritën dy të tretat, 67 vota të senatorëve. Për të dytën herë brenda 12 muajve, nuk arrihet që ai të deklarohet fajtorë nga Senati. Trump është presidenti i tretë në histori ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza për ta shpallur fajtor, i pari ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza të tilla dhe gjithashtu i pari që përballet me një gjyq në Senat pas largimit nga detyra. Deri më sot Senati ende nuk ka shpallur fajtor ndonjë president ndaj të cilit ngrihen akuza nga Dhoma e Përfaqëasuesve.Akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve janë të ngjashme me një akuzë penale dhe gjykimi nga Senati ishte po ashtu një gjykim penal i zhvilluar nga senatorët. Ligjërisht Trump deklarohet i pafajshëm. Vendimi i Senatit ka fuqi të menjëhershme vepruese. Ai vazhdon të gëzojë mbrojtjen e privilegjet si ish-president dhe nuk kufizohet në asnjë të drejtë kushtetuese e ligjore, përfshirë edhe kandidimin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në rast se ai do të dëshërojë të jetë përsëri një konkurent.

Gjykimi u zhvillua për akuzat e bazuara në nenin e parë të Kushtetutës dhe tregoi vlerat demokratike e njëkohësisht rrezikun potencial të një demokracie të brishtë amerikane. Prandaj ka rëndësi njohja e përmabjtjejes së gjykimit dhe detyrat që dalin për të ardhmen.

1. Ka rëndësi të kuptohet dhe vlerësohet se Trump është e mbetet politikisht, praktikisht dhe moralisht përgjegjës për nxitjen e mbështetjen e rebelimit dhe pasojat e shkaktuara me provokimin e ngjarjeve 6 janarit dhe të tubuarve për sulmin ndaj Kapitolit. Ishte dhe u vërtetua qartë edhe në gjykim, se personat që sulmuan atë ndërtesë ishin të ndërgjegjësuar me besonin se po vepronin në bazë të dëshirave dhe udhëzimeve të presidentit të tyre, për mbrojtjen e votave të pretenduara se ishin vjedhur, për të ndërprerë çertifikimin zyrtar në Kongres për fitoren e zotit Biden. Përgjegjësia është direkte për rrezikun e jashtëzakonshëm që përballuan ligjëvënësit, përleshjen e demonstruesve me policinë e vogël në numër, hyrjen në sallat solemne të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, aktet vandale të kryera, vdekjen e pesë personave, nga të cilët një polic, largimin e detyrueshëm e me shpejtësi të ligjvënësve dhe të zëvendëspresidenti të për në një objekt të sigurt brenda perimetrit të Kongresit. Presidenti qëndroi pasiv duke parë në televizor dinamikën e ngjarjeve. Në këto rrethana, ai dëshmoi se ” braktisi qëllimisht detyrën si komandant i përgjithshëm”.

2. Drama në Senat u zhvillua në sfondin e ndarjeve të thella në linja politike, në planin racor dhe socio-ekonomik, ndërkohë që vendi është goditur rëndë nga pandemia. Gjyqi solli një luftë të mëtejshme partiake, edhe pse Presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën në 20 janar ka premtuar shërim dhe unitet pas katër viteve të trazuara të paraardhësit të tij në pushtet, si dhe të një fushate elektorale të tensionuar për ruajtjen dhe vazhdimin me çdo kusht për të dytën herë të presidencës. Demokratët vendosën të mos i ndryshojnë planet për ta vazhduar procesin, pavarësisht se e dinin se kjo mund të hidhte hije mbi javët e para tepër të rëndësishme të presidencës Biden. Demokratët synonin që ai të mos lejohej të kandidonte përsëri për një post publik federal. Zoti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, prandaj ishte e qartë se ngritja e akuzës për nxitje rebelimi kundër tij nuk do të përdorej dot për heqjen e tij nga detyra. Demokratët kishin shpresuar që, duke e shpallur ish-presidentin fajtor ta mbanin atë përgjegjës për sulmin në Kapitol, si dhe të përgatisnin terrenin për ta ndaluar atë që të shërbejë përsëri në një post publik. Duke pasur parasysh mundësinë që zoti Trump të vijë përsëri në një post publik në të ardhmen, argumentuan ata, ai nuk do të hezitonte të inkurajonte përsëri dhunën politike. Zoti Donald Trump, 74 vjeç, vazhdon të mbajë nën kontroll partinë e tij me kredon populiste të djathtë dhe mesazhin “Amerika e para”. Ai ka shqyrtuar mundësinë për të kandiduar përsëri për president në vitin 2024. Për këtë qëllim, vazhdon politikën populiste se “Amerika është e para”, ruan të njejtin qëndrim si më parë për 6 janarin dhe akuzon demokratët për gjykimin e tij duke thënë se ishte një fazë tjetër e “gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit tonë”.

3. Presidenti Trump kërkohej nga demokratët që të dënohej për të garantuar sigurinë e demokracisë dhe popullit amerikan. Turma e 6 janarit veproi sipas udhëzimeve të zoti Trump dhe me miratimin e tij. Ish-presidenti dështoi të mbrojë ligjvënësit dhe ish-nënpresidentin e zgjedhur nga ai vetë. Për këto arësye, argumentohej se: “Nëse kjo nuk përbën një bazë për fajësim, nëse ky nuk është një krim i rëndë dhe si dhe një akt i paligjshëm kundër republikës si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë asgjë tjetër nuk mund të jetë. “, theksoi Prokurori kryesor demokrat, ligjvënësi Jamie Raskin. Avokatët e zotit Trump, kanë argumentuar se gjyqi nuk duhej të ishte mbajtur, sepse zoti Trump nuk ishte më në detyrë dhe thanë se komentet e tij në fjalimin që i parapriu trazirave ishin të mbrojtura nga amentamenti i parë i Kushtetutës. Michael van der Veen, një nga avokatët e zotit Trump, tha se ndaj klientit të tij nuk po zhvillohej një proces i rregullt dhe se zoti Trump nuk kishte nxitur dhunë. “Pavarësisht se po shohim pamje me të vërtetë të tmerrshme lidhur me sjelljen e protestuesve kjo nuk ndryshon faktin që zoti Trump është i pafajshëm për akuzat kundër tij”, tha ai. “Akti i nxitjes nuk ka ndodhur kurrë”.Demokratët kanë hedhur poshtë ato argumente, duke përfshirë dhe pohimin se ndaj ish-presidenti nuk u zhvillua një proces i rregullt ligjor.

4. Nuk u arrit të sqarohej qëllimi i nxitjes dhe roli i zotit Trump në sulmin e dhunshëm në Kapitol. Këto motive ishin të domosdoshme që qartësoheshin vetëm nga presidenti i cili kishte detyrimin kushtetues dhe moral të përgjigjej para senatorëve. Por presidenti zgjodhi të mos e bëjë dhe refuzoi publikisht kërkesën e prokurorëve të çështjes për të dëshmuar në gjyqin e tij.

5. Procesi gjyqësor u ndal papritmas të shtunën në mëngjes, më 12.02.202. Madje senatorët dukeshin të hutuar për hapat e ardhshëm. Gjatë gjykimit u kërkua të pyeteshin dëshmitarë të tjerë në mbrojtje të akuzës. Senati arriti një marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë të tjerë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump duke i hapur rrugë paraqitjes së argumenteve përmbyllëse. Por fillimisht Senati u përfshi nga paqartësitë mbi këtë çështje. Senatorët votuan për të vlerësuar mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në gjyq. Një ligjvënëse republikane e Dhomës së Përfaqësuesve kërkoi të dëshmonte në lidhje me një telefonatë të nxehtë gjatë ditës së trazirave mes zotit Trump dhe udhëheqësit të pakicës së kësaj dhome Kevin McCarthy. Presidenca e zotit Donald Trump me arritjet e gabimet katastrofike, siç i cilëson Presidenti i Ri Joe Biden, akuzat nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Gjykimi nga Senati përbëjnë një përvojë që kërkon të analizohet me përgjegjësi dhe të nxirren detyra edhe nga drejtuesit shtetërorë të Shqipërisë, Presidenti, Kryeministri, Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, etj. Parim themelor mbetet respektimi dhe mbrojtja me të gjitha mjetet e Kushtetutës dhe vullnetit të popullit dhe pavarësisë së tre pushteteve: legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor. Çdo nënvleftësim apo vendim në kundërshtim me të, kërkohet të dënohet me rreptësi dhe fajtorët pushtetarë të përgjigjen para ligjit. Të parandalohen e të dënohet çdo dhunë ndaj institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të tyre. Jemi në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme më 25 prill 2021. Nga këto zgjedhje kushtëzohet ripërtëritja e institucioneve të larta kushtetuese, ekzekutive dhe të drejtësisë së pavarur. Përvoja e kaluar problematike mënjanohet me vlerësimin e votës së lirë dhe dënimin e menjëhershëm e me rreptësi të çdo rasti të fallsifikimit, blerjes së votës, manipulimeve me zgjedhësit, etj. Edhe vetë zgjedhësit të ndërgjegjësohen për votën që do tu japin partive dhe kandidatëve të tyre që meritojnë të drejtojnë në katër vitet e ardhshme.