Vetëm 35 qindarka diferencë, çfarë fshihet pas tenderit të Albcontrol?

Një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Albcontrol për mbulimin e shpenzimeve të kontrollit mjekësor të Kontrollorëve të Trafikut Ajror ka tërhequr vëmendjen për shkak të diferencës minimale mes fondit limit dhe ofertës fituese, si edhe procedurës së përdorur për dhënien e kontratës.

Sipas dokumenteve të tenderit, objekti i kontratës është “Mbulimi i shpenzimeve për kontrollin mjekësor për Kontrollorët e Trafikut Ajror”, me një fond limit prej 6,666,667 lekësh pa TVSH.

Sigal

Fituese është shpallur kompania SALUS TIRANA sh.a., e cila ka paraqitur një ofertë prej 6,666,666.65 lekësh pa TVSH. Diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është 0.35 lekë, ose 35 qindarka, çka do të thotë se kontrata është dhënë pothuajse në vlerën maksimale të fondit të parashikuar.

Nga të dhënat e publikuara rezulton se procedura është zhvilluar me formulën “me negocim, pa njoftim”, pa organizimin e një gare të hapur.

Në procedurë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, SALUS TIRANA sh.a., i cili është shpallur edhe fitues i kontratës.

Në dokumentacionin e procedurës thuhet se fituesi është përzgjedhur sipas kriterit të ofertës ekonomikisht më të favorshme bazuar në çmim.

Megjithatë, fakti që në procedurë ka marrë pjesë vetëm një ofertues ka ngritur diskutime mbi nivelin e konkurrencës dhe mundësinë e krahasimit të ofertave për të siguruar përdorimin sa më efikas të fondeve publike.

Deri në publikimin e një sqarimi zyrtar nga Albcontrol, mbeten të hapura pyetjet lidhur me arsyet e zgjedhjes së procedurës “me negocim, pa njoftim”, si dhe me diferencën minimale prej 35 qindarkash mes fondit limit dhe ofertës fituese.