Taksat, Banka Botërore: Shumë barrë fiskale dhe burokraci

649
Sipas Bankës Botërore, aktualisht Shqipëria renditet në vendin e 142 ndër 189 vende të botës për nga vështirësia në pagesën e taksave, ndërsa nëse krahasohet me ekonomitë e ngjashme të rajonit, rezulton të ketë sistemin e dytë më të vështirë duke lënë pas vetëm Bosnjen. 
Banka Botërore vëren se kjo renditje negative është rezultat i numrit të lartë të pagesave, kohës që kërkohet, por edhe barrës tatimore. Më konkretisht, në raportin e fundit “Doing Bussines”, banka thotë se një biznes në Shqipëri duhet të bëjë 34 pagesa në vit për taksat dhe të harxhojë plotë 357 orë për mbylljen e tyre.Por, veç procedurave burokratike, vitin e fundit, sipas Bankës Botërore treguesi i pagesës së taksave u përkeqësua edhe nga rritja e shkallës tatimore. Në raport Banka Botërore vëren se Shqipëria e bëri pagesën e taksave më të kushtueshme për kompanitë për shkak të rritjes së tatimit mbi fitimin. Sipas saj, nëse vjet një biznesi në Shqipëri i duhej të paguante në shtet mesatarisht 31.4 përqind të fitimit total në formën e taksave, këtë vit shuma u rrit në 36.5 përqind. 
Në rajon kjo është norma më e lartë, përveç Greqisë, ku ndërmarrjet paguajnë si taksa mesatarisht 49 përqind të fitimit. Në ekonomitë e tjera fqinje, barra e taksave luhatet nga 12.9 deri në 23.3 përqind.
Sigal