Shteti të çlirojë bizneset

743
Sigal

Dhoma e Tregtisë/Propozimet e sipërmarrjeve private për partitë politike

 Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë me kryetar zotin Nikolin Jaka zhvilloi një takim ditën e djeshme për nevojën e sipërmarrjeve në treg. Në takim u vu në dukje që kryesia e saj në bashkëpunim me aktorë të tjerë të sipërmarrjes private, e ndjejnë si një detyrim respektimin e rolit që ka sipërmarrja private në zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Duke e trajtuar në këtë kontekst kërkojmë përfshirjen në programin e formacioneve politike që aspirojnë mandatin e ardhshëm qeverisës, si më poshtë:

Kërkesat për përfshirje në programet elektorale si dhe zbatimi i tyre nga qeveria e ardhshme:

1. Shlyerja e detyrimeve të qeverisë ndaj sipërmarrjes private në të gjitha fushat e ekonomisë ku ekziston kjo marrëdhënie..

2. Rimbursimi i TVSH-së, akcizave si dhe të gjithë taksave të tjera që buxheti i shtetit mund ti ketë sipërmarrjes private gjate ushtrimit te aktivitetit te saj brenda afatit 3 mujor. Kjo te realizohet duke bere ndërhyrjet e nevojshme ligjore.

3. Heqja e barrierave dhe taksave të fshehura që pengojnë promovimin e produkteve Made in Albania për eksport.

4. Heqja e sistemit të referencave ndaj sipërmarrjes private për import -eksport me të gjithë vendet e BE-së.

5. Heqja e sistemit të referencave ndaj sipërmarrjes private në sistemin fiskal.

6. TVSH jo më e lartë se 10 për qind për produktet bujqësore, blegtorale vendase si dhe shërbimet turistike.

7. Hapja e bankës ekonomike për zhvillim me fokus kreditimin e sipërmarrjes private me tarifa të reduktuara.

8. Heqja e TVSH-së për të gjithë makineritë dhe pajisjet që i nënshtrohen skemës së rimbursimit të TVSH-së dhe që i shërbejnë aktivitetit të sipërmarrjes private.

9. Aplikimi i TVSH-së në të gjithë qarkullimin tregtar duke hequr kufirin e ndarjes së bizneseve.

10. Platformë e qartë lidhur me trajtimin e kredive të këqija deri në ngrirjen e tyre për një afat dy vjeçar.

11. Lidhur me transportin rrugor kërkohet:

a. Heqja e TVSH-se për abonentë dhe biletat.

b. Heqja e akcizës për karburantin.

c. Rimbursimi në kohë i transportit të të gjithë kategorive të qytetarëve që përfitojnë me ligj fiskal këtë shërbim

d. Rishikimi i çmimit të biletës urbane duke përdorur metodën e krahasimit me vendet e rajonit (Maqedoni, Mali i Zi, Kosovë).

12. Heqja e TVSh-së për të gjithë artikujt që shërbejnë si lëndë e parë për prodhimin e plastmasit dhe produkteve të tjera që janë në shërbim të sektorit bujqësor .

Sugjerimet për promocionin e biznesit

1. Hartimi dhe përgatitja e menaxhimit territorial duke përcaktuar qartë sektorët prioritarë të ekonomisë së vendit për investim dhe zhvillim.

2. Partneritet i qëndrueshëm publik privat. Ngritja dhe funksionimi i institucionit të dialogut dhe konsultimit. Konsultim paraprak, eficient dhe me fuqi vendimmarrje në sektorin privat duke rritur rolin e KKB-së për çdo nismë ligjore që ka karakter ekonomik.

3. Përjashtimi nga tatim fitimi për tre vitet e para për sipërmarrjet e reja.

4. Përjashtimi nga dividenti për tre vitet  e para për sipërmarrjet e reja.

5. Qëndrueshmëri e legjislacionit fiskal duke garantuar parimin e sigurisë juridike për sipërmarrjen private. Çdo akt normativ apo urdhër që cenon aktivitetin e sipërmarrjes private duhet të konsultohet paraprakisht jo më pak se gjashtë muaj me grupet e interesit.

6. Garantimi i infrastrukturës rrugore, energjetike, ujësjellës kanalizime për të gjithë investimet fillestare.

7. Aplikimi i sistemit (vlerësim performance) për sistemin tatimor doganor me indicie nga sipërmarrja private si dhe matja e performancës të inspektorëve të kontrollit fiskal me rezultatet e procedurave gjyqësore të fituara apo të humbura.

8. Strukturimi i sistemit tatimor për qarkun e Tiranës, duke u shndërruar në zyra shërbimi tatimore në varësi të dendësisë së biznesit.

9. Politika të përcaktuara qartë dhe efikase lidhur me sistemin e punësimit në përgjithësi dhe të të rinjve në veçanti:

a. Rimbursimi i çdo punësimi të ri në sipërmarrjen private për tre muaj nga ana e qeverisë.

b. Heqja e ngarkesës fiskale mbi pagat për çdo punësim të ri për një periudhë tre vjeçare me kusht që afati i kontratës të jetë jo më pak se gjashtë vjet, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga kodi i punës për zgjidhjen e kontratës.

c. Ngritja, funksionimi dhe financimi i qendrave të trajnimit nga qeveria shqiptare brenda strukturave të Dhomave të Tregtisë (duke aplikuar sistemin gjermano- austriak) për: trajnimin, kualifikimin dhe përshtatjen e burimeve njerëzore të diplomuara dhe të padiplomuara dhe përfshirjen e tyre në sektorin privat.

d. Përcaktimi me ligj ku 20 për qind e stafit me arsim të lartë të sipërmarrjes private duhet të trajnohet çdo vit si dhe 10 për qind e stafit teknik profesional.

e. Përjashtimi nga çdo ngarkesë fiskale për sistemin e vetëpunësimit.

10. Mundësimi për eksport i të gjithë produkteve ushqimore drejt vendeve të BE-së brenda një periudhë 12 mujore.

11. Të merren masat për zbatimin e ligjit urbanistik lidhur me ndërtimet pa leje brenda vitit 2013.

12. Të merren masa të rrepta nga qeveria shqiptare lidhur me mbrojtjen e mjedisit duke respektuar standardet e bashkimit evropian në investimet e kryera.

13. Të merren masa nga qeveria shqiptare që brenda vitit 2013 të miratohen të gjitha planet rregulluese të bashkive dhe komunave në të gjithë territorin e Shqipërisë.