Shqipëria, vendi i fundit në Ballkan për lidhjet ekonomike me botën

552
Sigal

Ballkani Perëndimor vijon të mbetet një nga rajonet më të dobëta për sa i përket lidhjeve të forta ekonomike me shtetet e tjera të botës. Edhe pse janë bërë hapa pozitive përgjatë viteve të fundit, sipas raportit të Bankës Botërore, sërish shtetet fqinje duke përfshirë dhe vendin tonë nuk kanë arritur nivelin optimal në marrëdhëniet ekonomike dhe të investimeve me vendet më të zhvilluara në rang botëror.

Më konkretisht duke iu referuar raportit më të fundit të Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, të publikuar disa ditë më parë, rezulton se aktualisht Serbia është e para në këtë zonë për lidhjet më të forta ekonomike me vendet e tjera, duke u vlerësuar me 82 pikë.

Shqipëria nga ana tjetër mori 75 pikë duke u renditur poshtë në Rajon. Duke krahasuar shifrat e BB, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen në nivel mesatar në rang global për lidhjet ekonomike me pjesën tjetër të botës, por shumë ulët në krahasim me mesataren e pjesës tjetër të Evropës dhe Azinë Qendrore.

Kjo sugjeron një nevojë që traktatet e tregtisë dhe investimeve të thellohen më tej për uljen e burokracive dhe tarifave, në mënyrë që mjedisi i investimeve të bëhet më tërheqës. Plani shumëvjeçar i veprimit të Ballkanit Perëndimor 2017 për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale siguron një plan për zgjerimin e lidhjes në tregti, investime, mobilitetit dhe ekonomisë digjitale.

Një angazhim i vendosur për të avancuar reforma të tilla do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë një lidhje të balancuar ekonomike me pjesën tjetër të botës. Banka Botërore sugjeron se, në lidhje me tregtinë, përveç përmirësimit të infrastrukturës fizike dhe përafrimit të tarifave, Ballkani Perëndimor duhet të krijojë një dritare të vetme për të reduktuar barrierat dhe të përmirësojë tregtinë ndërkufitare.