Studentët në protesta: Nuk tërhiqemi pa rrëzuar qeverinë

775
Sigal

Studentët bëhen gati për protesta të reja: Mbi 90% e kërkesave nuk janë plotësuar, Kryeministri Rama na mashtroi

Opozita që i proteston në derë sa herë që mblidhet Parlamenti në seancë plenare, apo në tubimet periodike para Kryeministrisë të nisura që prej 16 shkurtit, duket se pak e ka shqetësuar Edi Ramën. Të paktën nisur nga agjenda dhe aktivitetet e takimet publike ku shefi i Qeverisë është përqendruar më fort. Njëra prej tyre është ndjekja e zbatueshmërisë në terren të “Paktit për Universitetin”, i cili lindi pas tetë kërkesave të shqiptuara në protestën studentore të dhjetorit 2018 dhe janarit 2019, por që u modifikua nga Qeveria duke i shtuar disa pika të tjera. Pikërisht zbatueshmëria në terren e këtyre kërkesave duket se shqetëson më shumë kreun e Qeverisë.

Ai ka promovuar sidomos pikën e këtij pakti që punëson në administratë studentët që kanë përfunduar studimet me rezultate ekselente pas 2017-ës, temë për të cilën është hapur edhe portali punëtëmbarë.al. Postimet kushtuar kësaj teme në rrjetet sociale i ka më të shpeshta. E përbashkëta e tyre është ftesa për studentët me mesatare të lartë që të aplikojnë për një nga vendet bosh në administratë, megjithëse Kryeministri nënkupton se për këtë po shkelet ligji për shërbimin civil. Në total bëhet fjalë për 1 mijë vende të tilla dhe deri më tani janë plotësuar mbi 370. Për këtë premtim të bërë në kulmin e protestës së studentëve, Rama është brenda afatit të vendosur, që është maji i këtij viti. Por, ka disa premtime të tjera të pambajtura, e për të cilat afatet e vendosura janë tejkaluar.

Mosmbajtja e këtyre premtimeve ka rritur pakënaqësinë mes studentëve, ku zërat për t’u rikthyer në rrugë e sheshe për të protestuar nuk mungojnë. Kjo u reflektua më 1 prill, në aktivitetin e Kryeministrit Rama në Qytetin Studenti ku do të prezantonte bibliotekën digjitale. Ai u prit me pankarta ironizuese në hyrje. “Gëzuar 1 Prillin Edi Rama” ishte njëra prej parullave thumbuese. Paralajmërimi është dhënë. Një përfaqësi e këshillave studentorë të Universitetit të Tiranës, “Aleksandër Moisiu” në Durrës, “Fan Noli” i Korçës, “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, Universiteti i Mjekësisë, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor përmes një deklarate informojnë se kanë marrë në shqyrtim paktin për Universitetin të prezantuar nga Qeveria dhe kanë vërejtur se nuk janë plotësuar kërkesat. Ata thonë se mbi 90 % e kërkesave ose nuk janë plotësuar ose janë deformuar dhe plotësuar pak, pasi përgjysmimi i tarifave duhej të ishte bërë në janar 2019, ndërsa tarifat për masterin nuk janë ulur, pavarësisht nga premtimi i qeverisë. Mes të tjerash nuk janë krijuar sajtet që duhet të bënin transparencën e buxhetit në Universitete dhe për kartën e studentit nuk është bërë asnjë hap. Këto “sinjale” janë ato që duket se po “trembin” Edi Ramën më shumë sesa protesta e opozitës.

Pasi mashtroi studentët, Rama fillon fushatën e sulmeve kundër Rektorit të Universitetit të Tiranës

Për të zbutur zemërimin e të rinjve për mosrealizimin e një pjese të mirë të kërkesave të tyre Rama thotë, se jo e gjithë përgjegjësia bie mbi të. Një pjesë të mirë të fajit ai ua faturon drejtuesve të universiteteve dhe në shënjestër të akuzave ka përfunduar për të disatën herë Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. “Biblioteka digjitale është gati, por ju nuk e hapni dot bibliotekën digjitale. Shkaku është Rektorati i Universitetit dhe Rektori i Universitetit. Në gjithë këtë histori, ju jeni si ata që pinë kafe në anën lindore të Berlinit, që çdo gjë e kërkoni nga Qeveria, ndërkohë që kjo është pjesë e keqadministrimit të Universitetit të Tiranës nga ana e Rektoratit dhe Rektorit. Problemet mbarten, sepse nuk kanë lidhje me ligjin, por me shpërdorimin e autonomisë. Studentët shkojnë tek Ministria, ndërkohë që shumë nga ato pika të protestës nuk e kishin adresën tek Ministria e Arsimit”, deklaroi Rama gjatë një bashkëbisedimi me studentë e pedagogë, të mbajtur ditën e mërkurë.

Kryeministri akuzoi Mynyr Konin se po u shmanget përgjegjësive dhe detyrave që ka, një akuzë e përsëritur për herë të tretë, por me përforcimin se Qeveria nuk përjashton shkarkimin e tij. “E vetmja gjë që nuk ka pësuar asnjë lëvizje në asnjë drejtim nga gjithë ajo që u krijua nga protesta e studentëve është xhaketa e rektorit të Universitetit të Tiranës, se ka ndodhur se s’ka ndodhur protesta i vetmi që nuk ka asnjë shqetësim. Është e vërtetë që ka një raport shumë problematik për rektorin. Ju e dini si është procedura. Nëse ministrja e Arsimit ka të drejtë të kërkojë shkarkimin e tij, e bën për 30 ditë, kohë që i jepet Presidentit për të vendosur nëse e pranon apo jo këtë gjë. Unë nuk e përjashtoj që kjo të ndodhë”, shtoi kreu i Qeverisë.”

Mynyr Koni i kthehet Ramës: Akuza tendencioze e të paprecedent

Përmes një deklarate të gjatë ai hedh poshtë akuzat e ngritura kundër tij, ndërsa thotë se ata që po shkelin ligjin janë dekanët, në bashkëpunim e me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit. Dekanët, që Koni i Rendit në krah të Kryeministrit Edi Rama janë ai i ekonomikut, Dhori Kule, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha dhe ai i Gjuhëve të Huaja. Rektori i Universiteti të Tiranës thotë se po sulmohet për ta penguar që të zbardhë abuzimet e paraardhësit të tij në krye të këtij institucioni. Ai hedh poshtë raportin e MARS dhe kërkon që të nisë sa më parë një auditim financiar për 10 vitet e fundit në UT.

Letër e hapur drejtuar pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës. Si dhe mbarë opinionin publik

Kur dëgjon dhe sheh Kryeministrin në takime me lista të porositura të personave që duhet të marrin pjesë në to dhe me pyetje të parapërgatitura nga stafi i tij, dhe që në mënyrë të vazhdueshme, merret, fyen dhe përpiqet të fajësojë për çdo gjë dhe në çdo drejtim vetëm Rektorin e Universitetit të Tiranës, vetvetiu të lind pyetja. Cili është në fakt qëllimi që, në një kohë kur Shqipëria ka 12 universitete publike, sulmohet në mënyrë kaq tendencioze, të pareshtur, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe në asnjë provë konkrete vetëm Rektori i Universitetit të Tiranës? Si është në fakt e vërteta?”, thotë ai.

  • Rama thotë, se pakti nuk është as program elektoral, as dokument i përgjithshëm, por çështje angazhimesh konkrete që kërkojnë bashkëpunim.
  • Kryeministri këmbëngul se kërkesat e studentëve mund të plotësohen brenda ligjit aktual për arsimin e lartë.
  • Por, shfuqizimi i këtij ligji ishte një prej kërkesave kryesore të protestës studentore. Kjo kërkesë nuk përfshihet në paktin për universitetin, por studentët deklaronin se plotësimi i 8 kërkesave të tyre rrëzon automatikisht ligjin në fjalë.