Shëndetësia dhe Arsimi në agoni, paratë  i rrëmbejnë koncesionet

384
Sigal

 Me propozim të qeverisë dhe miratim të Parlamentit me mandat të skaduar, votohet shkurtimi i buxhetit në shëndetësi dhe arsim në vlerën e 24 miliardë lekëve. Kjo shumë do t’i bashkohet 177 miliardë lekëve të tjera të marra borxh dhe do të përdoret për të paguar faturat e koncesionarëve dhe mirëmbajtjes së rrugëve

 

Qeveria dhe së fundmi Komisioni i Ekonomisë në Kuvend, ka miratuar një akt normativ në kundërshtim me ligjin organik të buxhetit, duke rritur deficitin buxhetor në 120 miliardë lekë, nga 108 miliardë lekë, që ishte në ligjin e buxhetit 2021.

Ndryshimet emergjente në buxhetin e shtetit 2021 që qeveria i bëri me akt normativ, në thyerje të Ligjit Organik të Buxhetit, shkurtojnë fondet për shëndetësinë dhe arsimin dhe rrisin fondet për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Fondin dhe e Zhvillimit, që kryesisht bën investime në infrastrukturë.

Tabelat që shoqërojnë ndryshimet në buxhet të miratuara tashmë edhe nga Komisioni i Ekonomisë në Kuvend, i kanë shkurtuar me 1 miliard lekë ose 9 milionë euro fondet për Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas ndryshimeve të fundit fondet total për Ministrinë e Shëndetësisë arritën në 70.4 miliardë lekë nga 71.4 miliardë që ishin me ndryshimet në aktin normativ të majit 2021.

Reduktimi i fondeve ishte më i fortë për Ministrinë e Arsimit. Ndryshimet e fundit e pakësuan buxhetin me 3.6 për qind, duke i çuar fondet totale për arsimin në 40.7 miliardë nga 42,2 miliardë lekë që ishin me ndryshimet e majit të këtij viti.

Në të kundërt fondet për infrastrukturën shënuan rritje të fortë. Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës shënoi rritje me 14% më ndryshimet e fundit, duke arritur 56.8 miliardë lekë nga 49.8 miliardë lekë që ishin në ndryshimet e fundit në muajin maj. Gjithashtu buxheti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit u rriten me 22 për qind, duke arritur në 17.7 miliardë lekë nga 14.5 miliardë që lekë që ishin më parë.

Fondet për infrastrukturën në total u rriten me rreth 82 milionë euro, ndërsa fondet për arsimin dhe shëndetësinë u shkurtuan me rreth 20 milionë euro. Fondet për arsimin u shkurtuan me rreth 12 milionë euro dhe fondet për shëndetësinë me 8 milionë euro.

Qeveria dhe së fundmi Komisioni i Ekonomisë në Kuvend, ka miratuar një akt normativ në kundërshtim me ligjin organik të buxhetit, duke rritur deficitin buxhetor në 120 miliardë lekë nga 108 miliardë lekë që ishte, në ligjin e buxhetit 2021. Por Ministria e Financave dhe  Kuvendi i Shqipërisë i argumentuan ndryshimet, duke cituar nenin 101 të kushtetutës, që lejon ndryshime në buxhet për shpenzime që lidhen me situata të emergjencës.

Mirëpo shpenzimet shtesë që në një masë të madhe do të financohen me borxh të ri, duke shkelur parimet themelore të buxhetimit, nuk lidhen me emergjenca. Përveç vaksinave që kushtojnë rreth 2.4 miliardë lekë, pjesa tjetër e fondeve prej më shumë se 100 milionë eurosh, që gjenerohen nga rritja e borxhit, do të shkojnë për ndërtimin e teatrit të ri, unazës së madhe dhe tunelit të Llogarasë, të cilat nuk kanë lidhje me emergjenca, por janë financime shumëvjeçare.

Fondet për blerjen e vaksinave qeveria i nxori, nga shkurtimi që i bëri buxhetit total të shëndetësisë dhe arsimit me rreth 3.4 miliardë lekë, ose rreth 1 miliard lekë më shumë se nevojat për blerjen e vaksinave (fondi për vaksinat ishte rreth 2.5 mld lekë).