Rritet prodhimi i fruta-perimeve, mungesa e tregut, falimenton fermerët

Fieri, Dibra, Kukësi, Berati, Korça, Elbasani, etj., të bekuara me shumëllojshmëri perimesh e frutash

 

2020, prodhimi i perimeve u rrit me 3%, frutat me 0,4%. Ndërkohë që fushat janë plot me produkte bio, qytetarët në tryezat e tyre, paguajnë çmime të kripura për produkte bazë të sezonit

NOA

Gjatë sezonit të prodhimit  frutat dhe perimet e shumëllojshme presin të dalin në treg. E megjithatë, rruga për të arritur deri atje, duket të jetë e gjatë. Çdo vit përsëritet e njëjta situatë,ku prodhimet hidhen në tokë, pasi nuk gjejnë dot mundësi për t’u shitur.

Duke qenë se ende shteti nuk ka krijuar mundësi dhe kushte frigoriferike për mbrojtjen dhe mos çuarjen dëm të tyre, një nga mënyrat do ishte krijimi i një tregu të përbashkët me vendet përreth si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi , Serbia. Të merret përsipër nga shteti që një pjesë e mirë e prodhimit vendas, të jetë kusht në prokurimet që bëhen nga shkolla, konvikte, reparte ushtarake, hoteleri etj..Në këtë mënyrë do të lehtësoheshin hoteleritë nga ulja e taksave dhe fermerët nuk do detyroheshin të hidhin në lumë prodhimet.

Përballë kësaj situate aktuale, nëse fermerët nuk vadisin serat me ujë dhe nëse nuk gjendet treg, prodhimi do të prishet dhe dëmi për këta fermerë, do të jetë i pashmangshëm.

Ndërkohë që fushat janë plot me produkte bio, qytetarët në tryezat e tyre paguajnë çmime të kripura për produkte bazë të sezonit si, domate dhe kastraveca. Pyetëm disa fermërë, ata shprehen se mezi po ia dalin të ndajnë koston me prodhimit dhe shitjes, pasi i shesin shumë lirë. Sakaq konsumatori, i blen shumë herë më shtrenjtë.

Prodhimi

Prodhimi i frutave dhe perimeve shënoi rritje të zbehtë vitin e kaluar edhe pse eksportet për dy grupet shënuan rritje dyshifrore. Në vitin 2020, prodhimi i perimeve është 1.295.726 tonë, duke shënuar rritje vjetore me 2,99 %, krahasuar me vitin 2019. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 506.531 tonë, Berat me 131.735 tonë dhe Tiranë me 130.001 tonë. Në grupin e perimeve të njoma, kulturat përfaqësuese, janë domatja me 35,79 %, kastraveci 12,99 % dhe speci 11,78 %. Në perimet e thata, qepa e thatë përfaqëson 85,59 % ndaj prodhimit gjithsej, ndërsa në prodhimin e bostanoreve shalqini përfaqëson 83,22 % të prodhimit. Prodhimi i perimeve në serra përfaqëson 21,81 % të prodhimit gjithsej të perimeve nga ku 50,86 % e këtij prodhimi i përket Qarkut Fier.Në vitin 2020, prodhimi në serra është rritur me 5,18 %, krahasuar me një vit më parë, qarku me përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve në serra ndaj prodhimit të perimeve gjithsej, është Berati me 64,81 % dhe Fieri 28,37 %, përqindja më e ulët është shënuar në qarkun Korçë dhe Dibër me 0,16 % dhe 0.35 %.

Frutat 

Prodhimi i drufrutorëve përfaqësohet nga prodhimi i pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe rrushit. Prodhimi i pemëve frutore në vitin 2020 është 273.749 tonë. Niveli më i lartë i prodhimit të pemëve frutore u arrit në qarkun e Korçës me 82.007 tonë pasuar nga qarqet Elbasan me 38.470 tonë dhe Fier me 33.829 tonë. Grupi i pemëve frutore me farë zë 44,41 % të prodhimit, peshën kryesore në këtë grup e zë prodhimi i mollëve me 84,03 %. Qarku i Korçës zë 83,14 % të prodhimit të mollëve gjithsej në vend. Prodhimi më i lartë për pemët frutore arrore është shënuar në Qarkun e Kukësit, peshën kryesore e zënë arrat me 43,69 %, pasuar nga gështenjat me 37,46 %. Në vitin 2020, u prodhuan 131.971 tonë ullinj, duke shënuar rritje me 34,24 % krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Fierit me 35.854 tonë, pasuar nga qarqet Berat me 33.082 tonë, dhe Elbasan me 22.764 tonë. Varietetet e ullirit për vaj përfaqësojnë 82,22 % të prodhimit total dhe varietetet e ullirit për tavolinë, përfaqësojnë 17,78 %.