Acromax, lidhjet e forta me PS-në për fshirjen e artikujve në rrjetet sociale

1055
Sigal

Nga Alice Elizabeth Taylor 

Acromax Media, e cila është akuzuar se censuron postime kritike ndaj qeverisë në mediat sociale, mohoi se punon për ndonjë parti politike, pavarësisht se më herët ata kishin pranuar të kundërtën në një komunikim me një gazetar të Exit News.

Në një deklaratë zyrtare dërguar Exit News këtë javë, kompania deklaron se “pronari i vetëm [i saj] është zoti Aldor Nini” dhe se “Acromax Media konfirmon se nuk kryen shërbime për parti politike […]”. Ky mohim kategorik është në kontrast të madh me pranimin që kompania ka bërë në muajin gusht 2019 për një gazetar të Exit News.

Në një bisedë në Facebook Messenger mes gazetarit të Exit dhe Ninit, gazetari e pyeti nëse Acromax punon “drejtpërdrejt ose indirekt për Edi Ramën ose Erion Veliajn, dhe a ka kryer ndonjëherë ndonjë punë që përfshinte synimin për të hequr nga internet material, faqe apo profile të njerëzve kritikë ndaj tyre [Ramës dhe Veliajt]?”

Në përgjigje, Nini konfirmoi se Partia Socialiste (PS) ishte klient i tyre. “E vetmja marrëdhënie biznesi që kemi është me partinë politike PS…”, u përgjigj ai.

Nini më pas renditi punët që kompania bënte për partinë në pushtet. Ato përfshinin bllokimin e përdorimit të paautorizuar të materialeve të partisë të mbrojtura nga të drejtat e autorit, siç janë fotot dhe videot; bashkëpunimin me Facebook-un për të raportuar lajme të rreme për anëtarët e PS-së; dhe përdorimin e sistemeve të automatizuara që kërkojnë dhe sinjalizojnë për lajme të rreme duke përdorur fjalë kyçe.

Kur Exit e pyeti nëse PS i kishte bërë kërkesa specifike Acromax-it për të shënjestruar postime të caktuara, Nini përsëri konfirmoi se ata punonin për PS-në dhe madje ofroi një listë të artikujve të hequr nga interneti. “Ndoshta do të ishte më mirë t’ju dërgojmë një listë të të gjitha artikujve ndaj të cilëve kemi marra masa në emër të PS-së […],” pohoi Nini.

Në vijim ai i komunikoi Exit News-it se “ekipi” i tij po përgatiste listën e artikujve, dhe e dërgoi atë duke thënë “Kjo është lista e plotë e lidhjeve [artikujve] të raportuara në emër të PS-së nga kompania jonë për shkak të shkeljeve të të drejtave të autorit ose për lajme qartësisht të rreme.”

Megjithëse lista përmbante vetëm katër artikuj, ndërsa akuzat kundër Acromax-it janë për një numër shumë më të madh, komunikimi me gazetarin e Exit News tregon se pavarësisht mohimit të fundit të kompanisë, PS është vërtet një klient i Acromax Medias.

Acromax është akuzuar nga një numër në rritje i gazetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile se kompania u heq apo u bllokon foto, video apo faqe në rrjetet sociale pasi ato e njerrin Partinë Socialiste ose drejtues të saj në një drejtë jo fort të mirë. Kompania e ka mohuar këtë, duke thënë se ata veprojnë vetëm kundër lajmeve të rreme dhe shkeljeve të të drejtës së autorit. /Exit.al