Panariti vizitë zyrtare në Itali, për projekte të reja në fushën e bujqësisë

735
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti do të zhvillojë nga data 22-23 tetor, një vizitë zyrtare në Itali, ku do të takohet në Romë me Drejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, (Food and Agriculture Organization of the United Nations) Jose Graziano Da Silva dhe me zj. Marina Sereni, Zv/Presidenten e Parlamentit italian, për konkretizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.

Burime nga ministria e Bujqësisë bënë të ditur se, gjatë kësaj vizite, ministri Panariti do të vizitojë një nga kooperativat më të mëdha të duhanit në Itali, Fattoria Autonoma di Tabacco, si dhe do të takohet me përfaqësuesit e saj për të parë mundësinë e realizimit të një projekti, për t’u ardhur në mbështetje kultivuesve të duhanit në zonën e Dumresë. Gjatë takimeve do të trajtohen çështje që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe në fushën e bujqësisë.

Ndërsa në datën 22 tetor, ministri Panariti do të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për nder të tij nga Universiteti i Peruxhias, që i ka dhënë titullin akademik “Doktor Honoris Causa” në mjekësi veterinare. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, me këtë rast do të mbajë një fjalim. Universiteti i Peruxhias është një ndër universitetet më të vjetra në Evropë i themeluar në vitin 1308. Në vitin 2014 – 2015, u shpall si universiteti më i mirë ndër universitetet më prestigjioze të Italisë. Po këtë vit, ky universitet i dha titullin “Doktor Honoris Causa” në financë, Presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.
Sigal