Nisin tenderët për materialet për zgjedhjet e 30 qershorit

282

Kur skena politike e vendit po shoqërohet ditë pas dite me zhvillime dinamike që kulmuan me djegien e mandateve të opozitës duket se, një tjetër temë e nxehtë do të bëhet pjesë e saj në vijim. Zgjedhjet vendore të programuara më 30 qershor 2019 pritet të hapin të tjera debate mes palëve politike, raporton Monitor. Por ndërkohë që “stuhia” mes mazhorancës dhe opozitës jashtë Parlamentit vijon, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procedurat e prokurimit për të siguruar materialet që do të përdoren në këto zgjedhje. Dy procedurat e para duket se janë blerja e bojës “timbruese” (shënjuese). Referuar dokumenteve kjo bojë duhet të ketë një sërë karakteristikash si;

  • të jetë e dukshme me shikim të lirë,
  • të mos hiqet të paktën për 24 orë,
  • të ketë efekt të menjëhershëm, me ngjyrë të zezë.

Po kështu boja duhet të jetë

  • e padëmshme për organizimin si dhe
  • e pacenueshme nga agjentët atmosferikë.

Fondi limit për këtë procedurë është caktuar në 12.1 milionë lekë. Një tjetër procedurë e hapur po nga KQZ është ajo për blerjen e vulave (kodeve) të sigurisë për zgjedhjet vendore të këtij viti. “Vulat me kodet e sigurisë që do të përdoren në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 30 qershor 2019 të jenë të reja, me ngjyrë të bardhë dhe me numër unik 6-shifror. Vulat me kodet e sigurisë rezervë që do t’u dërgohen qendrave të votimit, të jenë të reja dhe të kenë ngjyrë të verdhë” thuhet në dokumentet e bëra publike nga KQZ dhe që sqarojnë specifikat e procedurës. Për këtë procedurë, fondi limit në dispozicion është 26.2 milionë lekë. Subjektet e interesuara do të duhet që të paraqesin ofertat e tyre lidhur me ketë procedurë deri në 28 mars 2019, pasi ky është afati që ka lënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.