1 milion shqiptarë jetojnë dhe punojnë në Evropë. Ja shtetet

524
Sigal

Eurostat: Ja ku jetojnë dhe punojnë rreth 1 milion shqiptarë në Evropë

Emigrantët shqiptarë “pushtojnë” Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë

Emigrimi drejt vendeve të Evropës në kërkim të një jete më të mirë ka qenë një karakteristikë e qytetarëve shqiptarë prej vitesh tashmë. Që nga fillimi i tranzicionit demokratik të fillimi viteve ’90, tek eksodi tjetër i ’97, duke ardhur në ditët e sotme, numri i shqiptarëve që janë larguar nga vendi ka mbetur gjithnjë i lartë. Faktikisht sipas asaj që raporton Instituti Evropian i Statistikave, në vitin 2018, numri i shqiptarëve rezidentë në një nga vendet e Bashkimit Evropian ishte 990,372. Ndërkaq, pjesa më e madhe e tyre janë të përqendruar në shtete fqinje, si Itali e Greqi. Numri i emigrantëve shqiptarë në Itali ishte 440 mijë. Ndër të huajt atje, 12% e zënë ata me shtetësi shqiptare. Emigrantët shqiptarë kanë një peshë të konsiderueshme edhe në Greqi, teksa në cencusit e fundit atë të 2011-s, numëroheshin rreth 480 mijë emigrantë shqiptarë. Sipas Eurostat për vitin 2018 numri i emigrantëve në Greqi ishte 604 mijë, ku pjesa më e madhe janë shqiptarë. Më pas, me një diferencë të konsiderueshme nga Greqia dhe Italia, renditet emigrantët në Gjermani, rreth 49,224 individë. Pjesa tjetër e emigrantëve jetojnë në Belgjikë (6,146), Suedi (2,889), Austri (2,563), Zvicër 1867, Holandë 1084. Ndërsa në vendet e tjera të Bashkimit Evropian jetojnë mbi 5000 individë. Emigrantët në raport me popullsinë ndër vendet anëtare të Bashkimit Evropian variojnë nga 1% në vende si Kroacia, Bullgaria, Hungari, në 7% në vende si Gjermania. Përqindjen më të lartë e ka qytet-shteti i Lihtenshtejnit, ku rreth 16% e popullsisë ka një tjetër nënshtetësi jo EU. Një numër i konsiderueshëm emigrantësh nga Shqipëria, drejt vendeve të BE-së është rritur gjatë viteve të fundit, kjo për shkak të shtimit të kërkesave për azil nga qytetarët tanë. Sipas shifrave zyrtare të Eurostat, në total, për periudhën 2009-2018, numri i aplikimeve për herë të parë për azil nga shqiptarët 178,515 aplikime, duke u renditur vendi i parë i Evropës për nga numri i lartë i azilantëve. Gjithashtu, në raport me popullsinë Shqipëria renditet e para në botë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil në BE. Sipas raportimeve vendet e preferuara të azilkërkuesve shqiptarë janë Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.