Ministri,Ervin Mete: Gati rritje pagash për shëndetësinë, mbrojten dhe rendin

15
Sigal

Sfida për të arritur në nivelin e pagave mesatare në vlerën e 900 eurove u konsiderua këtë të hënë nga ministri i Financave, Ervin Mete si “një stacion dhe jo një destinacion”. Deklarata e ministrit u bë gjatë një dalje televizive ku Mete shpjegoi edhe kategoritë që do të përfitojnë rritje page që nga kjo stinë e kësaj vere 2024 dhe se rritja do të fokusohet tek punonjësit e shëndetësisë, rendit mbrojtjes, arsimit mbështetës në ministri dhe funksionet zbatuese. Ministri i Financave u shpreh se kjo rritje tregon momentin e mirë që po kalon ekonomia shqiptare. Ndër të tjera gjatë kësaj interviste ai tha: “Synojmë që brenda muajit prill të mund të detajojmë rritjen për sektorë të caktuar. Kemi synim që paga mesatare prej 900 euro të jetë një stacion dhe jo një destinacion final. Në vazhdimësi mund të ketë një mbështetje të mëtejshme sa i përket pagave në sektorin publik”, deklaroi ministri. Ministri bëri të ditur se nuk do të ketë rritje page për ministrat, deputetët dhe funksionarët e lartë. “Për punonjës të nivelit të lartë nuk parashikohet të ketë këtë vit një rritje tjetër. Rritja për ta u realizua një vit më parë”, sqaroi ministri Mete. “Disa funksione, si specialistët, që një vit më parë nuk kanë përfituar apo kanë përfituar rritje page prej 7%, këtë vit do të vijojnë me rritje page 20-30% në varësi të pozicionit”, tha ndër të tjera gjatë një dalje televizive ministri i financave.