KLSH: Hekurudhat e falimentuara, borxhi arrin vlerën e 5 milard lekë

635
Sigal

Kontrolli i Lartë i Shtetit, Departamenti i Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja, në zbatim të programit të Auditimit Nr.415/1 Prot., datë 07.06.2019, ushtroi auditim përputhshmërie në Hekurudha Shqiptare SHA, Durrës, për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2018 më datën 30.05.2019.

 

Në përfundim të auditimit rezultuan shkelje organizative, shkelje me pasoja financiare, si dhe shkelje në mospërputhje me parimet e efiçiencës, ekonomicitetit dhe efektivitetit.

Në funksion të përmirësimit të gjendjes në këtë shoqëri, Grupi i Auditimit rekomandoi;

–    35 masa organizative,

  • 5 masa shpërblim dëmi në shumën gjithsej 8,187,000 lekë,
  • 1 masë shpenzime jo në përputhje me parimet e ekonomicitetit, efiçencës dhe efektivitetit në shumën 10,953,875 lekë, si dhe 2 masa disiplinore.

Gjithashtu, gjetjet dhe rekomandimet e auditimit iu përcollën Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

Më konkretisht, po rendisim disa nga shkeljet kryesore:

 

  • Performanca e treguesve ekonomiko-financiare për periudhën objekt auditimi, si dhe detyrimet e prapambetura ndaj të tretëve, kredi afatshkurtër e afatgjatë, për principial dhe interesa, fatura për blerje etj., pasqyrojnë qartazi jo vetëm një̈ krizë të mprehtë likuiditeti të Shoqërisë Hekurudha Shqiptare, por vazhdimësia në këto tregues performance për një periudhë të gjatë po e çon shoqërinë drejt falimentimit.
  • Problematikë e konstauar në funkionimin e kësaj shoqërie është transporti hekurudhor privat. Moszbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore nga transportuesit hekurudhor privat që operojnë në rrjetin hekurudhor pronë e Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” sh.a, sjell një risk të lartë dhe mund të cënojë sigurinë e lëvizjes së trenave, të jetës së udhëtarëve dhe të mallrave, të ruajtjes së pronës, mbrojtjes së mjedisit dhe shfaq një rrezik potent në ecurinë e veprimtarisë së vetë shoqërisë.
  • Po ashtu, shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sh.a, Durrës nuk ka kryer likuidimi në kohë të detyrimeve për kohë qëndrimin e vagonëve të huaj. Konkretisht për periudhën 01.01.2018 deri me 31.05.2019, detyrimi i Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” sh.a, Durrës ndaj hekurudhave të huaja është në vlerën 3,560,884 euro ose 439,498 mijë lekë dhe nga moskryerja e pagesave në kohë vlera e penalitetit të akumuluar është në shumën 476,545 euro.

 

Në përfundim, vlerësojmë se Shoqërisë Hekurudha Shqiptare SHA nuk i është dhënë vëmendja e duhur në lidhje me  investime shtetërore, për më tepër që është e vetmja shoqëri në Republikën e Shqipërisë me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtareve, ashtu si i është dhënë  infrastrukturës rrugore.

Në këto kushte, vlerësojmë se lind nevoja e ndërhyrjes emergjente me një strategji të mirëfilltë dhe një plan konkret masash, me fokus të veçantë stimulimin e transportit të mallrave dhe përmirësimin të lidhjeve të strukturave hekurudhore me ato portuale.