Kallëzim penal për ish-nënpunësit e METE për lejet e Koncensioneve Energjitike

744
Sigal

Me urdhër të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, Auditi i Brendshëm ka kryer një kontroll të plotë mbi rregullshmërinë e dhënies së koncesioneve për periudhën qershor-shtator 2013.

Në përfundim të auditimit janë konstatuar shkelje të rënda ligjore, shkelje të cilat përmbajnë elementë të figurave të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim dhe atë të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Për këto shkelje, raporti i auditimit konstaton se mbajnë përgjegjësi shtetasit Dardan Domi, ish-Sekretar i Përgjithshëm në ish-METE (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës) në cilësinë e Kryetarit të Vlerësimit të Ofertave dhe Andi Cerma, ish Përgjegjës i Sektorit të Lejeve të Koncesioneve Energjetike në ish-METE, në cilësinë e Kryetarit të Njësisë së Hartimit të Dokumenteve. Për këta dy shtetas është kërkuar fillimi i ndjekjes penale për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe atë të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 258 e 25 të Kodit Penal.

Auditi investigoi rregullshmërinë për procedurat përzgjedhëse e konkurruese për dhënien me koncesion për 14 hidrocentrale, për të cilat kanë përfunduar procedurat konkurruese dhe janë lidhur kontratat me koncesionarët për ndërtimin e tyre. Auditi evidentoi se sistemi i procedurës konkurruese ka shfaqur mangësi si në fazën e përpilimit dhe të miratimit të dokumenteve standarde të procedurës konkurruese; në fazën e publikimit të ftesës për ofertë; ashtu edhe në fazën e vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit.

Nga auditimi i materialeve të dosjeve të zhvillimit të procedurave përzgjedhëse të 14 koncesioneve të mësipërme, në të gjitha fazat e tyre janë kryer veprime dhe mosveprime që janë në kundërshtim me ligjin për Koncesionet dhe vendimin e qeverisë për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve.