Jeta e fëmijve pas divorceve po shndërrohet në ferr

538
Sigal

Rritja e nivelit të papunësisë dhe largimi në emigrim i baballarëve pas zgjidhjeve martesore ka rritur numrin e mosshlyerjeve të pensioneve ushqimore. Rreth 50% e nënave nuk e marrin trajtimin ushqimor për fëmijët, të cilët përvecc traumave të ndarjes familjare po përjetojnë edhe mbijetesën për ushqim. Shteti hesht !

 

Jeta e shqiptarëve pas zgjidhjes së martesës shndërrohet në ferr

Papunësia rrit numrin e mosshlyerjeve të pensioneve ushqimore

Rreth gjysma e nënave nuk e marrin pensionin ushqimor për fëmijët

Vepror Hasani

Papunësia në rritje, veçanërisht gjatë viteve të fundit, solli dhe vijon të sjellë probleme në familje. Numri i zgjidhjeve martesore është në rritje, gjithashtu, nga viti në vit numri i padive për mosshlyerjen e pagesave për pensionin ushqimor, detyrim ky i prindërve për fëmijën apo fëmijët, pas zgjidhjes së martesës, bëhet gjithnjë e më i madh. Nisur nga 4 vite më parë (viti 2017) dhe në vijim, në zyrat e përmbarimit Korçë, ekzistojnë të regjistruara më shumë se 1,000 padi: “Pensione ushqimore”. Ndodh kështu sepse jeta e shqiptarëve pas zgjidhjes së martesës, përkeqësohet, pasi pjestohet (zvogëlohet) hapësira e banesës që përdorej më parë nga bashkëshortët. Nuk e kanë më ndihmën e njeri-tjetrit, aq më shumë kur njeri prej tyre ka edhe detyrime të tjera, ndërsa fëmijës ende i duhet përkujdesi i prindit. Deri sa të vijë martesa e dytë, ish-bashkëshortëve do t’u duhet të jetojnë të vetëm, shqetësimet dhe ankthi për të nesërmen do jenë në rritje. Të ardhurat nuk do të kenë më atë efikasitet kur shpenzimi i tyre planifikohej nga dy bashkëshortët etj. Tashmë buxhetet janë të ndara. Ndërkohë nga një pjesë e shoqërisë do të jenë të paragjykuar për divorcin që u ka ndodhur. Gjetja e një vendi pune bëhet edhe më i vështirë, ndërsa  për një martesë të dytë, do të kërkohet më shumë kujdes. Jeta fillon e bëhet ferr.

Pensioni ushqimor, vepër penale

Megjithatë, edhe pse ndodh kështu, edhe pse dihet që zgjidhjet martesore shkaktojë probleme të shumta, sidomos për familjet e varfëra (me të pasurit ndryshon puna), sërish për shumë bashkëshortë, ndarja bëhet e pashmangshme. Madje, sipas burimeve pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, numri i padive për mospagesën e pensionit ushqimor ka ardhur në rritje, sepse edhe numri i zgjidhjeve martesore ka qenë në rritje. Në raste të tilla, detyrimi i papërmbushur nga ana e prindit për pensionin ushqimor të fëmijës, shqyrtohet nga gjykata si vepër penale, pasi pensioni ushqimor duhet të përmbushë nevojat për rritjen dhe edukimin e fëmijës. Gjithashtu, merret parasysh edhe gjendja ekonomike e prindit që duhet të përmbushë detyrimin. Pagesa për pensionin ushqimor, i cili paguhet nga prindi që nuk është kujdestar ligjor i fëmijës, përcaktohet nga gjykata. Në raste mospërmbushjeje të detyrimit, mund të shkohet deri te sekuestrimi i pasurisë ose heqja e lirisë. Megjithatë, papunësia, të ardhurat e pakta që sigurohen nga bashkëshorti i divorcuar (kryesisht babai i fëmijës), bën që gjysmat e nënave të mos e marrin dot pensionin ushqimor  të fëmijës. Përgjegjësia mbetet tek strukturat ligjzbatuese, të cilat duhet t’i shkojnë deri në fund zbatimit të ligjit. Megjithatë, sipas burimeve tona, nga ana e Zyrës së Përmbarimit, janë sekuestruar llogari bankare ose pasuri të tjera.

Problem, varfëria

 

Problem i pazgjidhur mbetet mjerimi i prindit, i cili nuk është në gjendje të paguajë pensionin ushqimor. Gjendja ekonomike e bashkëshortëve, në rastet kur janë të punësuar, përcaktohet nga vërtetimet e pagave mujore, ndërsa në rastet e papunësisë prej vërtetimeve nga Zyra e Punës. Përmes vërtetimeve dëshmohet edhe marrja ose jo e pagesave të tjera ose pensioneve. Përgjithësisht, kur fëmija është i mitur deri në 10-vjeç i lihet nënës, pas kësaj moshe fëmija pyetet me cilin prind dëshiron të qendrojë, por pa i hequr të drejtat prindit tjetër. Prindi jokujdestar është i detyruar me ligj të paguajë pensionin ushqimor deri në moshën 18-vjeçare dhe në rast se ai ndjek edhe studimet e larta, periudha e pensionit ushqimor shkon deri sa fëmija bëhet 25 vjeç. Pensioni ushqimor ndërpritet kur babai, i fëmijës ndërron jetë, por gjithnjë deri në moshën 25-vjeçare të fëmijës nëse vijon studimet. Ndalesa e pensionit ushqimor bëhet nga paga mujore e babait kur ai është i punësuar, por jo më shumë se 50% të pagës së tij. Pensioni ushqimor mund të jetë edhe më pak se 50% e pagës; gjithsesi, vlera e tij caktohet nga gjykata dhe është kompentencë vetëm e saj.

Asnjë fëmijë nuk e kalon lehtë ndarjen e prindërve

Asnjë fëmijë nuk e kalon lehtë ndarjen e prindërve përgjatë gjithë jetës së tij. Shkaqet e zgjidhjeve martesore janë të shumta, por si nënë e tyre mbetet gjithnjë varfëria, e cila sjell mungesë të ardhurash, pasiguri të përditshme te njerëzit, dhunë në familje, stres tek fëmijët, mospërmbushje të ëndrrave të tyre, emigrim në vende të tjera për një jetë më të mirë, zhgënjime, kryerje vjedhjesh dhe grabitjesh në pamundësi për të bërë një jetë të ndershme, implikime në krime e në kryerje vrasjesh, abuzime me lëndët narkotike, pamundësi për të gjetur një mbështetje të sigurtë etj, etj. Të gjitha këto, ndodhin nga mungesa e një qeverie të mirë prej disa dekadash, madje nuk është e sigurtë edhe për sa kohë të tjera njerëzit do të përballen me mjerimin dhe pasigurinë, ku jeta e njeriut flijohet për një shezllon plazhi dhe të nesërmen harrohet që ishte gjallë.