Autoriteti i Konkurrencës gjobit me 5.69% të xhiros, ndërmarrjen “SGS Automotive Albania”: abuzoi me pozitën dominuese në treg
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të gjobisë “SGS Automotive Albania” SHPK në masën 5.69 % të xhiros totale të ndërmarrjes për vitin paraardhës financiar (2017), e përkthyer në shumën 51 091 005 (pesëdhjetë e një milion e nëntëdhjetë e një mijë e pesë) Lekë. Masa e penalitetit vjen për arsye se Konkurrenca në përmbyllje të Hetimit të Thelluar ndaj “SGS Automotive Albania” SHPK në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore ka konstatuar abuzim me pozitën dominuese të kësaj ndërmarrje. Përpos kësaj, Konkurrenca ka vendosur detyrimin e ndërmarrjes “SGS Automotive Albania” SHPK për të ndaluar shkeljen e konkurrencës dhe brenda 45 ditëve të marrë masat e nevojshme:
- Të zbatojë në mënyrë të menjëhershme detyrimin ligjor për ofrimin e shërbimit cilësor, të kënaqshëm, duke vënë në përdorim QKTL-të pranë QKT-ve me fluksin më të madh të klientëve;
- Të vendosë në funksionim 100% të kapacitetit të të gjitha QKT-ve dhe QKTL-ve.
- Heqjen e pikës tre nga Deklarata–Tip që nënshkruhet nga klientët para dorëzimit të dokumentacionit të kërkuar;
- Hartimin e një plani për rishikimin e rishpërndarjes së posteve të ofrimit të shërbimit, më qëllim rritjen e eficensës dhe ngritjen e nivelit të shërbimi, në kuptimin që në ato QKT ku postet janë të papërdorura, apo në një nivel të ulët përdorimi, të mund të sillen drejt QKT-ve ku ka fluks më të lartë.
- Të hartojë një plan masash për ofrimin
dhe përmirësimin e shërbimit në tregun e
kontrollit teknik për automjetet, me kushte më të mira tregtimi në përputhje me kontratën, dhe të njoftojë pranë Autoritetit të Konkurrencës;
Konkurrenca gjithashtu sugjeron disa rekomandime edhe për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë: - Liberalizimin e tregut në drejtim të ofrimit të këtij shërbimi, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimit të servisit, sikurse pjesa më e madhe e vëndeve të BE e ofron.
Për kohën e
vazhdimit të këtij koncesionari, brenda një afati prej 90 ditëve:
a) të miratohet një rregullore për
funksionimin dhe monitorimin e Koncesionarit SGS, ku të jenë përcaktuar në
mënyrë të detajuar të gjitha procedurat, shërbimet që ofrohen nga ana e Tij,
b) miratimin e planit të investimeve vjetore, me qëllim që shërbimi të jetë cilësor dhe t’i përgjigjet trendeve të zhvillimit, për rritjen e fluksit të mjeteve çdo vit si edhe shpërndarjes së popullsisë.
- Rishikimin e manualit teknik dhe sidomos të afatit të testimit të mjeteve për t’u pajisur me çertifikatën e kontrollit teknik;
- Plotësimi i akteve ligjore dhe nënligjore duke përcaktuar qartë rolin e organeve shtetërore në lidhje me marrëdhëniet midis ndërmarrjes Koncesionare, që ka në menaxhim dhe administrim infrastrukturën e QKT-ve dhe mënyra e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis tyre nga organet rregullatorë.
Më herët gjatë hetimit paraprak, Konkurrenca ka vërejtur se lidhur me tregun e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre, ndërmarrja SGS zotëron 100% të pjesëve të tij, pasi në zbatim të Kontratës Koncesionare ka ekskluzivitetin e ofrimit të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë. Edhe nga analiza e kritereve të tjera të vlerësimit të pozitës dominuese, konform bazës ligjore në fuqi, rezulton se ndërmarrjes SGS i është dhënë një e drejtë ekskluzive për ofrimin e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në treg nuk mund të ushtrojë veprimtari asnjë ndërmarrje tjetër, si dhe nuk ka asnjë konkurrent potencial në tregun përkatës. Gjithashtu klientët e ndërmarrjes SGS nuk kanë asnjë fuqi kundërvepruese ndaj kësaj ndërmarrjeje, pasi kryerja e kontrollit teknik të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre është një shërbim i detyrueshëm sipas Kodit Rrugor dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë kryhet vetëm nga ndërmarrja SGS. Si përfundim, ndërmarrja SGS është e vetme në tregun përkatës.
Gjithashtu nga inspektimet e kryera në ndërmarrjen SGS rezulton se klientët për të marrë shërbimin e kontrollit teknik pranë QKT-ve të kësaj ndërmarrjeje duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
- Fotokopje e kontratës së sigurimit të
detyrueshëm (TPL e brendshme), kontratë
e cila duhet të jetë e vlefshme në momentin e kryerjes së kontrollit të plotë teknik
të automjetit; - Lejen e qarkullimit, për mjetin që do të kontrollohet;
- Vërtetimin e pagesës së taksës vjetore të mjetit rrugor;
- Nënshkrimi i një “Deklaratës-tip” nga ana e klientit, e kërkuar nga ana e koncesionarit duke marrë përsipër të heqë nga përgjegjësia çfarëdo dëmtimi (elektrik apo mekanik, në paragrafin e 3-të deklaratës) që mund t’i ndodhë automjetit në territorin/mjedisin e koncesionarit, gjatë procesit të kontrollit teknik.
Kjo kopje mbahet nga koncesionari dhe nuk i vihet në dispozicion klientëve pas nënshkrimit të tij. Konkurrenca vëren në vendimin e saj se, referuar analizës së tregut të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, rezulton se ndërmarrja me pozitë dominuese SGS, për periudhën nën hetim ka vendosur kushte shtesë dhe të padrejta tregtimi ndaj klientëve të saj, gjë e cila, konform bazës ligjore në fuqi, përbën abuzim me pozitën dominuese, me pasoja të rënda për konkurrencën në treg. Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar paraprakisht këtë treg në periudhën 1 Qershor 2016 deri në 31 Dhjetor 2017 e mandej nisi hetimin e thelluar I cili rezultoi me shkelje të rënda e për pasojë edhe me penalitete të rënda./”Si”