Eksperti Zef Preçi: Ja rreziqet dhe si po zhvaten familjet shqiptare nga skemat ‘piramidale’ të mikrokredive të lejuara me ligj

Modeli i kredive të shpejtë dhe pa kolateral i lejuar vetëm në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Moldavi dhe Bosnje-Hercegovinë nuk aplikon vetëm interesat e larta deri në 3 herë më të larta se normat e lejuara nga rregullatori monetar, por shume më tepër se kaq. Sipas mendimit tim, janë edhe disa probleme të tjera që nuk mund të injorohen.
Së pari, institucionet e kësaj kategorie – institucionet financiare jobankare – nuk janë subjekt i mbikqyrjes nga rregullatori bankar (Banka e Shqipërisë). Dmth edhe pse aplikojnë një formëprimitive e të njohur të huadhënies (të licencuar), por që është thjesht “fajde” e pastër, janë jashtë kontrollit monetar. Si të tilla mbartin rreziqe të ndryshme edhe për vetë sistemin bankar, por edhe për ekonominë në tërësi. Në çdo rast rreziku kryesor mbetet shndërrimi i këtyre licensave në një prej mënyrave për pastrimin e parave në vendin tonë.
Së dyti, në Shqipëri nuk ekziston një regjistër i huamarrësve në këto institucione financiare. Për rrjedhoje, nuk janë të pakta rastet kur persona me probleme vartësie nga droga, me probleme shëndetësore të rënda për të cilat kanë nevoja të ngutshme financiare, individë të papërgjegjshëm për detyrimet familjare që kanë etj., ju drejtohen më shumë se një sporteli agjencie dhe shfrytëzojnë mungesën e regjistrit për të marre më shumë se një hua në agjenci të ndryshme ose në sportele të ndryshme brenda të njëjtës agjenci. Kuptohet se përtej konceptit të përgjegjësisë individuale, në këto raste që nuk janë të pakta, viktimat e vërteta janë familjet. Tingëllon shumë e çuditshme, që agjenci të tilla japin kredi për pak minuta pa asnjë analizë të kapacitetet ripagues të huamarrësit, pa asnjë lidhje të mëparshme, që formon historik të të ardhurave (p.sh pagat e punës) e për rrjedhojë edhe besueshmëri në mundësitë e ripagimit të huas prej tij, si dhe pa asnjë garanci, apo angazhim ligjor detyrues për familjarët në moshë madhore për këtë qëllim. E kur mijëra huamarrës të tillë nuk shlyejnë në kohë principalin e huas së bashku me interesat (detyrimet sipas kontratës), agjencitë aplikojnë pa limit kohor interesa e penalite stratosferik dhe mbas një fare kohe fusin në veprim një hallkë tjetër që në shumicën e rasteve kontrollohet nga krimi i organizuar: zyrat private përmbarimore. Këto zyra, shumica jashtë kontrollit të rregullatorit përkatës dhe Ministrisë së drejtësisë veprojnë arbitrarisht mbi familjen e huamarrësit, e cila në disa raste as që mund të ketë pasë dijeni mbi huane apo kushtet e marrjes së saj nga një familjar apo vetë kryefamiljari.
Së treti, një numër agjencish të tilla janë në pronësi të dyshimta, janë të regjistruara në zonat off-shore, etj. Edhe ky problem, ashtu si dhe problemi i parë i analizuar këtu më lart, është problem i përgjegjësive të institucioneve shtetërore. Dmth nëse vendet e BE nuk lejojnë operimin e kompanive fajde dhënëse – pavarësisht emërtimeve joshëse “perëndimore” – përse duhet që kjo të lejohet në vendin tonë? Kjo rrethanë të shtyn të mendosh për përfshirjen e “të fortëve të politikës” edhe në këtë biznes tejet të dyshimtë. Ndërkaq, raste denoncimi dhe të publikuara në shtyp mbi pronësinë dhe transaksionet e kompanive të tilla janë përcjellë me heshtjen e organeve tatimore, gjë që lë të kuptohet edhe përfshirjen e tyre në evazionin dhe paligjshmërinë që ndodh.
Së fundi, kolegu ekonomist Klodian Tomorri duhet përgëzuar për përpjekjet e tij në ndriçimin e zhvillimeve në ekonominë tonë kombëtare dhe të problematikës që shfaqet në aspekte të ndryshme të saj.

 

NOA