“Më thoni çfarë historie dhe personalitete keni, që t’ju them se çfarë kombi jeni”, – është një fjalë që më ka thënë në maj 1999 në bashkinë Elbasan një hebre i ardhur me një grup në ndihmë të refugjatëve nga Kosova. U mundova t’i them shumë nga historia mysafirit nga Izraeli dhe më mirëkuptoi dhe kuptoi se cili qytet dhe cilët personalitete kishte kryeqendra e arsimit kombëtar shqiptar.

Një ndër ngjarjet përcaktuese në lëmin e arsimit tonë mbarëkombëtar është Kongresi i Elbasanit i mbledhur nga 2 deri më 9 shtator 1909. Dhe vendimi më i rëndësishëm i këtij Kongresi ishte marrja e vendimit për hapjen e shkollës Normale, që cilësohet si “Universiteti i parë Shqiptar”. Godina ku u mbajt ky Kongres është e quajtura “shkolla e kalasë” e ndërtuar më 1736 me ndihmën e vetë banorëve të kalasë dhe që ndodhet pranë kishës “Shën Maria”, jo si pjesë e saj, por si vendi ku ishte mundësia më e mirë për të ndërtuar këtë godine. Në vitin 1994 ka pasur një tendencë nga ana e Janullatosit si kryepeshkop i KOASH për ta përvetësuar ai këtë godinë me qëllime, që njihen tanimë të një greku.
Në fasadën e kësaj godine ka pasur edhe një pllakë guri ku ishte gdhendur informacioni për Kongresin e Elbasanit që çuditërisht në atë përplasje me të dërguarit nga Janullatosi të bënin fakt të kryer marrjen me forcë dhe përdorimin më pas të kësaj godine në funksione helenizuese. Ajo pllakë nuk gjendet më, por historia e saj ndihet në pamjen e kësaj godine dhe njihet kombëtarisht fakti se çfarë ka qenë kjo godinë si shkolla shqipe e Kalasë, si vendi ku u mblodh Kongresi Elbasanit, si vendi ku zhvilloi aktivitetin e saj Ushtrimorja e Normales dhe më pas si Muzeu i Arsimit.

Studiues të ndryshëm kanë shkruar e folur për këtë godinë dhe për Kongresin Arsimor të Elbasanit dhe kjo është e ligjshme, por fakti që në vitin 2023 ka një heshtje dhe mospërmendje të realitetit historik, të trishton dhe të vë në mendimin se : Kush është i interesuar të na shuhet historia jonë e Arsimit siç kanë dashur qeveritë e njëpasnjëshme në Maqedoni që e kanë sfumuar faktin që Kongresi i Manastirit ishte i një rëndësie të veçantë ku u hodhën bazat e gjuhës, alfabetit dhe mësimit të gjuhës shqipe?
Për opinionin publik nuk është shumë i njohur fakti që për nisjen e punimeve të Kongresit të Elbasanit më 2 shtator 1909 për personat që morën pjesë, për punimet dhe vendimet e tij është shkruar nga studiues të ndryshëm. Për këtë Kongres italiani De Pascal Anibale kompozoi muzikën e Marshit “Kongres’ i Elbasanit”. Anibale pati ardhur në Korçë nga Shoqëria muzikore “Band e Lirisë”, e cila kishte nevojë për një muzikant të mirë. Do të ishte kjo Shoqëri që do të shtyp këto dy marshe, atë “Band’ e Lirisë” e “ Kongres’ i Elbasanit”, të cilët do të këndohen edhe në Misir (Egjipt). (Gazeta “Koha” 23 qershor 1911). Patjetër që Marshi “ Kongres’ i Elbasanit” duhet të ketë tekstin e tij, si ai “Bandë e Lirisë”, por kam kërkuar e nuk e gjej.
Në foto shoqëruese janë: kopertina e Marshit, Pascal de Annibale me gruan e tij, Adela, faqja e 2-të e kompozimit, vendi ku u mblodh Kongresi, godina sot dhe lajmërimi mbi shtypjen dhe shitjen e dy marsheve.

Në cilin muze gjenden këto materiale? Po në Muzeun Historik Kombëtar do të duhej të ishin të pasqyruara këto momente historike, që i përkasin identitetit tonë kombëtar? A duhet të kishte Shqipëria një muze të arsimit mbarëkombëtar? Ku pasqyrohen aktivitetet e përpjekjeve të atdhetarëve shqitparë për shkollën shqipe dhe hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe? Ky që sot është kryeministër, në kohën kur ishte ministër i arsimit hodhi idenë– fasadë të kthimit në identitet, por vetëm identitet nuk pamë dhe sot jemi përballë një realiteti ku mund të mendosh se ka një vëmendje të përqëndruar për të fshirë nga dokumentimi dhe muzetë të vërtetat historike të arsimit tonë kombëtar, siç është edhe përpjekja për ta fetishizuar atë vendim të ish ministrit të kohës Ernest Koliqi që më këtë datë 2 shtator mori vendimin e dërgimit të rreth 400 mësuesve të Normales kohë pas kohe në të gjitha trojet kombëtare për hapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe në Kosovë e Çamëri, në pjesën shqiptare të Maqedonisë e Malit të Zi që me plot të drejtë konsiderohet si “pavarësia e dytë e Shqipërisë”.

Është për ta cituar enkas atë shprehjen e rilindases të shquar Elena Gjika që ka thënë se “Ç’t’i bëj popullit tim që nuk shkruan historinë e vet”, pra historia edhe duhet shkruar, edhe duhet ruajtur, edhe duhet muzeuar që brezat të jenë të mirëinformuiar për të kaluarën dhe veprat e të parëve tanë, ndaj kishte të drejtë mysafiri hebre që pyeti me një qëllim të caktuar, sepse vetë ata e kanë të lashtë dokumentimin, ndaj dhe krenohen për historinë e tyre. Nëse diktatura staliniste i vrau dhe i persekutoi ata që bënë vepra të tilla me vlera historike kombëtare (siç ndodhi edhe me firmëtarët e Pavarësisë), në këtë kohën e sotme të rilindjes së zezë duket se heshtja, mospërfillja, moskujtesa dhe mosvëmendja për ngjarje të tilla, janë në të njejtën linjë me diktaturën për ta zhbërë identitetin tonë kombëtar si porosi globaliste e antishqiptarëve.




















