Eksporti i frutave dhe zarzavateve ka pësuar një rënie të konsiderueshme gjatë 9-mujorit të vitit 2018.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT kemi një rënie prej 1.8% në krahasim me 9-mujorin e një viti më parë. Kjo ështe rënia e parë që nga viti 2009.

Pas ritmeve me rritje të konsiderueshme vitet e fundit, eksportet e frutave dhe zarzavateve duket se i janë kthyer sërish rënies gjatë vitit 2018.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vlera e eksporteve të frutave, perimeve dhe zarzavateve në 9-mujorin e 2018 ishte gjithsej 5.6 miliardë lekë me një rënie prej 1.8% në krahasim me 9-mujorin e një viti më parë.

Kjo ështe rënia e parë që nga viti 2009. Ritmet e rënies me gati 2% në janar-shtator 2018 vijnë pas një rritje sistematike, ku në vitin 2016 eksportet nga ky grup u rritën me 31% në raport me 9-mujorin e 2015, ndërsa për të njëjtën periudhë, rritja në 2017 ishte 33% në raport me 2016. Ulja e prodhimit vendas ka sjellë gjithnjë e më tepër rritje të importeve. Në këtë periudhë kur tregjet e pakicës në Tiranë mbuloheshin nga prodhimi vendas, sot ato dominohen nga prodhimet e importit.

Fermerët nga zonat më prodhuese të vendit pohojnë se këtë vit kishte më pak mbjellje të zarzavateve.
Sipas INSTAT, eksportet e frutave dhe zarzavateve arritën në 9.6 miliardë lekë më 2017, me një rritje 21% nga viti 2016. Ndërsa importet arritën në 8.3 miliardë lekë, me një rritje prej 0.2% kundrejt vitit 2016. Si importet dhe eksportet janë rritur që nga viti 2012, por shitjet jashtë vendit janë rritur me ritme më të shpejta. Në pesë vitet e fundit, eksportet e frutave dhe zarzavateve janë pesëfishuar, nga 1.8 miliardë lekë më 2012 në 9.6 mld lekë në 2017, ndërsa importet janë rritur në pesë vite me 11%.