Bashkitë ‘rrejpin’ 44 milion euro taksa nga ndërtesat

Bashkitë e kanë rimarrë vetën gjatë këtij viti, pas periudhës së vështirë të kaluar një vit më parë, për shkak të pandemisë COVID19 ku mbledhja e një sërë taksash dhe tarifash vendore u pezullua. Por cilat janë taksat dhe tarifat që mbajnë “gjallë” bashkitë, duke u krijuar të ardhura të mira dhe mundësi për investime? Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga pikëpamja strukturore, 3 lloje të taksave & tarifave vendore sigurojnë 84% të  të ardhurave të mbledhura nga 61 bashkitë në vend (pa përfshirë të ardhurat jo tatimore) duke përbërë burimin kryesor të financimit të  politikave në nivel vendor.

Kështu,  “Taksa e ndikimit në infrastrukturë” jep kontribut total me 34%, “Taksa mbi  ndërtesat” me 18% dhe “Tarifa pastrimi e higjiene” me 16% apo zëri “Taksa të tjera”  me 15%.

Sigal

61 bashkitë në vend  janë treguar më aktive gjatë këtij viti për mbledhjen e taksës së ndërtesës duke bërë që të tejkalojnë pritshmëritë e tyre. Sipas të dhënave të financave, në 10 mujorin e parë të vitit janë mbledhur 5.3 miliardë lekë apo 44 milionë euro nga taksa e pasurisë, me një rritje prej rreth 26 për qind në raport me planin por edhe me rreth 1 miliardë lekë  më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Po ashtu, po të shikojmë si kane ecur të ardhurat nga menaxhimi i kësaj takse vitet e fundit, vihet re se ka pasur një rritje progresive, duke bërë që për periudhën Janar-Tetor 2021, të jetë vlera më e lartë e regjistruar, në krahasim me të njëjtat periudha të viteve të mëparshme.

Që në vitin 2019, me ligj ka nisur të aplikohet formula e re e llogaritjes së taksës së ndertësës në bazë të sipërfaqes reale të ndërtesës dhe çmimit vlerësues të saj, pavarësisht se disa bashki e kanë aplikuar më herët dhe disa më vonë, kjo ka dhënë ndikim edhe në rritjen e të ardhurave. Formula parashikon që taksa e ndërtesës për familjarët të jetë 0.05 % e vlerës së banesës, ndërsa për bizneset kjo taksë do të jetë 0.15%.

Të ardhurat nga taksa e ndërtesave

2017  4.2 miliardë lekë

2018 4.5 miliardë lekë

2019  4.5 miliardë lekë

2020  4.3 milardë lekë

2021  5.3 miliardë lekë