Buka prodhohet me makineri të ndryshkura

560
Sigal

Furrat e Bukës në Korçë dhe Shkodër prodhojnë produkte me makineri të ndryshkura e të mykura

Siguria ushqimore është një çështje delikate, sidomos gjatë sezonit veror, ku janë të shumta rastet e helmimit të konsumatorëve prej ushqimeve të skaduara ose që shiten në kushte jo optimale. Raste të tilla janë zbuluar së fundmi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili në kontrollet e ushtruara në Fier, Korçë dhe Shkodër, ka zbuluar shkelje të rënda të sigurisë ushqimore. Kështu AKU ka zbuluar se dy subjekte që prodhonin e tregtonin ëmbëlsira dhe produkte brumi, në Korçë dhe Shkodër, e ushtronin aktivitetin pa kushte higjieno-sanitare. Ndërsa një market në qytetin e Fierit, u zbulua se shiste produkte ushqimore të skaduara. AKU vendosi 3 gjoba me vlerë totale 900 mijë lekë të rinj, si dhe bllokoi aktivitetin e 2 prej subjekteve.

– Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Idval Gjoza” me aktivitet “ njësi prodhimi dhe tregtimi ëmbëlsirash”, Bilisht, Korçë u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, (në ambientin e prodhimit kishte prani të papastërtive si dhe prezencë ndryshku tek mjetet e punës të cilat ishin dhe tejet të amortizuara).

Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme:

Gjobë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higijeno-sanitare,

U bë bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit deri në përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare.

– Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Luiza Llanaj” me aktivitet “Minimarket” Fier u konstatua se subjekti tregtonte produkte të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit (karamele, çokollata, Amita, biskota, kikirika, oriz, pije freskues etj).

Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme:

Gjobë 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi,

U bë bllokimi i produkteve të konstatuara të pasigurta për konsum me qëllim asgjësimin e tyre.

– Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Selim Cocaj” me aktivitet “Prodhim produktesh me bazë brumi” Velipojë, Shkodër u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare (tualeti kishte dalje të drejtpërdrejtë në ambientet e prodhimit, mungonte analiza e ujit, muret kishin prani myku dhe mjetet e punës kishin prezencë ndryshku)

Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme:

Gjobë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare,

U bë bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit deri në përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare.