Albpetrol hap ankandin për shitjen e 117 mijë tonëve naftë

117

Teksa çmimi i naftës në tregjet globale ka arritur nivelin më të ulët të 20 viteve për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, qeveria shqiptare po tenton që të zhvillojë një ankand për shitjen e një sasie prej më shumë se 117 mijë ton naftë. Në një njoftim të Albpetrol, publikuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëhet me dije se dorëzimi i ofertave mund të bëhet deri në datën 8 prill 2020.

Kjo është sasia më e madhe e nxjerrë në shitje nga kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend teksa zbulimi i vendndodhjes së saj tregon se sasia është siguruar jo vetëm nga puna e kompanisë por edhe pjesa që vjen si royalty nga marrëveshjet hidrokarbure aktive. Sipas të dhënave pjesa më e madhe është gjendje ndërsa në Patos-Marinzë ku ushtron aktivitetin Bankers Petroleum janë 23 mijë ton, për të vijuar në Ballsh, Gorisht, Kuçovë, Amonicë, Visokë.

Burimet nga Albpetrol thanë se ky është një ankand me afat lëvrimi 300 ditë dhe nafta tregtohet me çmimin që ka tregu në ditën e lëvirimit. Ata thanë se pavarësisht çmimeve të ulëta, puna vazhdon dhe nafta duhet të tregtohet.

Shpallja përcakton edhe mënyrën sesi do të llogaritet vlera minimale.

“Çmimi minimal fillestar për njësi = 72.2 % Çmimit Brent + K. Në pikat e lëvrimit. Çmimi minimal fillestar për njësi = 72.2%Brent – 3.123 USD/bbl +K. Kështu (72.2/100) është koefiçienti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës që do të shitet të krahasuar me karakteristikat e naftës Brent të cilat janë dhënë me hollësi në tabelat e mësipërme. Kurse 3.123 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim stokim, analizim, sigurim)  K- është vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K≥0)” thuhet në dokumnt.

Ankandi i janarit dështoi pasi s’kishte oferta

Ky është ankandi i dytë që hap Albpetrol lidhur me shitjen e naftës stok ndërkohë që ankandi i janarit u anullua. Vetë kompania bëri me dije se ishte detyruar të anulojë ankandin për shitjen e 31 mijë tonëve naftë për shkak të mungesës së konkurrencës. Në një njoftim të shkurtër mbi këtë situatë, kompania publike bëri me dije se asnjë operator nuk ka shfaqur interes për të blerë naftën, ofertat për të cilën duhet të paraqiteshin deri në 6 shkurt 2020.

Ky ishte ankandi i parë që kompania e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend zhvilloi për këtë vit, ndërkohë që ankandi i fundit u mbajt në maj të 2019-s, kur u nxorrën në shitje 75 mijë tonë naftë. Në atë kohë, blerja e naftës bruto u bë nga kompania “Al Global Oil” për një vlerë rreth 30 milionë dollarë.