Bashkim Sulçe: Kur punës i gjendet njeriu

Fshati Kolonjë, në rrethin e  Lushnjës, ka vuajtur për pikën e ujit. Lagjja e Hilajve nuk pati ujë për 23 vjet.Në të vërtetë, ujë kishte dhe ujë s’kishte.Kishte, sepse tubacionet ishin plot me ujë, kurse uji shpërdorohej rrugës për të mbjellat.

Kështu që ujë në familjet e tyre nuk kishte. Nuk bëhej fjalë për ndërgjegjësim të banorëve, prandaj kërkohej një njeri që t’i dilte zot punës. Duheshin masa organizative e kontroll që të vihej para përgjegjësisë cilido që shpërdoronte ujin.Sepse të gjithë e dinin që uji shpërdorohej, por asnjeri nuk fliste. Uji nuk arrinte në familjet përdhese, palë të ngjitej në katin e pestë të pallateve.U desh që në fshat të ngarkohej një njeri i zoti dhe profesionist i mirë që të merrte fund legjenda e mungesës së ujit. Po cili është  Aristir Voja?

NOA

Ai ka lindur në fshatin Kolonjë më 28 tetor 1957. Rrjedh nga një familje me një prejardhje  fshatar i varfër. I ati i tij, Minai, ka punuar si kovaç në SMT e Kolonjës. Dallohej si një usta i zoti dhe njerëzor në familje dhe në shoqëri. Me këtë frymë edukoi edhe Aristirin. Shkollën 8-vjeçare dhe të mesme e ka mbaruar në Kolonjë. Më pas kreu me rezultate të larta shkollën dyvjeçare mekanike në Durrës dhe filloi punë në ndërmarrjen e bonifikimit në Lushnjë. Që në moshën 20 vjeçare mori në dorëzim përdorimin e makinerisë së rëndë, me detyrën skrepist-buldozerist. Kreu shërbimin ushtarak në gardën e republikës në vitet 1976-78. Punoi një vit në kooperativë dhe pastaj filloi punë në bonifikim.Në këtë ndërmarrje punoi 11 vjet. Këtu u dallua për punë me rendiment e cilësi të lartë. Është martuar me Kristina… dhe kanë tre fëmijë. Pas 1991, u largua një vit në emigracion, në Greqi. Pas një viti u kthye në fshat dhe hapi një pikë tregtimi ambulante në Kolonjë. Punoi 13 vjet nëpër fshatrat e Lushnjës  dhe të Fierit. Më 2014 sistemohet në Ujësjellësin e Kolonjës. Kryen tre detyra:përgjegjës, faturist dhe mirëmbajtës.Punonjësit e mëparshëm të ujësjellësit nuk ishin profesionistë. Asnjëri nga këta punonjës për 23 vjet nuk kreu ndonjë kurs për hidraulik. Populli vuante për ujë edhe për faktin se jo të gjithë abonentët kishin sahate për matjen e ujit.Jo të gjitha familjet kishin kontratë me Ujësjellësin.

Lagjja “ Bregu i Hilajve” vuante për ujë, kurse disa ujitnin bimët me ujin e pijshëm.Këta mbushnin ujë me mjete të ndryshme në lagjen “Drëng”. Në pallate, vetëm kati i parë furnizohej me ujë.

Konkluzioni: Nuk kishte ujë, pasi punës nuk i ishte gjetur njeriu i duhur.

Me të ardhur z. Aristir Voja, si punonjës i Ujësjellësit, punën e parë që bëri ishte kontakti familje më familje dhe ndërgjegjësimi  e pajisja e abonentëve me kontratë dhe me matës (sahat) të ujit.Të gjitha familjet u ndërgjegjësuan.Banorët nisën të  blenin matësin e ujit. Më parë u bë ndërhyrja në tubacionet e ujësjellësit nga ndërmarrja e Ujësjellësit. Për të gjitha tubacionet kryesore investoi shteti, kurse sahatet dhe tubot që lidhën ujin i bën vet abonentët. Z.Aristir e gjeti fshatin Kolonjë me 270 abonentë, ndërkohë që në të vërtet ishin më tepër se dyfish.Familjarët e “Bregut të Hilajve” i futën çezmat në oborret e tyre. Banorëve të pallateve po u shkonte uji në katin e pestë. Kemi kontaktuar me çiftin Aleksandër dhe Flutura Hila (Bregu i Hilajve), të cilët na thanë se tani kishin ujë 24 orë.   “Kemi shpëtuar nga mundimet për ujin, shprehen ata”. Qytetari Isa Zeqo që banon në katin e pestë të pallatit, thotë se janë të kënaqur pasi uji u shkon pandërprerje gjatë gjithë ditës në familje. Të gjithë abonentët e përdorin me ekonomi ujin dhe asnjeri nuk e shpërdoron. Ku ka ujë, ka jetë. Fshati Kolonjë deri më sot ka 400 abonentë të pajisur me kontratë (të gjithë me matës). Lind pyetja: si shpjegohet që tani ka ujë 24 orë?  Arsyeja është, sepse abonentët janë shtuar: nga 270 në 400 veta. Punës iu gjend njeriu. Njeriu i kualifikuar me profesion hidraulik dhe komunikues me të gjithë. Kur ka defekte, ai shkon shtëpi më shtëpi, ua rregullon defektin dhe nuk u merr asnjë lekë për shërbimet që kryen. Aristir Voja gëzon respekt në popull. Është një njeri shumë i respektueshëm dhe prind i mirë. Në përfundim: Fshati Kolonjë me 400 abonentë sot ka ujë 24 orë pa ndërprerje gjë që nuk ka ndodhur kurrë më përpara. Nga ky punëtor i ujësjellësit të Kolonjës, duhet të marrin shëmbull të gjithë punonjësit e ujësjellësave të fshatrave, pse jo edhe të qyteteve.