Arsimi: 126 mijë nxënës më pak në bankat e shkollave

426
Sigal

Rikthehet fenomeni I braktisjes së shkollës, bie pjesmarrja në krahasim me 1 vitë më parë. Shkak për zbrazjen e shkollave është emigracioni, braktisja e arsimit,  rënia e  lindshmërisë  dhe arratisja e “Trurit” të vendit nga mungesa e financimit

Rikthehet fenomeni i braktisjes së shkollës, bie pjesëmarrja në arsim në vitin 2019
Treguesit e përfshirjes në arsim kanë ardhur në përkeqësim në Shqipëri, pasi përqindja e fëmijëve që ndjekin e arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm ka rënë në raport me popullsinë në grupmoshën e shkollimit. Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla e pjesëmarrjes në arsim e fëmijëve në nivelin 9-vjeçar që i përkasin grupmoshës zyrtare te shkollimit (treguesi NER) ishte gjatë vitit të kaluar 93,9, ndërsa në vitin 2018 ky tregues ishte 95.6. Kjo statistike tregon se në vitin 2019, nga 100 fëmijë që kanë moshën dhe detyrimin për të ndjekur arsimin 9-vjeçar, shkojnë në shkollë vetëm 94 fëmijë nga më shumë se 95,6 qind që ishte pjesmarrja në vitin 2018. Rënie të ngjashme ka pasur edhe tek të rinjtë që ndjekin e arsimin e mesëm. Vitin e kaluar e ndoqën këtë nivel 76.2 për qind e të rinjve të grupmoshës që i takojnë këtij niveli arsimor në raport me 77.4% që ishte ky tregues në vitin 2018. Ky tregues, që përfaqëson braktisjen e shkollës, vjen duke u përmirësuar në vendet me prosperitet dhe rritje ekonomike. Një kthim pas lajmëron një perspektive jo të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
UNICEF vlerëson se braktisja e shkollës në Shqipëri ka si shkak varfërinë e skajshme, nivelin e ulët të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me komunitetin, dukuritë negative brenda shoqërisë, lëvizjet e popullatës, migrimet etj.
Ndikim në braktisjen shkollore ka niveli arsimor i prindërve të fëmijëve, lëvizjet demografike gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, emigracioni individual e familjar, prindërit e shkurorëzuar, dhuna në familje (dhuna në çift dhe ajo ndaj fëmijëve nga një prind apo nga të dy prindërit), humbja e njërit prej prindërve apo e të dyve, mentaliteti i prindërve për arsimimin e vajzave, ngujimi për shkak të gjakmarrjes apo hakmarrjes etj.
Shumë nxënës braktisin shkollën si pasojë të problemeve sociale. Fëmijë nga familje të ndryshme, kryesisht romë dhe egjiptianë, por jo vetëm të tillë, mbeten pa u regjistruar në shkollë, i shmangen shkollës për shkak të zhvendosjes familjarisht nga një qendër banimi në një tjetër, për shkak të emigrimit të njërit prej prindërve, të të dy prindërve ose të gjithë familjes në vendet fqinje apo dhe më larg etj.
Nga studimet është vënë re se ushtrimi i dhunës në shkollë çon në braktisjen e shkollës nga nxënës të cilët janë shpesh viktima të dhunës së ushtruar nga bashkëmoshatarët, por edhe të atyre që ushtrojnë dhunë. Këta të fundit kanë tendencë të përfshihen në banda kriminale adoleshentësh, të cilat përfshihen në vjedhje apo krime të tjera.
Edhe braktisja e fshehtë favorizon braktisjen shkollore sipas “ Monitor”. Lënia në hije, duke mos i aktivizuar të gjithë nxënësit, sidomos ata me vështirësi në të nxënë, i shkurajon nxënësit, i bën ata të humbasin besimin në aftësitë e tyre, të mbyllen në vetvete dhe të mbeten të papërfshirë edhe në veprimtari mësimore apo jashtëshkollore, ku mund të shfaqin aftësi personale e interes për të nxënë.

Arsimi, sektori më pak i financuar

Financimi i pamjaftueshëm i arsimit ndikon negativisht cilësinë e shkollimit, sidomos shtresat e varfra të popullsisë, të cilat buxhetet i përdorin kryesisht për ushqim dhe nuk kanë mundësi të tjera për të arsimuar fëmijët.

Arsimi është një ndër sektorët më pak të financuar në vendin tonë. Para viteve ’90, Shqipëria financonte më shumë se 4-5 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar së saj për sektorin e arsimit, një nivel ky ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD të jepnin në atë kohë, përgjatë viteve të tranzicionit sektori është financuar më pak se 3 % të PBB-së. Një nivel gati 40 % më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20 % më pak se financimet që japin vendet e rajonit.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2019 sektori u financua me 3.3% të PBB-së, një nivel i njëjtë me atë të vitit 2013, kur socialistët erdhën në pushtet. Ky është edhe financimi më i madh i bërë në 7 vitet e fundit për arsimin. Ne renditemi të fundit në rajon për shpenzimet dedikuar arsimit. Në vendet e tjera të Ballkanit ky tregues është në intervalin 4-4.5% të PBB-së.

Duke u tkurrur kanë ardhur edhe shpenzimet që familjet shqiptare kanë bërë për arsimin. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në vitin 2016, në buxhetet familjare shpenzimet për arsim zinin 4.4% të buxhetit familjar, teksa zbritën në 3.9% në vitin 2017 dhe në 3% në vitin 2018.