Apostol Kotani/Pas firmave piramidale, bonot e privatizimit, një tjetër mashtrim i madh i popullit nga pushtetarët

699
Sigal

Qytetarët i shitën bonot ato me vlera qesharake nga 5 deri në 2 për qind nga të cilat përfituan më të fortit, politikanët

Kur filloi shpërbërja e pronës së përbashkët dhe privatizimi i një numri ndërmarrjesh, pushtetarët në fuqi, për të siguruar mbështetjen popullore, shpallën dhe propaganduan me bujë të madhe se nga ky privatizim “të gjithë shqiptarët do të bëheshin pronarë”, nëpërmjet letrave me vlerë, me të cilat mund të bëheshin aksionarë në ndërmarrjet e privatizuara. Mirëpo ç’ndodhi?

Së pari, duhet thënë se, në ndërtimin e fabrikave, kombinateve, uzinave, hidrocentraleve, hekurudhave, institucioneve arsimore e kulturore etj., është djersa e gjithë popullit, qytetarëve, fshatarëve, rinisë dhe të përndjekurve. Pra të gjithë kishin pjesën e tyre, sepse të gjithë kontribuuan indirekt, por edhe direkt me punën e tyre fizike dhe me katër huat shtetërore, të cilat më në fund ja falën shtetit. Por nga kjo e drejtë u përjashtua fshatarësia, çka përbën një padrejtësi ndaj saj. Po edhe qytetarëve bonot e privatizimit që u emetuan, iu ndanë me pikatore. Në vitin e parë iu dha një përqindje fare e vogël, me të cilat nuk mund të blinin asgjë. Pas nja dy vjetësh iu dha edhe shuma tjetër. Por kjo pas “pilafit” kur ishin privatizuar shumica e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ndërsa për ndërmarrjet që u privatizuan më vonë apo që janë duke u privatizuar, as e përfill njeri kontributin e popullit dhe t’u japë pjesën që u takon nga kjo pasuri.

Por le të kthehemi tek bonot e shpërndara. Duke mos u krijuar mundësi qytetarëve të thjeshtë për të marrë pjesë në procesin e privatizimit, apo duke mos gjetur rrugë të tjera për përdorimin e tyre, bie fjala për të blerë materiale ndërtimi etj., qytetarët u detyruan t’i shisnin ato me vlera qesharake nga 5 deri në 2 për qind nga të cilat përfituan më të fortit, politikanët, duke krijuar tregun e lirë të bonove të privatizimit. Kur u pa se nga ky treg u bënë të pakënaqura masat që kishin fituar bono privatizimi, u përdor një metodë tjetër e grumbullimit të tyre nga duart e qytetarëve. U miratuan dhe licencuan dy shoqata të mëdha për grumbullimin dhe administrimin e tyre, shoqata “VETERANI” dhe “Anglo-Adriatika” dhe u propaganduan me të madhe me anë të mediave dhe shtypit duke ju bërë thirrje qytetarëve t’i fusnin në këto shoqata. Nuk mbeti mbrapa në këtë propagandë edhe Komiteti Kombëtar i Veteranëve për firmën “Veterani”. U propagandua gjithashtu se shteti këtyre dy firmave do t’u jepte mundësinë të bëheshin palë në ndërmarrjet e privatizuara. Por vetëm fjalë dhe vetëm fjalë. Disponuesit e bonove të depozituara në këto dy firma, të shqetësuar për fatin e bonove ngritën zërin e tyre, por ky zë ra në vesh të shurdhër, bile edhe protestave dhe shkrimeve të tjera në shtypin e përditshëm, as që kanë marrë mundimin qeveritarët dhe deputetët t’u përgjigjen qytetarëve, elektoratit të tyre. Ata interesohen për votuesit vetëm në fushatat zgjedhore. Kështu një e përditshme shqiptare e datës 25 janar 2001, me germa të mëdha shkruante se “Anglo-Adriatika transferon në Bullgari 50 milionë dollarë”. Më poshtë shkruan se 15 kuksianë bëjnë fajtor qeverinë që nuk i jep objekte kundrejt bonove. Po kjo gazetë më 5 shtator 2002 shkruan: “Fillon përdorimi në fshehtësi i letrave me vlerë” se: “Tërhiqen nga Banka e Kursimeve një miliardë lekë bono privatizimi “. Se tre letra i janë dërguar Kryeministrit me të cilat i kërkojnë sqarime rreth fatit të letrave me vlerë. Më poshtë thuhet se, shumë letra i janë dërguar edhe Ministrisë së Financave dhe se kjo ministri mashtron kreditorët etj..

A i lexojnë këto shkrime në gazeta dhe letrat e qytetarëve qeveritarët dhe institucionet e drejtësisë?

Një e përditshme tjetër e datës 2 qershor 2001 kritikon Qeverinë që nuk i dha asnjë herë të drejtën fondit Anglo-Adriatik për të blerë objekte me bonot e grumbulluara, edhe pse kishte lidhur kontratë. Kjo duhet thënë edhe për shoqatën “Veterani”. Shpresojmë që ky shkrim të bjerë në vesh të pushtetarëve, të deputetëve dhe t’i japin rrugëzgjidhje këtij problemi që prodhon pakënaqësi në heshtje tek qytetarët. Të bjerë në vesh të deputetëve dhe ta ngrenë problemin në Parlament, në veshët e organizatave jo qeveritare për të sensibilizuar opinionin publik, e pse jo edhe organizmat ndërkombëtare.