A vlerësohet mendimi shkencor në Shqipëri?

1061
Sigal

Prof. Alqi NAQELLARI

A bëhet shkencë në Shqipëri dhe, nëse bëhet, kush e shfrytëzon atë?

Në Shqipëri punohet për të bërë punë shkencore, përgjithësisht për të shkruar artikuj shkencorë. Prej tyre ka punime cilësore, por ka edhe punime për të mbushur listën e detyrimeve. Sa i përket sasisë, Shqipëria renditet e fundit në Ballkan me artikuj për 10 mijë banorë. Konkretisht në 2017, vendi ynë prodhoi 1.7 produkte shkencore për 10,000 banorë, e ndjekur nga Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, me respektivisht: 3.3, 4.49, 8.3 dhe 11.2 njësi. Kjo shifër tregon për një punë jo serioze të Organeve dhe Institucioneve të specializuara në fushën e shkencës, për përkrahjen dhe financimin e saj, sepse pa përkrahje dhe pa para nuk bëhet shkencë.

Në kushtet e Shqipërisë njerëzit e shkencës kanë pak pretendime, më së shumti ka idealistë dhe njerëz që e kanë si detyrim për të shkruar një numër të caktuar artikujsh, për të mbajtur vendin e punës. Problemi në Shqipëri, për mendimin tim, qëndron jo më shumë te numri i punimeve shkencore, sesa te shfrytëzimi i tyre prej Institucioneve që iu adresohen, institucioneve mbi objektet e të cilave shtrihen studimet. Këto Institucione interesohen pak për punimet e shqiptarëve, të pedagogëve, të profesorëve dhe shkencëtarëve shqiptarë. Më së shumti iu interesojnë mendimet e të huajve, sesa mendimet tona. Është e habitshme që studimet e shqiptarëve i vlerësojnë personalitete gjermane, angleze, indiane etj., dhe shumë pak ato shqiptare. Shikoni portalin https://www.researchgate.net/profile…… ose academia.edu sesa kërkohen artikujt dhe bashkëpunimi prej të huajve. Shikoni sa interes kanë institucionet shqiptare “shkencëtarët” apo “ekspertët e ekonomisë”. Këto punime kërkohen dhe lexohen më shumë nga studiuesit shqiptarë të Kosovës, sesa nga studiuesit shqiptarë të Shqipërisë apo nga Institucionet shqiptare për të cilat janë shkruar. Për të eliminuar këtë mangësi, që vërehet ngado, është e domosdoshme, që në çdo Institucion të krijohet: Departamenti i Shfrytëzimit të të rejave shkencore, në mënyrë që gjithçka që prodhohet të paktën të kalojë për konsum dhe, nëse përtypet apo jo është tjetër gjë.

Konferenca e AMF-së dhe shembulli i saj për shtetin

Organizimi i Konferencës Shkencore nga AMF-ja me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studentëve Universiteteve të Tiranës ishte një risi. Ishte risi, sepse pedagogët e ekonomikut, që kanë njohuri mbi Sistemin Financiar Shqiptar janë njerëzit më të specializuar që mund të japin një ndikim pozitiv për të sotmen dhe për perspektivën e punës së këtij Institucioni. Përse e themi këtë? Këtë e themi, sepse ky sektor është shumë pak i zhvilluar. Ai ka nevojë për studime të thelluara në mënyrë që të shtrijë ndikimin e vet në të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë dhe në të gjithë vendin. AMF-ja është pjesë e Sistemit Financiar Shqiptar, i cili është pak i njohur dhe pak i zhvilluar në Shqipëri. Konkretisht në vendin tonë është kjo situatë:

Pesha e segmenteve të sistemit financiar në përqindje ndaj PBB-së

Autoriteti Mbikëqyrës e licencues Sistemi financiar 2013 2014 2015 2016 6mI-2017
Sektori Bankar 90.5 91.7 91.3 94.9 92
Banka e Shqipërisë Institucione jo banka 2.5 2.7 2.7 2.9 2.8
SHKK dhe Unionet e tyre 0.8 0.8 0.7 0.6 0.5
Shoqëri sigurimi 1.6 1.7 1.9 2.1 1.9
AMF Fondet e pensionit 0.03 0.04 0.1 0.1 0.1
Fonde investimi 3.7 4.5 4.7 4.4 4.7

Sistemi financiar në Shqipëri ndahet në sistem financiar bankar dhe sistem financiar jo bankar. Autoritetet licencuese dhe mbikëqyrëse të sektorit financiar janë Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Banka e Shqipërisë licencon dhe mbikëqyr Sektorin Bankar, institucione jo banka, Shoqëritë e Kursim Kreditit (SHKK) dhe Unionet e tyre. AMF licencon dhe mbikëqyr Shoqëritë e Sigurimit, Fondet e Pensioneve dhe Fondet e Investimeve. Pra, siç shihet AMF-ja ka një rëndësi të madhe në ekonominë shqiptare, sepse është e lidhur plotësisht me fushën e siguracioneve, të fondeve të pensioneve dhe të investimeve. Në vendet e tjera vëllimi i transaksioneve në këto fusha kalon PBB-në e tyre. Në Shqipëri, këto fusha janë të pa njohura, në mënyrë të veçantë tregu investimeve dhe i pensioneve vullnetare.

Konferenca e Organizuar nga AMF-ja kishte si synim pikërisht edukimin financiar në funksion të rritjes ekonomike. Aty morën pjesë me qindra pedagogë e studentë të universiteteve shqiptare. U trajtuan tema nga të gjitha fushat, të patrajtuara ndonjëherë. Kjo ishte një risi dhe një shembull edhe për të gjitha Institucionet e tjera të pavarura që operojnë në Shqipëri. Aty u analizua shkalla e përqendrimit të tregut të siguracioneve. Kjo temë është e lidhur me primet e pagesave për mjetet motorike dhe për produktet e tjera vullnetare dhe të detyrueshme. Kjo temë ishte mjaft interesante dhe që u prit me mjaft kërshëri, në kuadër të aplikimit të sistemit të vlerësimit bonus-malus. Pedagogët e UMSH-së Angjeli-Naqellari dhe Shehu-Nikolla morën pjesë me dy punime në kuadër të bashkëpunimit. Punime interesante kishte në fushën e investimeve, në fushën e Bursës, e cila akoma vazhdon të mos jetë në lartësinë e duhur, pavarësisht se tani vonë është krijuar. U interpretuan punime në fushën e informatizimit të sistemit të sigurimeve, të sistemit të pensioneve etj. Për mendimin tonë Zoti Ervis Koçi dhe Zoti Pajtim Melani kanë një meritë në organizimin e kësaj Konference, sepse ato mendime që u dhanë aty nëpërmjet punës së dhjetëra profesorëve e studentëve nuk do t’i vilnin në asnjë formë tjetër. Ato punime i çelin vetë Autoritetit një fushë me detyrime për t’i realizuar, në mënyrë që ky Institucion të marrë rëndësinë që i takon në ekonominë e tregut. U përqendruam tek AMF-ja, sepse ka edhe katër Institucione të pavarura. Prej tyre Organizime të tilla ka bërë Autoriteti Konkurrencës. Konferencat e tij ndërkombëtare kanë bërë që Institucioni AK-së të jetë në pararojë të tyre, sepse e kanë thithur me kohë mendimin e inteligjencës shqiptare dhe të huaj. Këtë që e them për këto dy institucione nuk mund ta themi edhe për ERE-në apo ERU-në. Autoriteti Rregullator i Ujit e rriti çmimin e tij me një propozim të Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës kërkon para dhe si rrugën më të lehtë pa rritjen e nivelit të çmimit. Si Bashki që është nuk dha ndonjë argument shkencor, por thjesht u përqendrua në pjesën që zë buxheti i ujit në buxhetin e përgjithshëm të një familjeje. Logjika e Bashkisë është e falshme, por të veprojë me këtë logjikë edhe ky Autoritet kjo është absolutisht e pafalshme. Kam dëgjuar vetë përfaqësuesin e ERU-së në televizion kur nuk dha asnjë argument shkencor, pse e kishin rritur çmimin e ujit, por edhe ai thjesht e argumentoi me pjesën që zinin këto shpenzime në buxhetin e një familjeje. Për mendimin tim, kjo ishte një fyerje që i bëhet inteligjencës shqiptare, një fyerje që i bëhet shkencës shqiptare dhe tallje me shqiptarët fukarenj pa gjë të keq. ERU-ja duhet të drejtohet nga njerëz kompetentë e iniciatorë dhe kur Bashkia kërkon rritjen e çmimit të ujit, menjëherë duhet të thirret një Konferencë Kombëtare, me pjesëmarrjen e Universiteteve shqiptare. Pikërisht në atë Konferencë do të shihet dhe do të dalë qartë, nëse duhet të rritet çmimi i ujit apo duhet të ulet. Çmimi i Ujit, për mendimin tim, duhej të ulet dhe jo të rritej. Këtë e them, sepse Kompania e Ujësjellës-Kanalizimeve është Strukturë Tregu Monopol. Është Monopol Natyror, ashtu sikundër janë edhe Kompanitë shtetërore të prodhimit të Energjisë Elektrike. Kompania e Ujit është monopol natyror, sepse ka investimin fillestar shumë të lartë dhe në vite ka vetëm meremetime të mesme e të mëdha. Ka shpenzime të fuqisë punëtore thuajse fikse, dhe variabël energjinë elektrike. Me këtë strukturë rritja e prodhimit të ujit, kur uji nuk blihet, sepse e sjell natyra, niveli i çmimeve duhet të ulej dhe jo të rritej. Kjo është Brenda logjikës së një monopoli natyror, pa u futur në analizën e hollësishme të kostos. Duke ditur se Ndërmarrja del me fitim (Analizë që e ka bërë pedagogu V. Mici) pa paguar të gjithë klientët e saj, me një shfrytëzim thuajse 60% atëherë nuk kishte asnjë arsye të rritej niveli i çmimit. Organizimi i një Konference Kombëtare për këto probleme ‘do vinte pikat mbi (i)’, duhej apo nuk duhej rritur çmimi. Të jeni të sigurt se askush nga profesorët e Universiteteve nuk do t’i bënte llogaritë grarisht, sa zë në buxhet shpenzimi i ujit. Logjika e mbrapshtë e buxhetit i shkon për shtat atyre që nuk kanë problem paranë dhe jo atyre që mezi nxjerrin vaktet me bukë. Të njëjtën gjë do theksoja edhe për ERE-në.

A ka detyrim qeveria t’u kompensojë pronat dhe shtëpitë atyre që u përmbyten?

Kur Rama shkon në rrethe për bashkëbisedim me qytetarët, jo pak pyetje iu bënë për paratë që njerëzit nuk kanë marrë nga mbytjet e pronave të tyre në vite. Kryeministri iu kthen përgjigje duke dhënë argumente të ndryshme. Për mendimin tim, zoti Rama dhe ata që e shoqërojnë duhet ta thonë copë, troç në sy njerëzve. Ky nuk është sistem socialist, por është sistem kapitalist. Këtu nuk të mbron shteti nga agjentët atmosferikë, nga forcat e natyrës, sepse qeveria nuk është ombrellë. Në kapitalizëm ka Kompani Siguracionesh edhe për të mbjellat, edhe për bagëtinë, edhe për shtëpinë, edhe për jetën. Kështu këta njerëz të mësojnë të sigurojnë pronën e tyre dhe të mos i drejtohen qeverisë. Çfarë borxhi iu kanë qytetarët shqiptarë këtyre personave që kanë ndërtuar shtëpi në mes të fushës, në breg të detit, në buzë të kanaleve, nën këmbët e urave. Te Ura e Mifolit ai që ka ndërtuar shtëpinë poshtë Urës sa herë të dalë Vjosa do përmbytet. Kush ia ka fajin për këtë, Qeveria? Ia ka vetja e tij. Prandaj qeveria duhet t’iu thotë copë, se ka Organizma siguracionesh në Shqipëri dhe nuk është qeveria Nënë Tereza që sa herë mbyten duhet të hapë thesin. Edhe vetë Institucionet Arsimore Shqiptare që nga Gjimnazet duhet t’u kushtojnë vëmendje përgatitjes së orëve financiare të nxënësve të tyre, jo vetëm për Siguracionet, por për të gjitha këto shërbime.

Si ta kuptojmë ndërhyrjen e shtetit në ekonomi?

Kur Enti Rregullator i Ujit (ERU-ja) dhe Enti Rregullator i Energjisë (ERE-ja) rritën çmimet e ujit dhe të energjisë elektrike, opozita dhe qytetarët akuzonin për këtë rritje qeverinë, Ministrinë e Financave, Edi Ramën, Bashkinë dhe Erjon Velinë. Vetëm qeveria akuzohet për rritjen e nivelit të çmimeve, vetëm qeveria akuzohet për thellimin e borxhit publik, vetëm qeveria akuzohet për zhvlerësimin e euros etj., etj. Askush nuk foli për këto Institucione. Nuk foli as opozita që ekspertët e saj mbeten çdo natë në televizione pa kurrfarë argumentesh. Pyetja shtrohet pse ndodh kjo gjë? Pse për çdo problem akuzohet vetëm qeveria? Të gjitha këto akuza bëhen, sepse opozita dhe qytetarët nuk kanë të qartë, se nuk është vetëm Qeveria përgjegjëse për gjithë këto problem. Po atëherë kush është? Për gjithë këto probleme është përgjegjës Shteti, pjesë e të cilit është edhe vetë Qeveria. Kur them Shteti, nënkuptoj edhe institucione të tilla si Banka Qendrore, Autoriteti Konkurrencës, Enti Rregullator i Energjisë, i Ujit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare, të cilat konsiderohen si institucione të pavarura etj. Të gjitha këto Institucione të pavarura nuk kanë vartësi prej qeverisë, kanë vartësi prej Parlamentit të Shqipërisë. Parlamenti përcakton drejtuesit e tyre dhe pikërisht para tij japin çdo vit llogari. Askush prej tyre nuk varet nga qeveria dhe Edi Rama. Prandaj është e rëndësishme të dihen përgjegjësit e veprimeve që shpesh bien ndesh me interesat masive të qytetarëve shqiptarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke njohur përgjegjësinë e gjithë secilit prej tyre adresohen më konkretisht kritikat dhe kërkesa e llogarisë. Nëse qytetarët do dinin që përgjegjësia për ujin dhe energjinë nuk është e Ramës, në dëgjesat publike nuk do merreshin në pjesën më të madhe të kohës me to, por do merreshin me problem që i takojnë mirëfilli qeverisë për t’i zgjidhur.

A ka përgjegjësi vetë sistemi i arsimit të lartë për këto problem? Përgjigja është Po, edhe vetë Universitetet kanë përgjegjësi që në kurrikulat e tyre nuk përfshijnë lëndë që janë të lidhura pikërisht me këto autoritete. Shumë pak Universitete kanë në kurrikulat e tyre lëndë që janë të lidhura me Siguracionet, të lidhura me Fondet e Pensioneve, të lidhura me Autoritetin e Konkurrencës, të lidhura me ERE-në dhe ERU-në, me AKEP-in. Ka ardhur koha që Kurrikulat e Fakulteteve të Ekonomisë të përmirësohen dhe të mos jenë ato që kanë qenë 15-20 vite më parë. Kohët kanë ndryshuar. Studentët që diplomohen në Fakultetet e Ekonomisë nuk kanë asnjë njohuri mbi këto Institucione. Kur nuk kanë këta persona atëherë çfarë njohurish mund të kenë qytetarët? I vetmi Universitet në Shqipëri që bën lëndën “Ekonomiksi dhe Politikat e Konkurrencës” është Universiteti Mesdhetar. Pikërisht kjo lëndë bëhet nga njerëz të specializuar në Mikroekonomi, duke thirrur edhe punonjës të ftuar, si lektorë nga këto Institucione. Disa nga kapitujt e kësaj lënde merren edhe me autoritetet e pavarura që u përmendën më sipër. Kjo bëhet që kur studentët të përfundojnë ciklin e parë të kenë njohuri të plota mbi këto institucione, sepse një pjesë e tyre mund edhe të punësohen. Kjo lëndë iu nevojitet edhe ekonomistëve që punojnë në biznese private, sepse kanë lidhje me madhësinë e ndërmarrjeve dhe me mundësinë e rritjes së tyre. Ekonomiksi i Konkurrencës është Mikroekonomi e Aplikuar, që u hyn në punë konkretisht ndërmarrjeve për të mos u bërë Objekt i Autoritetit të Konkurrencës. Nëse Kompani të tilla; si Bankat, Telefonitë Celulare, Kompanitë e Gazit, të Karburantit, të Transportit etj., kanë specialist të fushës do kenë shumë më pak probleme nga sa kanë sot, sepse do dinë t’i përshtaten legjislacionit të sistemit të Konkurrencës në Shqipëri dhe në Evropë. Bashkëpunimi i Mesdhetarit me këto institucione është unik, dhe kjo shihet në disa aspekte si hartimi i marrëveshjeve të përbashkëta të bashkëpunimit, të kryerjes së praktikave mësimore të studentëve, të Konferencave të përbashkëta etj. Duke e përfunduar theksoj se është e nevojshme dhe e domosdoshme që mendimi shkencor shqiptar të përkrahet nga të gjithë dhe të mos mbetet vetëm në letër.