Ulen të ardhurat nga eksporti i bakrit për vitin 2013 me 23 %, bie çmimi i shitjes

837
Sigal

Eksplorimi, rezervat dhe eksportet e bakrit 2005 – 2013, fitimi 3.05 miliardë lekë

3.05 miliardë lekë është vlera që shënuan eksportet e bakrit në fund të vitit 2013, duke pësuar një rënie më 23% krahasuar më vitin 2012. Rënia e eksporteve në vlerë, për vitin e fundit ka ardhur kryesisht si pasojë e rënies së çmimeve të bakrit në shitje. Open Data Albania ka hulumtuar mbi ecurinë e eksporteve të bakrit, një prej mineraleve më të rëndësishëm dhe të çmuar që nxirret nga nëntoka shqiptare. Ky mineral eksportohet drejt tregjeve të huaja. Sipas të dhënave të autoriteteve doganore, eksportet e bakrit shënuan vlerë prej 3.05 miliardë lekë në fund të vitit 2013, duke zbritur me rreth 23% kundrejt vitit të mëparshëm. Rënia e eksporteve në vlerë, për vitin e fundit ka ardhur kryesisht si pasojë e rënies së çmimeve të bakrit në shitje. Si sasi, bakri i eksportuar në vitin 2013 kundrejt 2012-ës shënon rënie me bazë vjetore prej 17.7%. Nga viti 2005 deri në vitin 2013 çmimi i shitjes së bakrit për eksport ka pësuar luhatje të vazhdueshme. Sipas përllogaritjeve të Open Data Albania (eksporte në vlerë / eksporte në sasi) çmimi i bakrit në vitin 2013 është reduktuar në më shumë se 6% kundrejt vitit 2012. Bakri renditet sot ndër mineralet më të çmuara, që eksportohet nga Shqipëria.  Ai nxirret në zonën e Fushë-Arrzit dhe përpunohet në formën e koncentratit të bakrit në fabrikën e kësaj zone që administrohet përmes një kontrate koncesionare nga kompania turke, BerAlb. Në total, në Shqipëri nxirren në vit rreth 300 mijë ton bakër, i cili më pas përpunohet si koncentrat për t’u eksportuar. Sipas të dhënave të autoritetit doganor, kompanitë blerëse të bakrit të eksportuar, deklarojnë destinacione fillestare si Itali, Bullgari, Greqi, etj, por kryesisht këto nuk janë tregjet përfundimtare, por segmente tranzit për një treg final si Kina. Gjeografia e vendeve të deklaruar, gjithashtu ka pësuar luhatje në vitet 2005 – 2013. Në vitin 2013 rezultojnë të tkurrura shitjet drejt Italisë; Bullgarisë apo Greqisë, dhe shënon vlerën zero eksporti apo këmbimi tregtar për metalin e bakrit me kompani Gjermane. Gjatë periudhës së Socializmit, ekonomia ka pasur një industri me kapacitete domethënëse të përpunimit të bakrit në vend. Nga  kjo industri përpunuese metalurgjike e bakrit, e përqendruar kryesisht në Luginën e Lumit Fan, nxirrej dhe të përpunohej bakër e më tej prej bakrit edhe metali i arit që është sot ndër metalet më të çmuara në tregjet ndërkombëtare. Me liberalizimin e sistemit ekonomik është synuar që kjo industri të përqendrohet tek investimet e huaja, si dhënie me koncesion të vendburimeve dhe minierave. Rezervat kombëtare minerare të bakrit, përllogariten të jenë tridhjetë e dy milion ton. Kjo sasi rezervash gjendet në pesëdhjetë depozita apo miniera të ndryshme ekzistuese. Më konkretisht, depozitat e njohura sot të bakrit ndodhen në zonën e Korçës, Mirditës, Pukës, Shkodrës, Kukësit dhe në zonën e Hasit. Vetëm në zonën e Munellës, rrethi i Pukës, janë rreth tetë milionë tonë të rezervave të njohura të bakrit. Mirdita dhe Puka kanë potencialin më të madh bazuar në sasinë e prodhimit dhe numrin e minierave të bakrit. Bazuar në kushtet gjeologjike, morfologjinë dhe përbërësit, dallohen tre lloje bakri: plutonik, tipi quartz; vullkanogjen; vullkanogjen- sedimentar. Së fundmi me koncesion janë dhënë edhe katër miniera bakrit në zonën veriore të vendit, që pritet të shtojnë edhe më tej sasinë e këtij minerali që do të nxirret nga nëntoka shqiptare dhe më pas do të eksportohet jashtë vendit. Këto miniera ndodhen në zonën e Fushë-Arrzit dhe janë, Qafë-Bar, Palucë, Tuç, Fushë-Arrëz. Kompania koncensionare është përsëri BerAlb. Katër minierat e reja kanë një kapacitet prodhimi prej 50-70 mijë ton mineral në vit, ndërkohë që, vetëm Munella ka kapacitet prej 300 mijë tonë në vit. Këto katër koncesione të reja do ta çojë në rreth 400 mijë ton në vit sasinë e bakrit që të nxirret në vend, por duke mbetur ende shfrytëzim shumë i limituar me rezervat që ka nëntoka shqiptare.