Gjyqësor i korruptuar, me sekserë të sprovuar

549
Sigal

Vetëm për vitin 2013, dhjetëra vendime të kthyera nga Apeli e Gjykata e Lartë

Sistemi gjyqësorë prej vitesh ka pësuar transformime negative, duke pranuar në heshtje korrupsionin, dhe me rezerva reformimin. Prej afro dy dekadash, gjykatat japin vendime të paligjshme, të kontestuara nga shkallët më të larta. Vetëm gjatë vitit 2013, gjykatës së Durrësit i janë kthyer për rigjykim dhjetëra vendime nga Apeli dhe Gjykata e Lartë. Ndërkohë që, vetëm në periudhën janar- mars 2014 dhjetëra të tjera të kontestuara ligjërisht nga dy shkallët më të larta të gjyqësorit. Sipas statistikave arkivore mësohet se, me qindra procese gjyqësore kanë mbi 10 vjet që janë peng i sekserëve dhe avokatëve që luajnë me fatin e proceseve penale e civile, të pronave etj. Qindra procese të tjera gjyqësore që kanë të bëjnë me institucionet e shtetit, ku palë janë individë, apo edhe firma private. Proceset më të lakmuara janë padyshim ato penale (ndaj autorëve të vrasjeve apo trafikantëve), si dhe ato ndaj pronës. Mbi 1860 procese të tilla gjatë 4 viteve të fundit rezultojnë si antiligjore, që u kanë dhënë pronë “të fortëve”, politikanëve, trafikantëve, kontrabandistëve dhe zyrtarëve të korruptuar, duke dhënë vendime që kanë futur në kolaps institucione si ZRPP, KKKP, Doganën, dhe institucionet e tjera të shtetit. Rastet e sekserëve dhe avokatëve sekserë, janë me qindra, janë pjesë e punës në gjykata. Në lokalet dhe ambientet pranë gjykatës, dihen personat dhe tarifat e pashpallura, për fitimin dhe humbjen e një procesi gjyqësor. Kështu, për të fituar një gjyq prone duhet të japësh ‘cash’ nën dorë tek avokati 5 apo edhe 10 mijë euro, ndërsa një proces penal (vrasje, tentative vrasje apo trafik droge) pazari nuk pëson ulje përkundrazi rritet. Tarifat pothuajse janë të afishuara në zyrat e sekserëve madje të tjerë sekserë stacionohen atje ku afrohen hallexhinjtë që presin të bëjnë procesin gjyqësor, apo presin të hidhet shorti, duke rrëfyer emrin dhe adresën, si dhe llojin e penalitetit. Vetëm nga vendimet skandaloze të gjyqësorit, aktualisht janë në ZRPP mbi 1400 mbivendosje pronash, që nuk kanë gjasa të marrin zgjidhje ligjore edhe për 20 vjet, me pasoja për ish-pronarët. Alarmin e dhënë nga titullarë të institucioneve në Gjykatën e Durrësit, e quajnë “kundërvënie ndaj gjyqtarëve”, por skandali me vendimet e pronave dhe ato penale duket se mund të hapë një dosje të madhe hetimore. Në zyrat dhe korridoret e gjykatës, shpesh takon avokatë që pa trokitur hyjnë në zyrat e saj duke dorëzuar dhe marrë prej andej dosje dhe vendime të rëndësishme, kurse fakirët presin tek zyrat e tyre në ankth. Nga e hëna deri në të premten, sheshi para dhe pas gjykatës kthehet në “shesh luftimi” mes sekserëve dhe avokatëve, kush të zërë “gjahun” e majmë. Prej 5 muajsh një pensionist rreth të 70-tave kërkonte me ngulm të takohej me gjyqtaren e djalit tij, ( i cili vetëm 17 vjeç kishte vjedhur një celular dhe 2 karikuese dhe rrezikohej sipas avokatit të dënohej 7 vjet burg) por nuk ishte e mundur. Çdo ditë plaku vinte nga fshatrat e Kavajës, çdo ditë avokati i kërkonte gjobën prej 3.5 milion lekësh ndryshe djali “do të kalbej në burg”. Por skandale të tilla do të takosh me dhjetëra. Gjyqësori gjendet nën efektin e dehjes nga paraja dhe familjariteti që është krijuar prej vitesh . Vetëm gjatë 4 viteve të fundit gjyqësori me vendimet e veta ka penguar sistematikisht zbatimin e ekzekutimit të vendimeve ndaj 22 firmave dhe kompanive që i kishin shtetit borxhe që kapnin vlerat e 110 milion dollarëve. Natyrisht me ndërhyrjen e institucioneve si Dogana apo Tatimet falë edhe angazhimit dhe nismave antikorrupsion paratë nisën ti rikthehen arkës së shtetit. Gjyqësori faktikisht më shumë se kudo tjetër ka nevojë urgjente për ristrukturim dhe largim të gjyqtarëve të korruptuar nga detyra. Nga detyra duhet të largohen ata që në 8 vjet mbushën thasët me para nga gjyqet formale penale dhe ato të pronave, duke u tjetërsuar pronën dhe u mohuar lirinë të pafajshmëve, duke liruar të penalizuarit dhe të akuzuar. Nga detyra duhet të ikin sa më parë “bosët” e gjykatave, ata që proceset gjyqësore i nisin dhe bitisin me ujdi pazaresh, madje nuk nisin ditën e punës pa të tilla. Gjatë 2 viteve të fundit mbi 2 herë nga Ministria e Drejtësisë kanë ardhur grupe kontrolli duke qëndruar jo pak por 2 muaj në Gjykatën e Durrësit, por asnjëherë nuk janë publikuar rezultatet e tyre, masat dhe emrat e gjetur me shkelje ligjore. Kaq do të mjaftonte që në institucionin më të përfolur për korrupsion të niste reforma, duke larguar ata që veç të tjerave mbajnë të punësuar edhe sekserët dhe avokatët parazitë jashtë godinës.