Ahmetaj: Në QKR janë regjistruar 26 mijë biznese të reja

641
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, theksoi sot se 26 mijë biznese të reja janë regjistruar në QKR që prej nisjes së operacionit kundër informalitetit nga ana e Qeverisë. Në fjalën e mbajtur në Këshillin e Investimeve, të mbajtur sot pasdite, Ahmetaj e vlerësoi si tejet të suksesshëm aksionin e deritanishëm ndaj informalitetit, i cili, sipas tij, së bashku me një sërë masash të tjera të ndërmarra nga Qeveria, do të ndihmojë në arritjen e objektivit për të siguruar një rritje ekonomike prej 3 përqindësh për këtë vit. “Në fund të vitit, rritja ekonomike pritet të jetë në nivelet 2.7-3 përqind”, tha Ahmetaj. Më tej, ministri i Ekonomisë vlerësoi si pozitive për tërheqjen e investimeve të huaja daljen e Shqipërisë nga lista e zezë e vendeve që pastrojnë para dhe shtoi se po avancohet me ligjin për turizmin, industrinë dhe zonat e lira ekonomike. Ahmetaj deklaroi se numri i bizneseve të mbyllura për këtë vit rezulton në 2700 deri më tani. “Nuk ka një shifër më të madhe se ajo e vitit 2014 apo 2013, pra përtej normave të viteve të kaluara të mbylljes së natyrshme të sipërmarrjes. Pra biznesi vazhdon natyrshëm më shumë të hapet dhe shumë më pak të mbyllet. Shifrat e hapjeve të reja të bizneseve janë shumë inkurajuese, ndërsa ato që mbyllen janë ato të viteve të shkuara”, tha Ahmetaj.
Sigal