Dr. Isuf Hysenbegasi një shkollë për mjekësinë shqiptare

1000
Sigal

Dr. Isuf Hysenbegasi ka vite që nuk jeton, por në kujtesën e popullit të Vlorës ai nuk ka vdekur, pasi nuk mund të vdes kurrë një shëronjës i dëgjuar, një profesor i talentuar i otorinolaringologjisë shqiptare, një titan që i çau rrugët e jetës përmes vështirësive të panumërta. Kam vite që vras mendjen se si të shkruaj diçka për atë shëronjës model, të talentuar dhe jetëshpëtues për sa e sa pacient nga rrethi i Vlorës, Fierit e nga gjithë Shqipëria. Iu drejtova mikut të tij më të ngushtë, të paktën për 25 vitet e fundit të jetës së doktor Isufit, Dr. Thanas Haxhiut, i cili u tregua i gatshëm t’i përgjigjej pyetjeve të mia për doktor Isufin. Dr. Thanas Haxhiu është sot në pension. Ai ka qenë mjek ushtarak për shumë vite në qytetin e Vlorës dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dr. Isufit, si në spital, në poliklinikë dhe në jetën private dhe atë familjare. Edhe doktor Thanasi është një specialist  otorinolaringolog.

-Si e keni njohur Dr. Isuf Hysenbegasin?

Me Dr. Isuf Hysenbegasin jam njohur përmes një mikut tonë familjar Avokat Shefqet Shkupi, i cili me Dr. Isufin kanë qenë së bashku student në Paris. Prezantimi u bë në fillim të vitit ‘60 kur unë sapo kisha përfunduar specializimin për otorinolaringolog dhe transferohem në qytetin e Vlorës. Zoti Shefqet Shkupi krijoi mundësinë për një takim me Dr. Isufin dhe ky takim u realizua. Takimi u karakterizua nga një dashamirësi dhe doktor Isufi u shpreh: “O sa mirë dhe gëzohem që erdhi në Vlorë edhe një koleg dhe në veçanti një otorinolaringolog, i cili do të sjelli të rejat nga shkenca mjekësore. Nga ana ime e përshëndes dhe do të ketë ndihmën time modeste gjatë punës me të”. Doktor Isufi ishte me origjinë nga katundi Starovë e Korçës dhe rridhte nga një familje e pasur bejlerësh me shumë prona e blegtori, në fshat, krahinë e deri në Korçë. Ata kanë qenë edhe bamirës ku kanë ndihmuar shumë familje me gjendje ekonomike të dobët. I ati është marrë edhe me tregti dhe kishte bërë shkollën e mesme në Stamboll të Turqisë.

-Ku ishte shkolluar Dr. Isufi?

Doktor Isufi pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, regjistrohet dhe vazhdoi studimet në Liceun e Korçës duke i përfunduar ato me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të Liceut të Korçës prindërit e dërgojnë Isuf Hysenbegasin me studime në Universitetin e Mjekësisë në Paris. Atje diplomohet mjek dhe më pas iu dha e drejta për tu specializuar për otorinolaringolog. Rreth viteve 30 me anën e një miku të familjes Dr. Isufi sistemohet me punë në spitalin Gemeli në Romë Itali, ku njihet me një mjeke nga një familje e pasur tregtare italiane me të cilën martohet dhe nga kjo martesë lindi një vajzë. Në vitin 1941 për disa probleme familjare doktor Isufi vjen në Shqipëri, por situatat e krijuara të luftës nuk ia mundësojnë rikthimin përsëri në Itali. Në këto kushte doktor Isufi fillon punë në Spitalin Civil në Tiranë në pavijonin e Otorinos, ku shef i pavijonit ishte Dr. Zyma. Çlirimi i vendit e gjen doktor Isufin në Tiranë në spitalin civil. Ngjarjet në Ambasadën Sovjetike e përfshinë edhe doktor Isufin dhe vëllanë e tij inxhinier. Dr. Isufi arrestohet së bashku me vëllanë e tij dhe grupin tjetër të intelektualëve. Vëllai i vogël i doktor Isufit sakrifikoi veten për të shpëtuar doktorin. Ai i tha doktor Isufit: “Do të përgjigjem unë kur të thirret emri jot. Ti je doktor dhe duhet të jetosh dhe të kujdesesh edhe për familjen time”, dhe kështu ndodhi. Kur u thirr emri  Isuf Hysenbegaj, këtij emri iu përgjigj vëllai i tij, i cili u pushkatua së bashku me shumë të tjerë për rastin e bombës në ambasadën sovjetike. Dr. Isufi shpëtoi nga pushkatimi, pasi, sipas urdhrit që kishte dhënë Enver Hoxha, nuk duheshin bërë dy pushkatime nga e njëjta familje. Dr. Isufi përfundoi në burg, ku qëndroi rreth 6-7 vjet. Në burg Dr. Isufi mbajti një qëndrim shumë korrekt dhe dha ndihmesën e tij në kurimin dhe kujdesin e të burgosurve të tjerë. Vitet e para të burgut ai u trajtua keq, por më pas qëndrimi ndaj tij u zbut. Tre vitet e fundit të dënimit dhe pikërisht në vitet 50 Dr. Isufin e transferojnë në qytetin e Vlorës për internim, por me kusht që të ushtronte detyrën e mjekut në spital dhe poliklinikë.

-Çfarë përfaqësonte Dr. Isufi për mjekësinë e Vlorës?

Mjekësisë së Vlorës i erdhi një mjek specialist mjaft i përgatitur me njohuritë mjekësore bashkëkohore. Koha e vërtetoi që Dr.Isufi të shquhej për aftësi mjekësore dhe të fitonte një popullaritet të madh tek qytetarët vlonjat. Nga dita në ditë kishte arritje në trajtimin e sëmundjeve, sidomos ato të specialitetit të tija. Në konsulta mjekësore ai shquhej për mendimet shkencore të tij. Kërkesat për vizita tek Dr. Isufi u rritën shumë, jo vetëm nga qyteti i Vlorës, por edhe nga fshatrat dhe nga rrethet Fier, Lushnjë, Tepelenë e Sarandë. Komunikimi i Dr. Isufit me pacientët ishte shumë i ngrohtë, duke i sqaruar me durim. Dr. Isufi largohej nga vizitat vetëm atëherë kur në sallë nuk kishte mbetur asnjë pacient për vizitë, pavarësisht se kishte kaluar orari i vizitave.

-Cilat kanë qenë periudhat më të vështira të jetës së Dr. Isufit?

Gjatë jetës Dr. Isufi ka pasur edhe periudha të vështira. Së pari, mos kthimi përsëri në Itali pranë familjes, gruas dhe vajzës i larguar në vitin 1941. Dr. Isufi duhet të krijonte familje të re, por divorci me gruan italiane ishte shumë i rëndë, sidomos vajza mbetej pa kujdesin atëror. Dr. Isufi martohet përsëri në fillim të viteve ‘60 dhe nga martesa e dytë pati një djalë.

-Cilat kanë qenë disa nga ndërhyrjet më të vështira për shpëtimin e jetës së pacientëve që ka kryer Dr. Isufi?

Dr. Isufi ka bërë disa ndërhyrje të vështira tek pacientët në kockën mastoide, prapa veshëve, e cila infektohej dhe paraqiste rrezik jete për pacientët. Rastet e shpëtimit të jetës së pacientëve nga Dr. Isifi janë të shumta, por unë do tu tregoi njërin nga këta, i cili është shumë interesantë dhe i padëgjuar më parë. Rasti i një fëmije 10 vjeç nga fshatrat e Myzeqesë së Vlorës, i cili kishte 3-4 muaj që në çdo 6-7 ditë villte gjak nga goja. Fëmija ishte vizituar tek disa mjek dhe kishte bërë shumë analiza dhe grafi, por asnjëri prej tyre nuk i kishte dhënë zgjidhje dhe nuk kishin mundur të konkludonin se kush ishte shkaku që jepte hemorragji nga goja e fëmijës. I ati i fëmijës kur mori vesh se në Vlorë kishte ardhur një specialist për grykët e sjell fëmijën për vizitë. Dr. Isufi u interesua për vendbanimin e fëmijës, ushqimet që konsumonte, klimën e fshatit, furnizimi me ujë pusi kënete, ku në të kishte dhe shumë shushunja. Këto të dhëna ishin me rëndësi. Fëmija shtrohet në spital në pavijonin e otorinos. Dr. Isufi e ndoqi dinamikën e sëmundjes disa ditë, deri në momentin që fëmija villte gjak nga goja me sasi të kufizuar deri në 5 minuta. Gjatë konsultës së organizuar me këtë rast, Dr. Isufi dha mendimin që fëmija duhej operuar, sepse shkaku që fëmija villte gjak ishte ai i depërtimit të një shushunje gjatë pirjes së ujit nga burimi që kishte shumë të tilla. U ra dakord që fëmija të operohej, por operacioni ishte shumë i vështirë, pasi do të bëhej nënë gjuhë dhe kishte rrezik jete nga që aty kalojnë disa vena të rëndësishme dhe mund të shkaktonte një hemorragji të pandalshme dhe deri në humbje jete. Operacioni doli me sukses. Shkaku ishte një shushunjë që kishte depërtuar nën mukozën, ose cipën e nëngjuhës dhe ajo shkaktonte hemorragji, u shpreh Dr. Thanasi, por unë nga ana ime i tregova edhe një rast tjetër nga bëmat e dr. Isufit. Një shoku im gjatë viteve 80 hëngri një ëmbëlsirë tollumbë në mbrëmje dhe nuk e pa se brenda tij ndodhej një bletë. Kur ai kafshoi tullumbin bleta e thumboi në rrëzë të gjuhës, çka i shkaktoi menjëherë marrje mendsh dhe gjendje vilanie. Menjëherë u drejtua në spital pasi po i vështirësohej frymëmarrja. Gjendja u bë kritike pasi rrëza e gjuhës iu ënjt nga thumbi i helmët i bletës dhe iu bllokua frymëmarrja. U mblodhën shumë mjek dhe i vendosën oksigjenin për ta mbajtur në jetë, por kjo gjë ishte e vështirë. Secili nga mjekët në konsultë urgjente po jepte mendimin e tij. Dikush propozonte që të çahej në grykë për të  lehtësuar frymëmarrjen, por askush nuk po e zgjidhte situatën. U vendos që të thirrej me urgjencë Dr. Isufi, i cili ishte në pension. Dr. Isufi mbërriti në spitalin e Vlorës dhe vizitoi menjëherë pacientin. Ai kërkoi dhe menjëherë nisi ti bënte pacientit disa gjilpëra në qafë. I bëri 11 gjilpëra njëra pas tjetrës dhe kur po i bënte gjilpërën e 11 ndjeu që pacienti mori frymë lirisht. “Shpëtoi” thirri Dr. Isufi dhe u largua në shtëpi, duke marrë me vete mirënjohjen e prindërve të pacientit dhe simpatinë e kolegëve të tij. Ky ishte Isuf Hysenbegasi, doktori i famshëm otorinolaringolog i Vlorës dhe mbarë Shqipërisë.

-Cili ka qenë kontributi i Dr. Isufit në përgatitjen e mjekëve të rinj?

Duhet theksuar që Dr. Isufi ka dhënë një kontribut të madh në përgatitjen e mjekëve të rinj. Grup studentësh të Institutit të Mjekësisë në Tiranë sipas programit bënin praktikën një mujore në spitalet e qyteteve kryesore të vendit. Dr. Isufi i ngarkonte studentët me detyra, bashkëbisedonte me ta dhe i dëgjonte ata me vëmendje përgjigjet e tyre. Dr. Isufi ka botuar disa artikuj shkencor në shtypin e kohës dhe bëri studimin, “Flora në rrethin e Vlorës”. Një ndihmë u ka dhënë edhe dy mjekëve të rinj atëherë, Dr. Resulit dhe Dr. Vojsavës, të cilët u emëruan në pavijonin e otorinolaringologjisë pranë spitalit Rajonal të Vlorës.

-Cili ishte formimi shkencor i Dr. Isufit?

Gjatë 25 vjetëve që unë pata mundësinë të punoja me Dr. Isufin, kam vërejtur se ai kishte formim të mirë shkencor, jo vetëm për shkencat mjekësore, por edhe më gjerë, letrare, artistike, kulturore, sociale etj. Ishte studiues dhe në shtëpi kishte një Bibliotekë personale të pasur, por frekuentonte edhe Bibliotekën Publike të qytetit të Vlorës. Kur kishte kohë të lirë lexonte edhe ndonjë roman dhe frekuentonte edhe teatrin dhe aktivitete të tjera kulturore të rëndësishme. Gjithashtu, Dr. Isufi ishte tifoz për gjueti. Ai shkonte për gjah në Shashicë të Kaninës për thëllëza, në Sevaster për lepuj etj, si dhe në Tragjas për të peshkuar trofta aq të shijshme, ku me raste më dërgonte edhe mua ndonjë nga gjahu i tij. Kur Dr. Isufi doli në pension, ai punonte 2-3 orë çdo ditë në spital dhe poliklinikë. Ai më këshilloi edhe mua që kur të delja në pension të shkoja 2-3 orë në ditë në spital dhe poliklinikë, sepse puna të mban. Dr. Isufi vdiq në vitin 1988 në moshën 76 vjeçare. Në ceremoninë mortore kishte pjesëmarrje nga populli i Vlorës dhe nga fshatrat përreth. Tek mua Dr. Isufi ka lenë mbresa të paharrueshme. Këtë gjë jua tregoi edhe fëmijëve të mi, sidomos djalit të madh që u diplomua mjek në Universitetin e Bolonjës Itali.

-A ka lenë pasardhës Dr. Isufi?

Dr. Isufi ka lenë dy fëmijë, vajzën me gruan e parë në Itali, e cila mban titull shkencor dhe është anëtare e komisionit të FAO-s, Organizatës Botërore të Ushqimit OKB për vendet e lindjes dhe Ballkanit. Ajo ka ardhur dy herë në Shqipëri. Dhe djalin me gruan e dytë, i cili u diplomua në fillim për inxhinier në Universitetin e Tiranës, por në vitet 90 shkon tek motra në Itali dhe diplomohet mjek, ku aktualisht punon mjek në një nga spitalet e Romës, është i martuar me një vlonjate dhe ka dy fëmijë. Doktor Isufi zotëronte 4 gjuhë të huaja. Ai fliste shkëlqyeshëm frëngjisht dhe italisht dhe zotëronte mirë anglishten dhe turqishten, përfundon intervistën e tij për Dr. Isufin Dr. Thanas Haxhiu.

Në përfundim të kësaj interviste për një nga pionierët e otorinolaringologjisë shqiptare, Dr. Isuf Hysenbegasi, këtë shëronjës të dëgjuar të mjekësisë moderne shqiptare, do të ishte mirë që Spitali Rajonal i Vlorës t’i vendoste pavijonit të otorinolaringologjisë emrin  Dr. Isuf  Hysenbegasi, në shenjë respekti dhe nderimi për atë që shëroi dhe shpëtoi me mijëra jetë njerëzish në gjysmën e dytë të Shekullit të XX-të.