Akademik Muzafer Korkuti: “Ne përpiqemi që në rrugë shkencore t’i kalojmë këto pengesa”

484
Sigal

Akademik Muzafer Korkuti: Provokimit të ASHM do t’i përgjigjemi me shkencë

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Prof. Dr. Muzafer Korkuti, i cili ishte i pranishëm në shënimin e 100 -vjetorit të “Kryengritjes së Shtatorit 1913-Luftës së Petrinjës”, i ftuar nga Këshilli Organizativ- (Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni-dega në Strugë dhe Komuna e Strugës), i lutur për një prononcim lidhur me provokimin e bërë nga ASHM me “Enciklopedinë” që fyente shqiptarët dhe përkundër premtimeve për tërheqjen e sajë, ajo edhe më tutje mbetet në qarkullim dhe në përdorim nga ASHM, Akademik Muzafer Korkuti u përgjigj pa hezitim, me plot elokuencë, plasticitet, me urtësinë e shkencëtarit të kalibrit botëror.

 Cili është qëndrimi zyrtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, lidhur me “Enciklopedinë” e botuar dhe lëshuar në qarkullim e përdorim nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë?

 Akademia jonë e Shkencave ka ndjekur rrugën e debatit shkencor në kuptimin e botimit të materialeve për të gjitha periudhat. Në këtë rrugë të studimeve shkencore të mirëfillta, do t’i japim përgjigje dhe jemi duke dhënë përgjigje edhe pikëpamjeve e shtrembërimeve që janë bërë edhe në “Enciklopedinë” e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë. Kjo është rruga shkencore, kjo është rruga më e drejtë. Kjo ka një detyrim që i bie palës tonë që këto botime jo vetëm të Akademisë së Maqedonisë por edhe në përgjithësi për opinionin shkencor është e domosdoshme që t’i botojmë në gjuhë të huaj, që t’u japim mundësi studiuesve të njohin nga themeli argumentimin shkencor që bën shkenca shqiptare për problemet e shkencës shqiptare, përkatësisë ilire, problemet e lashtësisë, problemet e shtrirjes territoriale, të gjitha problemeve që janë pleksur që janë nevojë me fqinjë, sepse në antikitet midis territorit të Ilirisë, pjesës së Dardanisë dhe pjesës lindore të Thrakisë, natyrisht ka pika takimi dhe gërshetim kulturash. Qytetërimet kanë dhënë e kanë marrë nga njëri- tjetri. Kjo është edhe sot në shkencë:-ne do japim e do marrim, por gjithnjë me argumentim shkencor.

 A keni ndonjë marrëveshje konkrete?

Ne kemi rënë dakord në marrëveshjen që kemi për vitin 2011-2012 në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, të botojmë një vepër të historianit Kristo Frashëri, “Historia e qytetërimit shqiptar”. Akademia e Shkencave të Maqedonisë, ka angazhuar përkthyes, është përkthyer nga shqipja në maqedonisht dhe është rënë dakord që të botohet nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë, por me kërkesën tonë. Aty janë shprehur pikëpamjet e autorit, Prof. Kristo Frashërit. Shpresojmë se këtë vit ky libër të botohet. Maqedonisë do t’i shërbejë, respektivisht studiuesve për ta parë realisht pikëpamjen e argumentimin e studiuesve tanë, që realisht sjell studiuesi. Por, në bashkëpunim kemi edhe një plan tjetër më të gjerë me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë. Në vjeshtë, në Tetovë do të organizohet një konferencë ndërkombëtare për Liqenin e Ohrit. E parë me këtë rast në këndvështrimet  biologjike, ambjental, historike, kulturore ku do të kontribuojnë edhe studiues nga vendet tjera jo veç Shqipëria e Maqedonia. Kjo është rruga e bashkëpunimit, kjo është rruga e zgjidhjes së atyre probleme që herë -herë marrin tendenca të theksuara politike dhe shkojnë drejtë shtrembërimit të fakteve dhe argumenteve dhe të vërtetës historike.

 Me cilat akademi keni bashkëpunim më të mirë, më të afërt, duke theksuar se në bashkëpunimin me ASHM vërehet një ngecje, përkundër përpjekjeve për tejkalimin e ngecjes?

 Në lidhjet dhe marrëdhëniet më të mira dhe më të ngushta i kemi me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që është edhe e natyrshme, sepse jemi pjesë e një treve e një populli që studiojmë bashkërisht historinë dhe kulturën. Kjo që theksuat lidhur me disa mospërputhje, me disa mendime të ndryshme me Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, vjen edhe nga një periudhë e kaluar, nga një periudhë relikti, periudhë që i ka kaluar koha, por ajo i ka lënë gjurmët. Ne përpiqemi që në rrugë shkencore ti kalojmë këto pengesa dhe të shkojmë drejtë të vërtetës historike. Kështu është rruga jonë.

  Si pritet nga Maqedonia botimi i Enciklopedisë, kur pavarësisht se, botimi i tyre i parë-që kanë bërë të ditur se do të tërhiqet ajo vazhdon të jetë në qarkullim dhe varianti i tyre për shqiptarët në Maqedoni deri diku është tërhequr?

 Çdo Akademi ka autonominë dhe pavarësinë e vet. Kjo është një kusht themelor i çdo akademie dhe çdo akademiku. Kështu pra, Akademia e Shkencave të Maqedonisë do të votojë variantin tjetër. Është çështje tjetër që ne nuk imponojmë që ata të shkruajnë siç mendojmë neve. Ne do të botojmë, ata le të botojnë. Studime monografike njëra palë, studime monografike pala tjetër, artikuj njëra palë, artikuj pala tjetër, pra kjo është rruga e debatit shkencor. Ne nuk mundemi të ndërhyjmë edhe për ndonjë Akademik tonin që boton në Tiranë në qoftë se ai ka pikëpamje që do të diferencohej nga ndonjë profesor tjetër. Ne shkojmë që këto të jenë të menduara, me argumente shkencore, të mbështeten në fakte. Ky është kriteri që të pranohet një botim. Kjo është e drejtë plotësisht e autorit.

 Po u tha se ajo enciklopedi do të tërhiqet, por…?

 Është çështje e qëndrimit të Asamblesë së Akademisë, së Maqedonisë.

 Ju do t’i përgjigjeni me një libër tuajin?

 Kjo është rruga…rruga e botimit të Enciklopedisë, të monografive dhe kontakteve direkte. Unë përmenda një shembull: Konferenca që do të bëjmë për Liqenin e Ohrit është një bashkëpunim i ngushtë. Kjo është rruga, ndryshe si do të merremi vesh.

 Pra me shkencë do t’i përgjigjeni?

Po, me shkencë, kjo është rruga sot dhe në të ardhmen.

 Mehmet Latifi-Strugë, 29 shtator