Dalip GRECA/ Shkarkimi i Konsullit të Përgjithshëm, Dritan Mishto, nuk i bën nder as Kryeministrit Rama

830
Sigal

Një përfaqësi e Kryesisë së Vatrës, i përbërë nga kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, Dr. Gjon Buçaj, dy nënkryetarët, z. Agim Rexha, z.Asllan Bushati dhe editori i “Diellit”, z. Dalip Greca, bëri të dielën me 29 shtator, një vizitë në zyrën e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në NewYork.   Qëllimi i vizitës ishte për t’i shprehur zotit Dritan Mishto solidaritetin e “Vatrës” me rastin e shkarkimit të tij nga detyra e Konsullit të Përgjithshëm.

         Kryetari i “Vatrës”, Dr. Buçaj, e cilësoi shkarkimin para kryerjes së mandatit si befasi dhe shqetësues pse dëmton klimën e bashkëpunimit të nevojshëm për një qeverisje të suksesshme për vendin dhe që nuk i bën nder as Kryeministrit për këtë akt të pa arsyetuar. Kryetari Buçaj e falënderoi z. Mishto për bashkëpunimin me “Vatrën” dhe me komunitetin në përgjithësi, si dhe për kryerjen e detyrës me përkushtim e profesionalizëm, duke i uruar suksese dhe arritje në të ardhmen dhe duke i siguruar se derën e “Vatrës” do ta gjejë gjithmonë të hapur e dashamirëse. Vizitorët shprehën, gjithashtu, edhe solidarizimin njerëzor për vështirësitë praktike që në këtë rast do të përballojë familja Mishto, me fëmijë në shkollë.

              Shkarkimi i Konsullit të Përgjithshëm Dritan Mishto duket si një veprim jo thjeshtë i nxituar, por i paramenduar dhe i ekzekutuar me turravrap, duke shkelur procedurat ligjore. Në procedurë ka primitivizëm dhe hakmarrje të hapur. Konsulli Mishto nuk e ka mbaruar mandatin e tij, madje duhet më shumë se një vit që ta  përfundonte detyrën. A nuk mund të priste zoti kryeministër edhe një vit për të sjellë mikun e tij të besuar? Ç’qe gjithë ky nxitim? Pastaj, si mund të shkarkohet pa motiv Konsulli i Përgjithshëm dhe pa e paralajmëruar sipas statusit dhe Kodit të Punës! Më shumë se katër muaj para largimit u mësua lajmi i zëvendësimit të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, po së paku Edi Rama të plotësonte kërkesën e minimale për 72 orë.

         Urdhri i shkarkimit shoqërohet nga ultimatum: “Urdhri hyn në fuqi menjëherë.”

            Nuk po trajtojmë anën njerëzore; a ka familje ky diplomat, a ka fëmijë në shkollë? Sa kohë i duhet që të përgatitet, sa kohë i duhet të bëjë dorëzimet. Sa kohë i duhet të kryejë procedurat protokollare me homologët, trupin diplomatik dhe shoqatat e organizatat e diasporës shqiptare jo të pakta në numër?

               Kryeministri erdhi në New York së bashku me urdhrin e shkarkimit, i cili mban datën 20 shtator. Ka vetëm një fjali ai urdhër “Zoti Dritan Mishto, Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në New York, SHBA, të lirohet nga kjo detyrë”. Poshtë emri dhe firma e Kryeministrit Edi Rama.

          Po motivi i shkarkimit? Në urdhrin e shkarkimit nuk shkruhet asgjë, por Kryeministrit nuk iu durua, e publikoi atë në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku në fjalimin e tij gjeti vend për t’u bërë të ditur shqiptarëve dhe amerikanëve se Konsullin e Përgjithshëm e kishte shkarkuar, duke denigruar publikisht figurën dhe punën e tij, në prezencë të vetë konsullit, bashkëshortes dhe komunitetit në tërësi.

           Ka dhe një anë tjetër të kritikueshme deklarimi i Kryeministrit në Darkën gala të Këshillit Kombëtar; ajo nuk ishte mbledhje e Partisë Socialiste, ku ai në prani të qindra vetëve, të zyrtarëve të lartë të departamentit të shtetit amerikan, ndihmës sekretarit të shtetit, kongresisteve dhe personaliteve të larta, të hakmerrej ndaj një diplomatit të shtetit, duke thyer edhe rregullat më elementare të një darke të tillë.

             I mbetet organizatorëve të darkës, të cilët duhet t’i kërkojnë ndjesë Konsullit të Përgjithshëm Dritan Mishto, që podium i tyre u përdor për një hakmarrje personale dhe denigrim individual.

          Është për të ardhur keq që ky urdhër erdhi në një kohë kur konsulli ishte i përfshirë në axhendën e vizitës së Presidentit Nishani në SHBA. Dhe ai e kreu shkëlqyeshëm këtë detyrë së bashku me ambasadorin Gilbert Galanxhi, edhe pse ishte i shkarkuar. Ndoshta Kryeministri ka dashur t’ia vështirësojë më shumë vizitën presidentit, prandaj e plasi urdhrin sapo zbriti nga aeroplani! Vetëm shqiptarët mund të veprojnë kështu.

            Shkarkimi që i është bërë Konsullit ka prapavijë; nga njëra anë paralajmëron fushatën e spastrimeve, nga ana tjetër nxjerr edhe karakterin hakmarrës të Kryeministrit. Përse ka hakmarrje në veprimin e Edi Ramës? Ai ka pasur konflikte personale me konsullin që prej 13 vitesh.

          Historia e përplasjeve ka nisë herët që në vitin 2000. Në atë kohë Edi Rama ishte ministër i Kulturës dhe Mishto aso kohe kryente detyrën e juristit në Ministri.   Rama e pushon në mënyrë të paligjshme juristin Mishto sepse ai nuk pat pranuar që të firmoste tenderat klienteliste të ish- ministrit. Ish -kryetari i opozitës së asaj kohe, Dr, Sali Berisha e denoncoi këtë fakt në Parlament dhe publikoi dosjet.

       Përballja do të vazhdonte edhe më pas; z.Mishto, si këshilltar i kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale 2000, denoncoi shkeljet ligjore në veprimtarinë e kandidatit Rama duke ndezur një konflikt tjetër personal mes tyre.

                  Dritan Mishto në vitin 2005 emërohet zëdhënës i kryeministrit dhe shpesh përballej me presionet e Edi Ramës, sidomos gjatë tensionimit të situatës, kur qeveria e atëhershme vendosi prishjen e mbikalimit në Zogun e Zi. Kjo situatë u kthye në një kalë beteje mes dy kampeve politike.

           Inati dhe vendimi për hakmarrje totale ndaj z. Dritan Mishto duket se Kryeministri Rama e mori në Mars të vitit 2010, kur atëherë kryetari i Opozitës e kishte  bojkotuar Parlamentin, erdhi në SHBA dhe mbajti një fjalim në Institutin e Paqes në Washington DC, në prani të zyrtarëve të lartë të Departamentit të shtetit, Kongresit, etj.. Në emër të institucioneve shqiptare flet qetësisht diplomati Mishto, duke parashtruar fakte të cilat errësuan prezantimin e Ramës, nervozizmi i të cilit arriti në atë masë saqë deklaroi publikisht se Dritan Mishto  ishte një kopje e shëmtuar e Kryeministrit Berisha. Ky debat personal nga ana e Edi Ramës  duke e futur diplomatin Mishto në tabelën e qitjes së kundërshtarit politik përfundoi me kërcënimin e Edi Ramës në raport personal dhe jashtë çdo etike: “do ta shohësh kur të vij unë në pushtet se çfarë do të ndodhë”.

         Rama e mbajti fjalën e mbrapshtë. Si fitues i zgjedhjeve të qershorit 2013, ai e filloi të parin shkarkim me Konsullin e Përgjithshëm Mishto. Akti është vërtetë qyqar, hakmarrës dhe tepër primitive për një kryeministër.

         Në logjikën juridike dhe logjike duket se Kryeministri Rama ka shkelur çdo rregull. Vendimin Nr. 139, Datë 20 Shtator 2013 është firmosur nga kryeministri Edi Rama, kur sipas të dhënave rezulton se ai ka dalë jashtë kufirit shtetëror në orën 4:30 të mëngjesit. Pra, dikush firmos kur Kryeministri është në avion? Kur e ka firmosur Kryeministri këtë shkresë? Në cilin vend e ka firmosur, pasi në bazë të ligjit funksioni i kryeministrit në aspektin e firmosje së shkresave zyrtare ushtrohet në selinë e kryeministrisë?

          Me një hakmarrje personale të detajuar, Kryeministri prish edhe atë praktikë të Ministrisë së Jashtme  për kthimin e diplomatëve: Kryeministri Rama i ndërpret mësimin fëmijës së mitur 7 vjeçar të diplomatit dhe humbjen e vitit shkollor. Hakmarrja e Kryeministrit Rama ndaj diplomatit Mishto bie kësisoj edhe mbi familjen e tij.

            E pra, Kryeministri Edi Rama na e tregoi të gjithëve, në mes të New York-ut, në kryeqendrën e demokracisë se kur bëhet fjalë për hakmarrje ai nuk pyet as për ligjin, as vendin ku mban fjalimin, as për pjesëmarrësit, as për miqtë e huaj e të nderuar dhe për asgjë, përveç plotësimit të vendimeve të tij personale.

           Kryeministri duket se, e ka nisur ta keq qeverisë Shqipërinë tonë. Vendet e punës të premtuara me shumicë ai po i përllogarit duke shkarkuar kundërshtarët politik, për t’i zëvendësuar me militantët e vet. Provokimi me heqjen e fotografisë  së kreut të shtetit nga zyrat e shtetit, nuk premton asnjë sinjal pozitiv, asnjë ndryshim për përmirësimin e klimës së bashkëpunimit me opozitën. Shkatërrimi i Gardës , është një tjetër precedent, që nuk dërgon sinjale pozitive për institucionet shqiptare. Listës së konsujve të shkarkuar, përveç Dritan Mishtos, i janë shtuar këto ditë edhe: Konsullja në Milano, Nausika Sapiha, konsulli Jako Dako në Janinë, Riza Poda, konsull i përgjithshëm në Selanik, Bashkim Bekteshi, konsull në Bari, Ermal Muçën, konsull në Stamboll.

       Ngadalë zoti Kryeministër, e ke marrë me vrap!