Ilirjan Sulkja: “Çdo gjë që kam arritur e kam falë profesionit dhe formimit tim artistik”

946
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, koreografi Ilirjan Sulkja, drejtor i teatrit “Skampa” në Elbasan

I ri në moshë, por shumë i talentuar dhe mjaft i dashuruar me profesioni e tij, e kemi fjalën për koreografin e mirënjohur, njëherazi dhe drejtorin i teatrit “Skampa” në Elbasan, Ilirjan Sulkja, i cili në një intervistë për gazetën “Telegraf” tregon për jetën dhe profesionin e tij. Sulkja tregon se si i lindi dëshira për artin dhe në veçanti për koreografinë. Gjithashtu, ai flet për koreografitë që ka realizuar deri tani se çfarë projektesh ka në plan për të ardhmen duke theksuar këtu se po punon për vënien në skenë balet premierë “Hirushja”.

Për të gjithë ata që nuk të njohin, kush është Ilirjan Sulkja?

Që i vogël, flasim këtu kur kam qenë në klasën e katërt, doja të konkurroja për pikturë në shkollën artistike “Onufri”, në Elbasan, por prindërit e mi nuk ishin dakord me zgjedhjen time. Kështu që vazhdova shkollën 8-vjeçare “Jeronim De Rada” në Elbasan. Ishin vitet kur ekzistonin akoma klasat e fundit sportive, një nga të cilat ishte dhe klasa, ku unë u bëra pjesë. Them klasat e fundit sportive pasi pas 2 vjetësh ato u mbyllën. Si çdo fëmijë dhe unë isha në kërkim të diçkaje që të më bënte ndihesha mirë dhe një ditë shkova në Shtëpinë e Pionierit sot Qendra Kulturore e Fëmijëve për t’u regjistruar në kursin e valleve. Nuk qëndrova gjatë, disa ditë, pasi prapë babai im nuk ishte dakord që unë të bëhesha artist, ai deri vonë ëndërronte që unë të bëhesha një avokat.

Si lindi dëshira për koreografinë?

Gjatë shkollës së mesme, që e kam përfunduar tek gjimnazi “Ahmet Dakli”, nëpër festat që zhvillonim kërceja ritmet e muzikës të atyre viteve, Michael Jackson, Madonna, Prince, etj.. Po si mësova? Shikoja fshehurazi stacione italiane, me antenat që i sajoja së bashku me shokët e pallatit, pasi atëherë nuk lejohej të ndiqje stacione të huaja, konsideroheshin “shfaqje të huaja”. Kthesa e madhe politike e viteve 1991 solli një ditë në shkollën tonë koreografin Artan Ibërshimi, i cili ndihmoi shkollën tonë për të realizuar një shfaqje. Aty kam debutuar për herë të parë në skenë dhe si solist. Gjatë viteve vazhdova të përgatitesha për të plotësuar ëndrrën time, të studioja në Akademinë e Arteve, ku konkurrova në vitin 1993 dhe fitova. Gjatë viteve të studimit në akademi, kam patur fatin të jem student i profesorëve më të mirë të baletit dhe koreografisë shqiptare, kam dëshirë të përmend disa që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në formimin tim profesional: Luan Shtino, Skënder Selimi, Sadik Batku, Engjëll Tërshana, por gjithashtu, dhe pedagogët Shpëtim Dajçi, Donald Martini, Gjergj Prevazi si dhe Kozeta Bakiun që dhe pse nuk ishte pedagogia jonë gjithmonë na ka ndihmuar që të rriteshim profesionalisht.

Nëse nuk do ishit bërë Koreograf, cili do të ishte profesioni i zgjedhur nga Ilirjani?

Të jesh e sigurt që do isha bërë prapë artist, ndoshta do isha bërë regjisor.

Sa koreografi keni realizuar deri tani?

Janë shumë, pasi në këto vite ndonëse kam punuar si drejtues, por nga profesioni s’kam hequr dorë. Kam punuar për 6 vjet si pedagog i jashtë pranë Fakultetit të Artit Skenik, falë besimit që pati tek unë profesori, sot miku im, të cilin e falënderoj, Gjergj Prevazin si dhe mbështetja e Dekanit të asaj kohe që sot është Rektor, Petrit Malaj dhe ish-rektori, sot Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, Kastriot Çaushi. Kanë qenë vite, të cilat ndihmuan akoma në formimin tim profesional. Kuptohet që vend të rëndësishëm zë dhe puna krijuese e viteve si pedagog në akademi, por gjatë këtyre viteve kam realizuar:

-Koreograf tek muzikali “Kësulëkuqja”, regjisor Milto Kutali, vënë në skenë me studentë të Akademisë së Arteve, pjesëmarrëse në Festivalin Ballkanik të Aktorëve.

-Koreograf tek vepra “Kërcuri”, me regji të Pëllumb Kullës, realizuar me trupën e Teatrit të Fierit.

-Libretist dhe Koreograf i Tablosë Koreografike “Shqipëria Ime”, me muzikë të Elis Lloshi.

-Koreograf  i Muzikalit për të Rinj “Piter Pani dhe Ditëlindja e Uendit”, autor dhe regji të Genti Gejko, etj..

Cila është ajo koreografi që të ka sjellë më shumë sukses në karrierën tënde?

Është e vështirë të ndash veç se kush është më e bukur.

Sa ju ka ndihmuar ky profesion në jetën tuaj profesionale?

Shumë. Çdo gjë që kam arritur e kam falë profesionit dhe formimit tim qytetar e artistik.

Cilat janë projektet e tuaj të realizuar deri tani? 

Kam realizuar shumë punë me nxënësit e mi këtu tek shkolla ime e vogël. E kam pagëzuar me emrin “House of Art – iDANCE”. Ja disa nga punët e krijuara në vite:

· Koreograf i shfaqjes “Mbrëmje Baleti” me personazhe nga bota e Walt Disney

· Libretist dhe koreograf tek “Dasma Elbasanase”, realizuar në bashkëpunim me TV Top-Channel tek programi Tradita e Dasmave Shqiptare dhe Ansambli “Isuf Myzyri”.

· Koreograf dhe Libretist i Premierës se Baletit “Ëndrra ime”

· Koreograf i Premierës Baletit “4 Stinët e Vitit”, muzika Antonio Vivaldi

· Skenarist dhe Koreograf i shfaqjes “Puro Folklore”, shfaqje me repertor folklorik nga treva të ndryshme të Shqipërisë dhe Ballkani.

Do doja gjithashtu të shtoja dhe bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Dancit Sportiv, me presidente Linda Spahon, bashkëpunim i cili është shumë vjeçar dhe për ne ka dhënë frytet e saj, pasi nga shkolla “House of Art – iDANCE” kanë dalë talente, të cilët kanë marrë vlerësime kombëtare dhe ndërkombëtare, me kampionë nënkampionë dhe vende nderi në aktivitete ndërkombëtare, kjo dhe me punën dhe bashkëpunimin me profesionistin Erind Sallahi.

Cilat janë projektet e tua në të ardhmen?

Aktualisht jam duke punuar për të vënë në skenë, balet premierë “Hirushja” dhe botimin e dy librave që lidhen me profesionin tim të koreografit.

Projektet e teatrit “Skampa”

Jemi duke u përgatitur për të zhvilluar edicionin e 15-të festivalit ndërkombëtar teatror “Skampa 2013”, që do të zhvillohet në muajin tetor, në qytetin e Elbasanit me pjesëmarrjen e shumë trupave nga vende të ndryshme të Europës. Në gjithë këto vite kemi bashkëpunuar me artistë, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, ata janë, regjisorët: Adonis Filipi, Alfred Trebicka, Milto Kutali, Donald Hasani, Haxhi Rama, Mehmet Xhelili, e shumë të tjerë, aktorët : Ilir Sadiku, Hysen Mullajonuzi, Flutura Godo, Marin Orhanasi, Ledio Lako, Romir Zalla, Salsano Rrapi, Eriona Kakeli, Desantila Kristo, pa harruar punën e mrekullueshme të skenografëve: Fatbardh Marku, Ilir Martini, Erald Bakalli, etj.. Në këtë vazhdë bashkëpunëtorësh vlerësoj dhe punën profesionale të stafit artistik të Teatrit “Skampa” të cilët me sakrifica mundohen të japin kontributin e tyre profesional.