Inxhinieri Sotir Andrea, personalitet I shquar i energjetikës shqiptare

1043
Inxhinieri Sotir Andrea, ka lindur në Korçë në vitin 1926. Mbas mbarimit të gjimnazit (Ish Liceut të Korçës) në vitin 1947, me rezultate shumë të mira, duke marrë edhe çmim mature, filloi studimet e larta në Lubjanë (Slloveni) në degën e inxhinierisë elektrike dhe nga viti 1948, i vazhdoi ato në Pragë, ku në vitin 1952 u diplomua. Mbas kthimit në Shqipëri në vitin 1952, ka punuar në ndërtimin e TEC-it të Tiranës. Në vitin 1953, u transferua në Ndërmarrjen elektrike në Durrës. Mandej në vitin 1956 u transferua si pedagog në Institutin e Lartë Politeknik dhe me krijimin e Universitetit të Tiranës, kaloi pedagog në Katedrën e centraleve Elektrike, me shef katedre Prof. Petrit Radovicka. Në vitin 1966, për motive biografike të sajuara, u qarkullua në Ndërmarrjen e Tensionit të Lartë, ku punoi deri ne vitin 1976 e mandej, me dëshirën e vet, kaloi si mësues në Politeknikumin e Mbrëmjes, ku punoi deri kur doli në pension, në vitin 1984. Gjatë aktivitetit të tij rreth 35 vjet, është marrë me zgjidhjen e mjaft problemeve teknike të energjetikës në vendin tonë dhe ka kryer një sërë studime të karakterit energjetik, si dhe botimin e disa librave e artikujve shkencore (shih bibliografinë me punimet e tij). Po kështu, si pedagog, ai ka dhënë ndihmesën për diplomimin e disa qindra inxhinierëve elektrikë. Në vitin1959, inxh. S. Andrea, ka kryer një studim madhor (20) e me rëndësi të veçantë në shkallë kombëtare, si ai për elektrifikimin e Shqipërisë, që ju ngarkua atij nga Prof. Petrit Radvicka, sipas vendimit të Byrosë Politike. Po në vitin 1959, ka kryer një tjetër studim mjaft të rëndësishëm, e me vlerë kombëtare për zgjedhjen e tensionit 20 KV, si një tension më ekonomik midis atij 6 dhe 35 KV, në shpërndarjen e energjisë (19). Ne referatin e mbajtur për këtë çështje, asistoi edhe zv/Kryeministri Spiro Koleka, por studimi nuk u aprovua nga qeveria, për shkak se: “tensioni 20 KV, nuk është standard në Bashkimin Sovjetik, e për rrjedhojë, do të shkaktonte një dëm të madh ekonomik”. Ndërsa pas 33 vjetësh (në vitin1992) ky studim, e rekomandimet përkatëse, u konsideruan efektive dhe me interes të veçantë dhe për këtë qëllim, filloi ndërtimi i rrjetit 20 KV nga kompania italiane ENEL. Në vitin1965, Inxh. S. Andrea, kreu një studim tjetër të rëndësishëm, atë “Mbi përdorimin në shkallë të gjerë të energjisë elektrike për ngrohje. Qëllimi i studimit, ishte që të nxirrte se përdorimi për gatim i energjisë ishte relativisht ekonomik, ndërsa për ngrohjen e tre qyteteve (Tiranë, Shkodër dhe Durrës) do të duhej një energji prej një miliardë KË/h,sa prodhonte H/C-i i Vaut të Dejës. Në vitin 1967, ai kreu “Studimin mbi zhvillimin perspektiv të sistemit tonë energjetik (22), i cili lindi si pasojë e lidhjes së HEC–it, të Vaut të Dejës, me tensionin 110 KV, pranuar sipas një studimi të Institutit të H/centraleve dhe aprovuar nga pala kineze,gjë që ai e kundërshtoj teknikisht, duke argumentuar se nuk duhej të ndërtohej, pa marrë më parë parasysh ndërtimin e H/ceve të Fierzës ,Komanit, Skavicës e Bushatit. Është pikërisht këmbëngulja e inxh. S. Andreas, dhe llogaritjet e kryera prej tij, që bënë të mundur futjen e tensionit 220KV, si dhe skemat unazore të lidhjeve të HEC-eve me qytetet kryesore. Për herë të parë në vendin tonë(1978),ai kreu studimin: Shfrytëzimin e energjisë diellore për ngrohje higjieno sanitare (23). Për këtë qëllim, ai e vërtetoi teorikisht si dhe e realizoj praktikisht ndërtimin e impianteve diellore në Ndërmarrjen Elektrike të Tiranës (me volum 400 litra ujë me temperaturë 50-60 gradë e me sipërfaqe 6m2) si dhe një tjetër në stadiumin e lojërave me dorë në Durrës (me sipërfaqe 18m2 dhe me volum 1200 litra ujë). Ky studim, vuri në dukje shfrytëzimin e energjisë të rinovueshme, siç është ajo e rrezatimit diellor. Në vitin 1979, inxh. S. Andrea kreu një studim tjetër me vlerë kombëtare, e mjaft të rëndësishëm, si ai “Mbi mundësinë e lidhjes të sistemit tonë energjetik 220 KV, me atë të Italisë (24), që do përdorej kryesisht për eksportin e energjisë elektrike, nëpërmjet detit Adriatik, me anë të një kabulli me rrymë të vazhdueshme. Materiali studimor, nuk u botua për arsye të sekretit shtetëror(?). Për këtë studim dhanë përgjigje dy firma serioze ASEA-suedeze dhe AEG-SIEMENS, gjermane, të cilat dërguan edhe përfaqësuesit e tyre në Tiranë, por ky studim nuk u zbatua, megjithëse ne vitet e fundit ka pasur nisma e propozime për të realizuar këtë projekt.
Gjatë aktivitetit në sektorin e prodhimit, Inxh. S. Andrea, ka drejtuar montimin e pjesërisht kolaudimin e mbi 25 N/Stacioneve elektrike me tension 35-220 KV. Po kështu, ai zgjidhi problemin e fuqizimit të N/Stacioneve elektrike të Fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, që në atë kohë furnizonte me çimento ndërmarrjet që punonin për ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës. Fuqizimi i N/Stacioneve u realizua duke ndërruar transformatorët, pa ndërprerjen e punës të Fabrikës, ndërkohë që ekipe të ndryshme për ndërrimin e transformatorëve, kërkonin ndërprerjen e punës të Fabrikës, e ndërprerjen e prodhimit të Fabrikës për një kohë prej 15-20 ditë. Në Durrës, inxh. S. Andrea në vitin 1959, në kohën kur fabrikat dhe qendrat e banuara prej kohësh ndjenin vështirësi në përdorimin e energjisë elektrike për shkak të tensionit të ulët që vinte nga sistemi, mundi të realizojë tensionin me vlera nominale, duke ndërhyrë nga ana konstruktive në gjeneratorët elektrike të centralit elektrik, duke zgjidhur një problem mjaft të rëndësishëm për këtë qytet. Aktualisht, inxhinier Sotir Andrea, është në pension e afër të 90-tave, por megjithatë, ai është aktiv e i ri në mendime, studion, punon dhe përpiqet të japë kontributin e tij publik. Në 10 vitet e fundit në pension, ka botuar rreth 10 artikuj shkencorë. Ai është gjithmonë i respektuar nga të gjithë kolegët, shokët e ish studentët. Megjithatë, me keqardhje, mendojmë se ka qenë i harruar e i pavlerësuar nga institucionet shtetërore për kontributin e tij të gjatë. Ai është “profesor” i dhjetëra profesorëve të energjetikës, por nuk i është dhënë kurrë një titull i tillë,të cilin e ka merituar me kohë. Ai gjatë gjithë jetës, nuk është nderuar asnjëherë publikisht nga institucionet shtetërore të vendit. Dëshirojmë gjithashtu me këtë rast, të theksojmë, se në praktikën e institucioneve qendrore, ka zënë dhe zë pak vend, nderimi e respektimi i personaliteteve të shquara të shkencave ekzakte, të inxhinierisë, të energjetikës, minierave, ndërtimit naftës, të gjeologjisë e të tjera. Me këtë rast i bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, që në përputhje me kompetencat e Tij dhe të legjislacionit ekzistues të vendit tonë, të bëjë të mundur, nderimin në një moshë të thyer, të kolegut tonë të respektuar, shqyrtimin, miratimin dhe dhënien e një “Titulli nderi” si dhe të medaljes përkatëse.
Akademik Prof.Bardhyl Golemi
Akademik. Prof. Edmond Pinguli 
Prof. Gëzim Karapici 
Prof. Viktor Topulli 
Prof. Mihal Jorgoni 
Prof. Aleko Minga 
Inxh. Aleko Hido 
Inxh. Fatri Kadilli
Bibliografinë me punimet e inxh. S. Andrea.
1.—S. Andrea:—Elektroteknika e përgjithshme (tre volume)viti 1964
2.—S. Andrea:—Rrjetat elektrike (përkthim)viti 1963.
3.—S. Andrea:—Udhëzues për projektin e kursit të rrjeteve elektrike. Viti 1960
4.-S. Andrea:—Montime elektrike (Naim Frashëri. Viti 1967)
5.—S. Andrea:—Panelet diellorë për ngrohje uji.( Naim Frashëri, viti 1987)
6.—S. Andrea:Kondicionerët e pompat e nxehtësisë(Shtëpia Botuese Kumi, viti 2003) 
7.—S. Andrea:—Impiantet diellorë aktivë.(Shtëpia Botuese Kumi. Viti 2004)
8.—P. Vasili-S. Andrea:—A është e largët mundësia, që sistemet voltaike të zëvendësojnë lëndët fosile për prodhimin e energjisë elektrike (Shtëpia Botuese Kumi, viti 2004)
9.—S. Andrea:—Përse nuk përdoren në shkallë të gjerë panelet diellorë në vendin tonë,(Botuar në Revistën Monitor. Gusht 2002)
10.—P. Vasilki, S. Andrea:-Pse është i nevojshëm TEC-I, i Memaliaj.(Botuar në Revistën Monitor. Maj 2002)
11.—S. Andrea:—E mesmja ideale (centralet elektrike dhe mjedisi.(Botuar në Revistën Monitor. Dhjetor 2008).
12.—S. Andrea:—Probleme energjetike në perspektivë (central Bërthamor Ballkanik) (Botuar në Revistën Monitor. Prill 2006)
13.—S. Andrea:—Disa mendime për të përballuar me efikasitet krizën energjetike (Botuar në Revistën Monitor. Shkurt 2006)
14.—S. Andrea:—Si mund të fitohet koha e humbur në energjetikë (Botuar në Revistën Monitor. Prill 2008)
15.—S. Andrea:—Kriza energjetike, pasoja kryesore e sistemit aktual energjetik të vendit (Botuar në Gazetën “Tema” dt. 03. prill. 2007)
16.-S. Andrea: —Kabulli nënujor me Italinë, një histori që daton nga viti 1979(Botuar në Gazetën “Tema” dt. 25.08.2007)
17.-S. Andrea:—A duhet të ndërtohet TEC-i 500-800 MG me qymyr guri në Bisht-Pallë (Botuar në Gazetën “Tema”dt 03.05.2008)
18.–S. Andrea:—Disa mendime për përballimin e krizës energjetike (Botuar në Revistën ‘Ndërtuesi” Nr.35. Dhjetor 2006)
19.—S.Andrea:—Zgjedhja e tensionit 20 KV më ekonomik midis 6—35KV, në shpërndarjen e energjisë (Botuar në Buletinin e USHT.Viti 1960)
20.-S. Andrea:—Studim për elektrifikimin e vendit, viti 1959 (Arkivi i Ministrisë të Ndërtimit)
21.-S.Andrea:—Studim mbi përdorimin në shkallë të gjerë të energjisë elektrike për ngrohje e gatim (Botuar në Buletinin e USHT Nr.4. viti 1967) 
22.—S. Andrea:—Studim mbi zhvillimin perspektiv të sistemit tonë energjetik (Shtator. Viti 1967) Arkivi.
23.—S. Andrea:—Studim.-Shfrytëzimi i energjisë diellore për ngrohje higjieno sanitare. Viti 1978. Arkivi.
24.-S. Andrea: —Studim -Mbi mundësinë e lidhjes të sistemit tonë energjetik 220 KV, me atë të Italisë. Viti 1979.(Nuk u botua për arsye sekreti shtetëror.)
Sigal