Sistemi shëndetësor dhe i drejtësisë më të korruptuarit në Shqipëri

475
Sigal

Instituti Demokratik Amerikan: Papunësia dhe korrupsioni, shqetësimet kryesore të qytetarëve

Në këtë moment kritik në tranzicionin demokratik të Shqipërisë, publiku pret që drejtuesit e tyre të zgjedhur t’i përfshijnë ata në adresimin e shqetësimeve të vjetra të reflektuara në këtë hulumtim, si papunësia, shëndetësia, arsimi dhe korrupsioni. Për këtë arsye Instituti Demokratik Amerikan (NDI) ka kryer një hulumtim, në dhjetor 2013, përmes të cilit tregon pulsin publik si negativ, rrjedhojë e kushteve të këqija ekonomike. Papunësia dhe korrupsioni janë shqetësimet kryesore të qytetarëve. Hulumtimi konstatoi se, qytetarët ndihen të shkëputur nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur dhe liderët e partive, dhe se u bëjnë thirrje të mbajnë premtimet zgjedhore. Gjithashtu, hulumtimi konstatoi se, qytetarët shprehin qartësisht dëshirën për një stil të ri të politike dhe qeverisjeje, të bazuar në konsultime publike dhe pjesëmarrje, përgjegjësi nga ana e politikanëve dhe llogaridhënie nga ana e qeverisë.

-PRIORITETET E QYTETARËVE

• Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve e perceptojnë ekonominë si të dobët, çmimet si përgjithësisht të larta dhe papunësinë si një problem të mprehtë, veçanërisht për të rinjtë. Pjesa dërmuese e pjesëmarrësve pohojnë se të ardhurat e familjes së tyre janë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat mujore bazë, si faturat e shërbimeve (ujë, elektricitet etj.), ushqimet dhe mjekimet.

• Pjesëmarrësit presin që qeveria të mbajë premtimet për krijimin mundësive të reja për punësim dhe tërheqjen e investimeve.

• Pjesëmarrësit në grupet e fokusuara e shohin korrupsionin si të gjithë-pranishëm në jetën e tyre të përditshme dhe kujdesin shëndetësor, të ndjekur nga sistemi i drejtësisë dhe ai arsimor, si sektorët më të korruptuar dhe joefikasë.

• Përgjithësisht mbështesin fushatën e qeverisë së re kundër korrupsionit, ndonëse disa janë skeptikë për gjasat që ajo të sjellë ndryshime të qëndrueshme nëse nuk zbatohet plotësisht e në mënyrë të drejtë. Zbatimi i rreptë i ligjit dhe ndëshkimi i të korruptuarve do të rriste besimin e tyre në sundimin e ligjit.

• Sektori i shëndetësisë shihet si i korruptuar dhe i paefektshëm. Pjesëmarrësit përmendin se, disa prej problemeve më të mprehta që ata hasin kur përballen me sistemin e shëndetësisë janë standardet e ulëta të shërbimit, mungesa e mjekimeve, infrastruktura e papërshtatshme dhe burokracia që pengon procesin e marrjes së librezës shëndetësore. Shumë pjesëmarrës besojnë se, gjendja do të përmirësohej nëse do të kishte më shumë kontroll nga qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse, më shumë investime në infrastrukturë, si edhe rritje të pagave të personelit mjekësor.

• Menjëherë pas shëndetësisë, sistemi i drejtësisë citohet si sektori më i korruptuar. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve pohojnë se, është e vështirë të marrësh trajtim të drejtë në gjykata nëse nuk u paguan ryshfet avokatëve, prokurorëve apo gjyqtarëve. Në këndvështrimin e qytetarëve, dështimi i përsëritur i gjyqësorit në dhënien e drejtësisë dhe dënimin e të korruptuarve personifikon mungesën e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

• Shumica e pjesëmarrësve në diskutime mendojnë se, cilësia e arsimit është shumë e dobët.

• Ashtu si edhe në hulumtimin e vitit të kaluar, siguria publike përbën një shqetësim. Pjesëmarrësit perceptojnë një rritje të shkallës së krimit, si rrjedhojë të gjendjes së keqe ekonomike dhe nivelit të lartë të papunësisë.

-POLITIKA NË PËRGJITHËSI, PARLAMENTI, PARTITË POLITIKE DHE ZGJEDHJET 2013

• Ashtu si në studimin e vitit të kaluar, pjesëmarrësit shprehin mosbesim te politika në përgjithësi, parlamenti dhe partitë politike, dhe shfaqen skeptikë për ekzistencën e ndonjë partie politike të interesuar në zgjidhjen e problemeve me rëndësi për qytetarët. “Mbani premtimet” është një kërkesë për partitë politike, e cila u shpreh shpesh nga pjesëmarrësit e të gjitha grupeve të fokusuara.

• Një numër pjesëmarrësish i perceptojnë anëtarët e parlamentit si të shkëputur dhe të pandërgjegjshëm për problemet e qytetarëve dhe kushtet në zonat e tyre. Një numër i konsiderueshëm thonë që nuk e dinë se kush është përfaqësuesi i tyre i zgjedhur.

• Një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish ankohen për faktin se, partitë politike duket se, shërbejnë si agjenci punësimi, duke ofruar punë në shkëmbim të votave dhe mbështetjes.

• Shumica e pjesëmarrësve presin një opozitë efektive që propozon zgjidhje alternative dhe që mbështet ato politika të propozuara nga qeveria që zgjidhin problemet dhe që janë në interes të qytetarëve.

• Pjesëmarrësit në grupet e fokusuara i konsideruan zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013 pozitive.

 …..

 

Disa këshilla juridike mbi respektimin e privatësisë

 Avokat Agim Gjoleka

 Shpesh në emisione e gazeta shkelen kërkesat e ligjit “Për  Mbrojtjen e të Dhënave Personale” si: 1.Parimi i përgjithshëm: “Përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale bëhet duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe, në veçanti, të drejtën e ruajtjes së jetës private”.

2.Jepen të dhëna sensitive të personave, që kanë të bëjnë me informacione: “…për personin fizik që ka të bëjë me origjinën e tij racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale”. Ju kujtoj ngjarjen e vrasjes së katër personave nga një fshatar në rrethin e Korçës. Në çdo gazetë e në emisionet televizive thuhej se ai kishte marrëdhënie me viktimën bile se me të priste fëmijën, etj., marrëdhënie intime me të. Këto janë shkelje hapur të ligjit se cenohet jeta private e jeta seksuale e personit dhe mundet që Komisioneri t’i dënojë me gjobë sipas nenit 39 të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

-MBI RESPEKTIMIN E KODIT TË PROCEDURËS PENALE

Në gazeta apo emisione televizive konfondohen termat juridike lidhur me përgjegjësinë penale. Konfondohen: I shoqëruari, Personi nën hetim, i Pandehuri.

-I shoqëruari: Është person që  rrallë shoqërohet se i atribuohet ndonjë vepër penale.

I shoqëruari gëzon të gjitha të drejtat e njohura nga neni 28 i Kushtetutës. Ai ka të drejtë të flasë me avokatin mbrojtës menjëherë pas shoqërimit.

-Personi nën hetim: Është personi që i atribuohet një vepër penale, por që nuk i është komunikuar zyrtarisht akuza nga Prokurori. Atij i tregohen gjëra të përgjithshme lidhur me veprën penale, me dhe pa praninë e mbrojtësit. Ndaj tij mund të merren masa për heqjen e lirisë siç janë Ndalimi, apo arrestimi në flagrancë, apo ndonjë nga masat e sigurimit që nga arresti në burg, arrest në shtëpi e deri në ndalimin për të dalë jashtë shtetit.

-I pandehuri: Është personi që i atribuohet vepra penale, por që me akt të veçantë i njoftohet akuza, në të cilën tregohen të dhënat e mjaftueshme për marrjen sit ë pandehur. Ky akt i njoftohet të pandehurit gjithmonë në prani të mbrojtësit të tij (neni 34 i K.Pr.Penale). Ndaj të pandehurit mund të jetë marrë më parë ndonjë masë e kufizimit të lirisë siç janë ndalimi apo arrestimi në flagrancë, por me komunikimin e akuzës gjithmonë është e nevojshme të merret masë sigurimi dhe kjo vetëm me kërkesë të Prokurorit në Gjykatë.

-Në procedimin penal: Personi nën hetim dhe i pandehuri, konsiderohen të dyshuar, deri sa me vendim të Prokurorit ,çështja ndaj tyre pushohet ose me vendim të gjykatës çështja pushohet ose jepet dënimi penal (neni 4 i K.Pr.Penale).

Shpesh gazetarët konfondojnë dhe një gjë tjetër: Kur gjykata ndryshon masën e sigurimit të marrë ndaj personit, ta zëmë nga arresti në burg, në arrest në shtëpi apo paraqitje në polici, pra lirimin nga izolimi, nuk do të thotë se personi mori pafajësi ose doli i pafajshëm. Jo, personi vetëm u çlirua nga një lloj mase sigurimi, por hetimi vazhdon me masë sigurimi më të lehtë dhe do të kalojë të gjitha fazat, qoftë në hetimet paraprake dhe qoftë në gjykimin e çështjes nga gjykata deri në dënimin e fajtorit. Por ju kujtoj se Prokurori gjatë zhvillimit të mëtejshëm të hetimeve ka të drejtë të kërkojë përsëri ndryshimin e masës nga ajo më e lehtë në një më të rëndë, kur sheh se personi nuk respekton kushtet e kriteret. Pra fajësia e personit nuk vendoset me ndryshimin e masës së sigurimit, por vetëm me vendimin e Pushimit të çështjes nga Prokurori, ose me vendimin e dënimit nga gjykata, ose të vendimit të pafajësisë ose të pushimit të çështjes nga gjykata.

 Çabej: Publikimi i kompanive që abuzojnë, s’është shkelje!

 Inspektorati Qendror Teknik ka të drejtë të publikojë emrat e subjekteve të kompanive që abuzojnë me cilësinë e karburanteve. Kështu është shprehur Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave, Flora Çabej. Për komisionerin, publikimi i emrave të kompanive nga Inspektorati Qendror Teknik, bazohet në ligjin nr.9887 datë 10.03.2008, në të cilin thuhet se kompanitë janë kontrollues të të dhënave personale sepse mbledhin, ruajnë, përhapin apo i transmetojnë këto të dhëna, pra përpunojnë të dhëna personale si dhe kanë detyrimin ligjor të njoftojnë pranë komisionerit për përpunimin e të dhënave personale që ato kryejnë. Sipas institucionit që garanton të drejtën e privatësisë, transparenca për të mbrojtur interesat e subjekteve të të dhënave (në këtë rast të konsumatorit), duhet konsideruar e rëndësishme. Komisioneri shprehet se, në këtë rast jemi përpara së drejtës për informimin e publikut që është një e drejtë që buron nga neni 9 i ligjit nr 10433 datë 16.6.2011 në të cilin thuhet se Inspektorati informon publikon për konstatimet dhe masat gjatë procedimit administrativ të inspektimit nëse kjo është e nevojshme për mbrojtjen e të dhënave dhe të interesave të personave fizikë dhe juridikë.

…..

Ja institucionet që do të përballen sot në gjykatë

  Posta Shqiptare

 Radhët e gjata në pritje, mungesa e korrektesës dhe mosdhënia e kuponit tatimor, pakot dhe e porosit që vijnë nga jashtë, të cilat jo vetëm që nuk i sjellin në shtëpi, por dhe vonohen, janë disa ndër problemet, me të cilat përballen klientët me postën shqiptare. Por ky institucion do të përballet sot në një seancë gjyqësore me ish-punonjësen me iniciale J.GJ. për marrëdhënie pune. Personi në fjalë kërkon: -dëmshpërblim me pagën e një viti pune për shkak të zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës.

– tre muaj pagë pune që do të përfitonte nga afati ligjor i njoftimit për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës.

– dy muaj pagë pune për shkak të mosrespektimit të procedurës së largimit nga puna.

– shpërblim për vjetërsi të barabartë me pagën e një pesëmbëdhjetë ditshi për çdo vit pune.

– shpenzimet gjyqësore, avokatore

Gjithsej 20 paga e gjysmë, duke marrë për bazë pagën mujore prej 73.000.

Shoqëria Albtelecom

 Shoqëria Albtelecom do të përballet sërish në gjyq për marrëdhënie pune. Këtë herë padia vjen nga ish-punonjësja E.A., e cila kërkon nga pala e paditur dëmshpërblimin me 1 vit pagë për zgjidhjen e kontratës pa shkaqe të arsyeshme dhe në mënyrë të menjëhershme, duke mos respektuar procedurat përkatëse.

 Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka e Shqipërisë

 Ndryshe nga herët e tjera, padia e radhës vjen jo vetëm për BKT, e cila jo më larg se dy ditë më parë u shpall si, banka që kishte përfituar shumën prej 700 milionë lekësh në kurriz të klientëve shqiptar, në këtë kohë krize, por edhe për Bankën e Shqipërisë. Padia është bërë nga shtetasi me iniciale V.S, i cili kërkon detyrim të palëve të paditura për të kthyer shumën 168 081 dollar USA, si dhe shpërblim dëmi, si rrjedhoje e vonesës së kthimit të shumës së mësipërme, që përbëhet nga kamatat e arrira, duke filluar nga 1 janari 1982 deri në ekzekutimin e vendimit. Shuma totale e kërkimit është 400 000 dollarë USA

 Klara ÇAUSHI